Tri poezi-Nikolle Loka

Nikolle Loka

 
 Ajo e qeshura e fëmijës

E qeshura e fëmijës bijë e muzës,
qiell e det në një varg,
simfoni vargjesh, notash, tingujsh,
grimca fjalësh,
ujëvarash,
lidhëse ngjarjesh,
agimesh,
kohësh qelq,
çastesh sublime…
Ajo e qeshura e fëmijës bijë e muzës,
tinguj drite,
kohë me vite larg…
Ta rrëmben pa dashje lotin, dhimbjen,
ta sjell para kohe agimin,
muzgun e përflak…
Ajo e qeshura e fëmijës,
ta fsheh në sythe fjalën,
vesë e bën frymëzimin…
Ajo e qeshura e fëmijës.
 
 
Sa herë…
 
Sa herë, sa herë,
sa shpesh, sa rrallë,
një telajo e shtrirë gjërë e gjatë,
pret një pikturë për sytë e mi…
Sa herë mbyll sytë që të shoh më mirë,
një telajo fle,
dhe dëgjoj një zë të brendshëm që flet…
Sa herë, sa herë,
sa shpesh, sa rrallë,
dua t’i zgjoj fjalët,
e ta ngjyros mendimin me vjeshtë…
Sa herë, sa herë,
sa shpesh, sa rrallë,
ndërroj vend,
le të bëhet më mirë!
Sa herë mbyll sytë,
sa herë,
shoh të njëjtën fjalë,
të njëjtën ngjyrë,
nga mëngjesi në darkë.
 
 
Zbathur do të kapërceja si ré
 
Të shoh në sy,
hapet një portë pa trokitur,
më sheh,
hapet një udhë e pashkelur,
zbathur do të kapërceja si ré,
për andej,
e më përtej…
S’mblidhen kujtime,
s’pipëtin asgjë,
nuk shkrep asnjë rrufe,
asnjë.
E deri në fund të asaj hapësire intime,
vazhdon të shkundet vesë,
të shkunden hije,
të shkunden ëndrra me purtekë,
të shkundet gjeth i blertë,
të këputen degë.
Të mpihen krahë e këmbë në mjegull,
mund të kapërcesh veç si i vdekur,
në një tunel
nën det,
që lidh dy botë,
dy jetë.
Nën hijen e një reje,
në dritën e një rrufeje