poezi
nga JOSIF GJATA

Shkruaj një varg e bëje një strofë,
Shkruaj një strofë e bëje një vjershë.
Prite muzën tek troket,
Jepi punës, derdhë pak djersë.
Se pa djersë nuk nxjerr asgjë,
Asnjë gjë nuk ke pa të.
Kur s’punon mbetesh pa gjë,
Vlera e punës shkon me të.
Muza shkon e vjen sërish,
Të zë befas ose hiç.
Kape rastin e bëje rreshta,
Mos rri kot ulur galic.
Bëj rreshta, bëje strofa,
Bëje vjersha dhe poema.
Hap shpirtin si ujëvara,
Shkruaj bukur pa dilema.
Shih natyrën si shkëlqen,
Portën e shpirtit hape shpejt.
Gjithçka që të kap syri,
Derdhë muzën përmbi fletë.