Republika e Absurdit-Shkëlqim Selmani

Republika e Absurdit

Ka shumë vende në Europë ku institucionet dëgjojnë qytetarët dhe ka vende si Shqipëria ku qytetarët detyrohen t’u flasin mureve. Kur protesta zgjat me javë të tëra dhe kërkesat e saj mbeten pa përgjigje, lind pyetja më e rëndë për një demokraci: kush po e dëgjon popullin ?

Prej 53 ditësh, kryesisht të rinj e të reja mblidhen para Kryeministrisë në Tiranë. Ata nuk kërkojnë privilegje, por kërkojnë përgjegjësi, kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit si shkak i korrupsionit në të gjithë piramidën institucionale të shtetit, shkeljes së ligjit dhe kushtetutës për shkatërrimin e zonave të mbrojtura dhe për ndalimin e arrogancës absurde të qeveritarëve dhe deputetëve eunukë, që mbështesin pa menduar fare çdo vendim antipopullor e antikombëtar të kryeministrit, që ka përqëndruar të gjitha pushtetet në dorën e tij ?! Ata kërkojnë që pushteti të mos i mashtrojë, të mos i vjedhë, të mos i shesë, të mos jetë i shkëputur nga qytetari, kërkojnë që zëri i tyre të mos humbasë në korridoret e heshtjes institucionale. Çdo ditë që kalon, protesta nuk bëhet më e vogël; bëhet më domethënëse.

Ndërkohë, jeta politike vazhdon sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Seancat idiote parlamentare zhvillohen, ligjet antipopullore miratohen, deklaratat përsëriten dhe retorika vazhdon rrugën e saj; ndërsa jashtë godinave të pushtetit një pjesë e shoqërisë kërkon të dëgjohet. Kjo shkëputje mes qeverisjes dhe qytetarit është vetë fytyra e absurdit dhe nëse vazhdojnë kështu, revolucioni nuk ngelet parrullë, por bëhet realitet …

Një republikë nuk matet vetëm me ndërtesat e saj, me propagandën e drejtuesve të saj, por me mënyrën se si trajton njerëzit që mendojnë ndryshe. Demokracia nuk është vetëm e drejta për të votuar një herë në katër vjet; ajo është detyrimi për të dëgjuar çdo ditë ata që të votuan dhe ata që nuk të votuan. Kur pushteti e humbet këtë aftësi, ai nuk dobëson protestën, por dobëson besimin dhe afron rrëzimin.

Republika e absurdit lind atëherë kur heshtja dhe më keq fyerja bëhet përgjigje, kur arroganca vishet si forcë dhe kur qytetari trajtohet si pengesë, jo si sovrani i vendit.

Megjithatë, historia ka një ligj të pashkruar; asnjë diktaturë apo autokraci nuk është e pafundme. Brezat e rinj, në mënyrë ciklike, kanë ditur gjithmonë të zgjojnë shoqëritë kur ato rrezikojnë të bien në apati e nënshtrim. Prandaj shpresa nuk qëndron te muret e pushtetit, por te njerëzit që vazhdojnë të protestojnë dhe besojnë se Shqipëria meriton më shumë drejtësi, më shumë dinjitet dhe më shumë përgjegjësi. Sepse republikat nuk ndërtohen mbi frikën dhe nënshtrimin, ato ndërtohen mbi respektin dhe shërbimin me ligj e drejtësi për popullin që të mban mbi krye …

Shkëlqim Selmani- Sarandë.