Rubjana Nika

Në ectë lumi,
le të ecë,
siç ka ecur mijëra shekuj,
të marrë para plehra,krunde,
shpirtra kalbur,
zemra” vdekur”.
Të vërshojë,
të dalë shtratit,
rrugë,skuta të pastrojë,
të shfryhet e “të tërbohet”,
mendjetkyçur të shkallmojë.
Në rrjedhtë lumi,
le të rrjedhë,
siç ka rrjedhur mijëra vite,
të shembë mure ,
të zhdukë kufij,
të çelë shtigje rreze drite.
Të vrapojë fushave mbarë,
të ngopë tokën
tharë ,djegur,
babëzisë,pabesisë,
djep intrigash,
urrejtjembledhur.
E në daltë lumi prej shtrati,
të kalojë çdo kufi,
le të dalë,u bëftë nami,
të fryhet e të harbohet,
gjithë helmin ta shpërndajë,
përmbi hijena e lubi.
Të përmbysë folebrejtësish,
strofkulla ujqërish lukuni,
botën ta tundë në themele,
brenda vorbullës përthithëse
gjithë të keqen ta përpijë.