–Fragment nga romani “Inspektori K”
Panajot Zoto

Gjyqi i grupit të vjedhësve të gëlqeres u zhvillua gati në fshehtësi, edhe se interesi i qytetarëve, veçanërisht i punëtorëve të fabrikës së gëlqeres dhe mbarë kombinatit, ishte i madh. Flamurin e mundonte përballja me njerëzit, që çdo ditë e pyesnin për Gjenovefën dhe e ngushëllonin duke i thënë: “S’ke ç’i bën ,do ta kalosh këtë mënxyrë”. Në ditët kur zhvillohej gjyqi ai shkonte dhe qëndronte në hyrje të gjykatës, i heshtur si të ishte zënë në faj, në pritje të përfundimit të seancës… Brenda asaj salle, ku e vërteta shpesh mbulohet prej mashtrimit dhe fjalët që thuhen fshehin mendimin e vërtetë , të dyshuarit ishin bërë bashkë për të lyer me njollën e zezë të fajsisë, Gjenovefën, e cila veçse kundërshtonte, duke mos pranuar fajsinë. Loja tashmë ishte në mbyllje dhe, ata, vjedhësit e vërtetë, si i mbyturi, kërkonin ta tërhiqnin edhe atë, magazinjeren e pafajshme, drejt fundit të detit…
Ai qëndronte aty pas dere kur ajo,njeriu më i shtrenjtë i jetës, i kaloi pranë duke i hedhur një vështrim vajtues. Ishte me pranga në duar. Nuk e lanë ta takonte të shoqin, as të këmbente dy llafe me të. Ishte gjetur fajtore dhe dënuar me tre vite burg. E futën brenda kamioçinës së degës dhe e larguan prej vështrimit të tij. “Kaq shpejt dhe kaq thjesht”-pyeti hidhshëm zemrën e vrarë,teksa largohej nga ajo godinë e vrazhdtë me një ecje të ngadaltë. Ku të shkonte? Edhe ai nuk e dinte ku: Në shtëpinë bosh, ku askush nuk e priste? Si do të mund të rrinte i kyçur brenda ftohtësirës që krijonte boshllëku i mungesës së njeriut që e donte aq shumë dhe i zërave gazmorë të fëmijëve? I dhimbte shpirti. Ecte rrugëve pa dije se ku do të shkonte….
Një javë më pas , Flamur Myftarin, drejtoin e Parafabrikateve të Bujqësisë, e thirrën në Komitetin e Partisë të rrethit. E kishte kërkuar vet sekretari i parë, shoku Zyliftar. Dezhurni i tha të priste sa ta njoftonte sekretarja, pasi shoku zyliftar kishte një takim me grupin e sekretarëve. Nuk priti shumë. E thirrën dhe Flamuri u ngjit në katin e tretë të godinës, ku ishte zyra e sekretarit të parë. E dinte, më sakt e merrte me mend, arsyen pse e kishin thirrur, Trokiti dhe u fut në zyrë. Përshëndeti me një lëvizje të lehtë të kokës dhe pëshpëriti një “mirmëngjes” , që zor ta kishte dëgjuar shoku Zyliftar.
-Ulu, tha i madhi i Partisë,por Flamuri qëndronte stoik në këmbë. “Të më thotë çka për të më thënë dhe të largohem”- i thoshte vetes. U dëgjua sërish një “Ulu” dhe Flamuri, instiktivisht lëvizi një karrige dhe u ul përball sekretarit të parë. Priste kritikat dhe zëmëratën e partisë të derdhej mbi të. Disa minuta heshtje. Askush nuk fliste. Flamuri priste kokëulur të binin mbi të rrufetë e shokut Zyliftar, që ngjante me një copë qiell ngarkuar me re të zeza.
-Nuk ke gjë për të thënë!?- e thjeu heshtjen i pari i partisë.
-Më thirrët dhe pres t’ju dëgjoj- ishte përgjigja e njeriut prball tij.
– Po, ke të drejtë. Nuk ke çfar të thuash pas asaj që ndodhi. Ajo që desha të dëgjoj është pendesa. Pendesa për çka nuk ke mundur dhe arritur të bësh. Dhe kjo lidhet me përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë e munguar. Si mund të ndodhë që bashkëshortja , njeriu kaq pranë teje të futet në llumin e së keqes dhe ti… njeriu i ri i partisë të mos kesh kuptuar gjë?! Apooo… e ke ditur dhe je pajtuar me vesin e saj për interesa fitimi në dëm të pronës së përbashkët?… Partia të ka besuar dhe të morri në gjirin e saj. Të besoi një detyrë të rëndësishme dhe ti ke pasur admirimin e drejtuesve të partisë dhe të pushtetit në rreth. Ishe rrethuar nga dashamirësia dhe respekti shoqëror i punëtorëve. Ishe duke u ngjitur lart dhe ja… sot e shikon veten në rënie.Madje…
-Mjaft të lutem!-thiri Flamuri dhe u ngrit në këmbë gati për të dalë nga zyra.
-Prit, mos më ndërpre! E di që është e rëndë për ty suportimi i një përgjegjësie si kjo,po ulu dhe më dëgjo,-tha prerë shoku Zyliftar
– Nuk desha t’ju fyej shoku sekretar… E kuptoj pozitën time të vështirë ,prandaj…
– Do përballesh me organizatën e partisë!-Tha prerë sekretari i parë.Do të mblidhet së shpejti për të diskutuar dhe vendosur. Duhet ta kuptosh dhe vetë se në rrethana të tilla nuk mund ta kesh besimin e nomenklaturës për të qënë në atë post drejtues. Besoj jemi të qartë, apo jo?- e mbylli me këtë paralajmëim ligjeatën shoku Zyliftar dhe u ngrit nga karrigia për t’i dhënë flamurit të kuptonte se takimi kishte mbaruar. U ngrit dhe ai… doli në korridor dhe zbriti shkallët duke u përpjekur të kuptonte mesazhin që përcillte porosia e sekretarit të parë në dalje nga zyra “ Nënshtroju gjykimit të masës,por nuk duhet ta shikosh të errët të arthmen”. Poshtë, në hollin e katit të parë, u përball me vështrimin kureshtar të njerëzve që prisnin radhën për takim me të parin e partisë. Doli në rrugë dhe u fut në klubin përball ndërtesës së komitetit të partisë. Donte të haronte gjithçka kishte ndodhur.
Doli nga klubi kur dielli ishte fshehur tej kodrës së ullishteve. U çapit në rrugët ende të laguara nga shiu që kishte rënë me rrëmbim pak orë më parë. Alkoli e kishte bërë punën e vet në organizmin e tij të pamësuar me pije. Eci kështu, i çekulibruar, me kokën e rënduar dhe me vështrim të trubullt, deri sa mbriti te blloku i banesave në “lagjen e kinezëve”, ku e humbi vetëdijen dhe këmbët nuk e mbajtën. U rrëzua përdhe vetëm pak metra larg pallatit ku ndodhej apartamenti i tij….
Një ditë më pas në të gjithë qytetin u hap lajmi tronditës: Inxhinjer Flamur Myftari kishte vdekur në një aksident me motor.