
PUTHMË …!!!
Si një pëlhurë e errët gri,
Kryeneçe mjergulla zbret,
Ndërsa dielli në qiell rri
Ndoshta hënën diku pret.
Dielli hënën ndoshta pret,
Aty në qiellin e kaltëruar,
Ndërsa mbrëmja vjen e qetë
Gjithsesi, pak e vonuar.
Por, edhe ti gjithashtu
E menduar ecën në fushë,
Me fustanin poshtë nën gju
Pa gjerdan varur në gushë.
Si në gushë dhe në faqe
Me një ngjyrë të rrëmbyer,
Pak në blu e manushaqe,
E gjithë fusha është kthyer
Kështu dukesh misterioze,
Nëpër lule kur po kalon,
Si një drenushë kapriçioze
Që me sy të provokon.
Që me sy të provokon,
Të ndizet gjiri, se shuan dot,
Gusha e jote sikur më fton
Ndërsa buza;- puthmë thotë.
Puthmë thotë e mos më lerë,
U bë vonë e kohë s’ka më,
Se dhe muzgu do të bjerë
Në errësirë, nuk sheh asgjë.
Se më vonë merak do t’ngeli
Por, shpejt ma ndiz atë flakë
Shtrëngomë fort poshtë te beli,
Puthma buzën, sa t’rrjedhi gjak,
Ah, kjo mbrëmja e marrosur
Ta ndez etjen dhe të përvëlon,
Por ti më shumë, më le plagosur
Kur thua puthmë, se më shëron.