Enver N. Rexhaj

Dialog
Sokrati e pa duke zbritur
nga makina me xhama të zinj.
Rreth tij
mikrofonë,
kamera
dhe duartrokitje.
E priti në cep të sheshit.
— A je ti ai që qeveris?
Politikani buzëqeshi.
— Populli më ka zgjedhur.
— Atëherë më thuaj,
çfarë do të thotë të qeverisësh?
– Të marrësh vendime,
të ndërtosh rrugë,
të mbash ekonominë.
Sokrati uli kokën.
— Janë të nevojshme.
Por më thuaj:
a ke ndërtuar ndonjë urë
mes zemrave të njerëzve?
Politikani heshti.
— Kur flet në kuvend,
a flet për të fituar duartrokitje,
apo për të gjetur të vërtetën?
— Politika është e vështirë, tha ai.
— Edhe drejtësia është e vështirë,
por nuk pushon së qeni drejtësi.
Kaluan disa çaste.
Turma priste.
Kamerat ishin ndezur.
Sokrati pyeti sërish:
— Kur të mbarojë mandati yt,
çfarë dëshiron të kujtojnë njerëzit?
Emrin tënd?
Apo jetën e tyre që u bë më e mirë?
Politikani ngriti sytë.
Për herë të parë
nuk kërkoi kamerën.
Kërkoi përgjigjen.
Sokrati u largua ngadalë.
Dhe tha me vete:
“Nuk është i madh
ai që ngjitet në pushtet.
I madh është
ai që zbret prej tij
me ndërgjegje të pastër
duke lënë pas
më shumë shpresë
sesa premtime.“