
Etyd për drejtësinë dhe mirësinë e munguar
Nga Namik Selmani
Tash 3000 vjet ecim si kërkimtarë sypangopur
Prekëm Hënën, Marsin, Kujtesën dhe Harrimin
Po ende syri mbeti i etur për shtegun e panjohur.
Ende as veten s’e njohim kur prekim lëngimin.
Gjakosëm këmbët në fshatra, male, xhungla qytete.
Kur drita u shua, vetë zemrat i bëmë dritë, flakadan.
Na fal, Diogjen, që ende grindosemi egër me vete
Në kërkim të një jete, të një NJERIU si fanar.
Ndërtuam avionë, anije, u bëmë polumbarë thellësish.
Kur faret u dogjën, në vend të tyre zemrat ndezim.
Oh, na fal, Diogjen që ende udhëtojmë pa mbarim.
Edhe pse një ditë varrin e ftohtë e përkëdhelim.
Nuk dimë se sa do vrapojnë me atë qiri fëmijët
Nipërit e stërnipërve do të flasin me ty përsëri
Na fal, Diogjen, që ende i lodhim gishtërinjtë
Në kërkim të një udhe me shumë dëborë e shi.
Na fal, Diogjen, që ende nuk kemi hequr gjemba e ferra
Ende shumë gurë kemi në shpinë e në këmbë.
Qirinjtë dritëzbehtë do na ndrijnë ëndrra të tjera
E ne, me të Keqen do të përleshemi dhëmbë më dhëmbë