Ervina Toptani
Disa njerëz me mënyrën e tyre të bukur njerëzore mbeten gjithnjë në kujtesë.
Ishte korrik i vitit 2014. U nisëm me makinë unë e bashkëshorti nga Tirana drejt Brukselit. Fëmijët, që ishin pesë e një vjeç e gjysëm i lamë me prindërit e mi në Tiranë pasi udhëtimi ishte vetëm për pak ditë e rruga tepër e gjatë.
Në zyrën ku do të shkonim në Bruksel na priste një shok pune i tim shoqi i cili e dinte që po udhëtonim me makinë. U nisëm diku rreth orës pesë pasdite nga Tirana në mënyrë që të përfitonim e të kalonim Malin e Zi e një pjesë të mirë të autostradës së Kroacisë pa trafikun e tmerrshëm të pikut të verës.
Pas 3 a 4 orësh që ishim nisur e ndërkohë mbrëmja e kishte hedhur veladonin e errësirës kudo, zotëria që na priste në Bruksel fillon sjellë mesazhet e para në celular. Meqë im shoq ishte në timon, unë zakonisht në këto raste bëj rolin e radios, herë këndoj, herë hap tema diskutimi letërsie, filozofie, politike. Herë lexoj me zë pjesë të zgjedhura nga kryevepra botërore të cilat i përzgjedh që më parë me shumë kujdes e herë flas për plane e dëshira për të ardhmen. E gjithē kjo për të trembur gjumin sepse kam një lloj frike sa herë nisem për udhëtime të gjata e preferoj të jem zgjuar gjithë kohën sado i gjatë të jetë udhëtimi. Ndaj shumë shpesh preferoj trenin për të udhëtuar gjatë por në Shqipēri këtë mundësi nuk e kemi.
Zotëria që na pristë në Bruksel që prej orës nëntë të mbrëmjes kur u nisëm e deri mbrëmjen e ditës së nesërme kur mbërritëm në Bruksel, çdo një orë dërgonte mesazh në celularin e tim shoqi duke thënë: “Gjithçka në rregull? Jeni mirë? Të lutem ec me ngadalë e bëj ndalesa shpesh se këtu jemi ne, s’ka gjë se vjen njē ditë e vonesë. Nuk ndodh asgjë. Të lutem bëj kujdes se ke lënë dy foshnja tek gjyshërit që presin mamin e babin t’u kthehen shpejt shëndoshë e mirë”. Çdo orë vinte një mesazh i tillë e nëse nuk merrte përgjigje shqetësohej mjaft. Ishte hera e parë në jetë qē më ndodhte që një njeri që nuk ishte prindi im apo familjar shumë i afërt të tregonte një kujdes kaq të madh prindëror, kaq të prekshëm shpirtërisht.
Herë pas here më janë mbushur sytë me lot kur i kthenim përgjigje. I kishte kaluar ato dy netë krejt të bardha pa gjumë, për të qenë i sigurtë që asnjërin prej ne të dyve nuk do ta zinte gjumi në timon. E sa herë ne i kthenim mesazhin thoshte: “Më gëzuat, ju shkruaj pas pak përsëri”.
Mbërritëm më në fund dhe sapo e pashë nga larg e kuptova menjëherë që ishte ai, njeriu më babaxhan që kisha njohur në jetë pa e njohur ende nga afër. Prezantohem dhe i them: Përveç babait e nënës time këtë që keni bërë ju këto dy netë nuk e ka bërë njeri, të preki shpirtin e tjetrit me butësinë e kujdesit më të bukur njerëzor. Ju jam kaq mirënjohëse e falenderuese për këtë dhuratë shpirtërore që na keni bërë të dyve ne.
Më i lumtur, jam unë – tha ai – erdhët shëndoshë e mirë, kaq doja unë. Sa herë ju shkruaja mendoja vogëlushët tuaj që ju prisnin e nuk mund të flija. S’keni pse më falenderoni për asgjë.
Kjo botë ku ne jetojmë, që duket sikur pjesën më të madhe të njerëzve e ka kthyer në të pashpirt, mban brenda saj dhe ëngjëj të tillë që rrezatojnë mirësi përtej mijëra kilometrash larg edhe pa i njohur fizikisht.