Gjormi në syrin e një historiani dhe fotografi të huaj-Nga Ymer Hysa

HISTORI



Nga Ymer Hysa

Gjatë hulumtimeve të vazhdueshme në grumbullimin e materialeve të shkruara për librin tim Gjormi Histori dhe Etnokulturë nga autorë vendas dhe të huaj, më ra në sy dhe një libër i shkruar nga Hugo Adolf Bernatzik. Libri titullohej Shqipëria: Vendi i Shqiptarëve {ALBANIEN DAS LAND DER SKIPETAREN).
Nga të moshuarit e fshatit tim kisha dëgjuar se një i ‘’huaj’’ austriak kishte ardhur në kohën e Zogut dhe kishte qëndruar disa ditë mes tyre, me vehte kishte një aparat fotografik dhe kishte bërë vizita nëpër familje dhe marrë pjesë në një dasëm. Asnjëri prej tyre se mbante mend emrin por thonin ishte austriak ose gjerman, ishte një burrë i pashëm dhe shumë i komunikushëm. Na pati premtuar se do ti sillte fotografitë, por koha rrodhi ndryshe dhe nuk patëm më kontakte me të.

Mua fati ma solli të më binte në dorë libri i shkruar prej tij në vitin 1930 në Vjenë, të cilin ma solli nga Gjermania studentia Alba Lika që vazhdon studimet atje.
Që në faqet e para të librit bie në sy krahas shkrimeve për shqiptarët dhe prejardhjen e tyre, për gjuhën dhe traditën, për historinë dhe luftrat çlirimtare bazuar në argumenta shkencore të kohës, dhe shumë fotografi, mjaftë prej të cilave realizuar në fshatin tim Gjorëm.

Atij nuk kishte si të mos i tërhiqte vëmendjen panorama e bukur e fshatit mes gjelbërimit të ullinjve shekullorë, me kulla dykatëshe prej guri si fortesa, të ngjeshura shpatull më shpatull, ku thuhej se macja kalonte tjegull më tjegull, nga njëra çati në tjetrën. Ndaloi në Gjorëm dhe takoi banorët, u magjeps prej tyre. Bisedoi për kushtet ekonomike të jetesës, u njoh me traditën e mikpritjes, për të cilën do të shkruante se ‘’vizitori i huaj nuk do të ndjehej më i sigurtë se në Shqipëri në asnjë vend tjetër’’.
Duke qëndruar në Gjorëm, ai shkruan dhe fokuson me aparatin fotografik kullat, njerëzit që mlidheshin dhe pinin kafe sëbashku, teksa kuvendonin për problemet e ndryshme mes tyre, ai flet dhe shkruan për llojet e ushqimit të përditshëm, sidomos për ushqimet me origjinë qumështore, prej mishit të shpendëve dhe kafshëve, flet për bukën e misrit, për pijet dhe kafen e zezë turke. Përshkruan mënyrën e jetesës, veshjes, valleve, veglave muzikore herë me përshkrime prozaike, herë me aparat fotografik. Të moshuarit thonë se kishte vallëzuar në dasëm, kishte pozuar me veshjen e tyre, kish shaluar kuaj dhe ngarë qetë me parmendë. Jo vetem se ishte burrë i pashëm, por dhe komunikues dhe i sjellshëm. U njoh dhe zuri miqësi me mjaftë prej tyre.

Po kush ishte Hygo Adolf Bernatzik?
I lidur në Vjenë më 1897 i diplomuar si etnograf dhe fotograf, është themelues i disiplinës së Etnologjisësë Aplikuar. Kontaktet e para me shqiptarët i kishte që më 1914, në kohën kur Princ Vidi i dërguari i Fuqive të Mëdha kishte ardhur në Shqipëri për të vënë bazat e shtetit shqiptar. Në kohën e luftës së parë botërore ishte në Shqipëri në cilësinë e Oficerit të Amatës së Austrisë. Gjatë kohës që ishte në cilësinë e oficerit, ripërtëriu miqësitë që kishte krijuar me bijte e oficerëve shqiptarë që kishin shërbyer në Gardën e truprojave të Sulltanit Abdyl Hamitit, gardë e përbërë kryesisht prej oficerëve shqiptar, të cilët me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar ishin kthyer për ti shërbyer vendit të tyre.

Vetë Bernatzik do të shkruante se gjatë qëndrimit në Shqipëri kishte kaluar shumë ditë me shokët e fëmijërisë. I mahnitur siç duket nga bukurite natyrore dhe karakteri i njerëzve do të shprehej se nga koha e kontakteve të para nuk e kishte lënë të qetë dëshira për të vizituar Shqipërinë, deri sa përfundimisht në vitin 1929, i paisur me tendë fushimi, , me një barkë lundruese dhe një aparat fotografik realizon dëshirën e madhe të tij ”për ta njohur me themel atë vënd të veçantë dhe banorët e tij të guximshëm”. Ai do të shkruante se “shqiptarët janë popull me karakteristika të theksuara burrërore, të guximshëm, të ndershëm dhe mikpritës, tolerantë dhe bashkjetues, një popull që gjatë shekujve ka nxjerrë oficerë ndër më të mirët, burra shteti të njohur, nëpunës etj”. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri vizitoi Shkodrën, Krujën, Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Korçën, Beratin, Voskopojën, Kënetën e Tërbufit dhe të Maliqit, Liqenin e Ohrit dhe të Prespës. Të gjitha këto vende që vizitoi i fokusoi në aparatin fotografik dhe me përshkrime i botoi në një kapitull për Shqipërinë “Vendi i harruar i Europës”
Unë sot pas rreth 100 vitesh desha ta kujtoj dhe ti shpreh mirnjohjen time të thellë këtij miku të madh të shqiptarëve dhe të fshatit tim në veçanti.