Kurbini, një parajsë turistike, sa afër dhe larg Tiranës-Nga Ymer Hysa

Nga Ymer Hysa
Gazetar

Rrethi i Kurbinit me një sipërfaqe toke rreth 23 mijë hektarë, me një biodiversitet natyror të jashtëzakonshëm, me tokë fushore, me kodrina, me male, me laguna, me vijë bregdetare, me shumë ditë me diell në vit, me reshje të mjaftueshme dhe në mungesë të tyre, me dy lumenj dhe një rezervuar artificial uji për vaditje, me kryeqytetin Tiranë, vetëm 45 km larg, me aeroportin kombëtar, vetëm 20 minuta larg, rreth 60 minuta larg me portin detar kombëtar të Durrësit, apo 30 minuta me portin tjetër detar Shëngjinin, me një vënd të shenjtë si Kisha e Shën Ndoit, ku gjatë vitit dhe të 13-të të martave, vijnë mbi një milion shtegtarë, me një fuqi punëtore të specializuar për prodhimin e përpunimin e produkteve, apo tregëtimin e tyre, është një oaz i madh natyror që prodhon gjithçka që i duhet njeriut.
Si asnjë vëndi tjetër këtu në Shqipëri, Kurbinit natyra nuk i ka falur gjithë këto “privilegje”!. Por s’mbaron gjithçka me kaq.
Në tokën pjellore të rrethit të Kurbinit, që është jo pak, por rreth 10 mijë ha, rriten të gjitha kulturat bujqësore të drithrave, të gjitha perimet e fushës, janë rritur e kultivuar bimë industriale, si orizi, lulja e diellit, kikiriku, pambuku, soja, batha etj. Në fushë e kodër janë kultivuar ndër shekuj drufrutorë të rëndësishëm për jetën, si ulliri, arra, molla, dardha, shega, fiku, rrushi etj., duke krijuar edhe ekotipe të veçanta, si: Ulliri i Gjormit, i Zhejës dhe i Shemrisë, molla e Zhejës etj. Eshtë krijuar ndër shekuj traditë për mbarështrim të mirë për kafshët, si gjedhin, të imtat, derrat dhe shpendët, që janë shquar edhe për cilësinë e lartë të mishit e të qumështit.
Jo më kot, thuhet se dhija e Skurajt, (një nga vëndet me bukuri të rralla natyrore, që breglumi i saj është frekuentuar nga trupi diplomatik para viteve ’90-të edhe për plazh), “ka një brinjë më shumë”, kjo falë cilësisë së lartë të mishit të saj.
I theksova këto, jo thjeshtë si statistika, por në kuadër të tërheqjës së vëmendjes së turistëve, vëndas dhe të huaj, si dhe konsumatorëve, se në Kurbin do gjeni atë llojshmëri produktesh ushqimore si askund tjetër.
Kohët e fundit, kulinaria e rrethit të Kurbinit po merr një emër të mirë në mbarë vendin. Tashmë është kthyer në traditë për njerëzit: “po shkojmë të drekojmë apo kalojmë një fundjavë në Patog”, ku vlerën i’a ka dhënë, jo thjeshtë vendi piktoresk i lagunës (me një florë dhe faun nga më të pasurat në Shqipëri), as thjeshtë luksi i lokaleve të ndërtuara me dru në të dy anët e kënetës që të shpie buzë detit, por në rradhë të parë peshku i egër që peshkatarët zënë në Patog dhe servirja e tij i freskët të konsumatorët. Për të shkuar dhe shijuar të gjitha këto mrekulli në Patok, ditët e javës s’përbën ndonjë “problem”, por në fundjavë, duhet të mendohesh mirë, pasi vështirë të gjesh vend, nëse nuk ke pronotuar më parë me telefon.
Gjithashtu jo pak dëgjohet “po shkojmë te mishi i gicit te kryqëzimi i rrugës së Patogut në Autostradë”, ku çdo ditë, drekave e darkave, do të jenë me qindra klientë që preferojnë mishin e derrit vendas. Jo pak dëgjohet të thuhet edhe “shkojmë te mishi i Kecit në Skuraj”, ku gjithashtu me qindra klientë në ditë, shijojnë cilësinë e këtij mishi, si dhe mrekullinë e rrallë që ka bërë natyra në atë vënd, ku ndahet gjeografikisht rrethi i Kurbinit me Lezhën, Mirditën dhe Matin. Pa shkuar në Skuraj, mund të ndalosh në fshatin, Fushë-Milot, te pulat e fshatit që gatuhen tradicionalisht me qullë e pilaf apo tashmë së fundmi te “Lahuta e Vjetër” agroturizëm në Gjorëm, apo Restorant “Skënderbeu” po në këtë fshat, ku veç ushqimeve tradicionale, do gjeni edhe shërbim të shpejtë dhe kulturë të veçantë.
Po kështu në mbarë vendin, njihen dhe ullinjtë shekullorë të Gjormit, Zhejës dhe Shëmrisë, janë ullinj që rriten në kushte natyrore, ku nuk përdoret asnjë llojë plehu kimik, kimikat apo herbicid. Prodhimi i tyre kokërr, apo dhe vaji i dalë prej ullinjëve të atyre tre fshatrave me histori të lashtë, shitet që në degë, apo që në derë të fabrikës së vajit. I njëjti fenomen ndodh dhe me gështenjën e Selitës, Daulës, mollën e Zhejës etj., ku kurrë nuk përdoret asnjë insekticid apo kimikat. Pothuajse i gjithë prodhimi është i shitur.
U zgjata disi, më shumë për të krijuar idenë, se në Kurbin punohet e prodhohet, resurset e pafundme që i ka dhënë natyra këtij vëndi “pa i’u dridhur dora”, prej kohësh kanë filluar të shfrytëzohen në dobi të popullsisë vëndase, por dhe atyre turistëve vëndas dhe të huaj që sa vinë dhe shtohen.
Në dukje çka thashë më sipër, të krijon përshtypjen sikur janë gjëra që dihen dhe nuk ka ndonjë rëndësi të veçantë, por në fakt nuk është kaq e thjeshtë. Sot kur globalizmi ka përfshirë gjithë botën dhe nuk merret vesh stina në cilën jemi, si pasojë e llojshmërisë së produkteve në treg, është detyrë e kohës nxitja e produktit vendas, jo thjeshtë në kultivimin, por dhe në shtimin e prodhimit dhe cilësisë së tij, jo me stimulantë hormanalë, por me shërbime dhe përshtatëshmëri
A vjen si duhet ushqimi nga ara, stalla, sera, në tavolinat tona, a janë të gjurmuara mbetjet në këto ushqime që ne konsumojmë dhe i hamë pa merak?! Sigurisht që po.
Përvoja ime personale, prej më shumë se tre dekadash në aktivitet bujqësor e blegtoral, si menaxhues, kontrollues e zbatues i masave profilaktike, më ka çuar në konkluzionin që: produktet vendase të Kurbinit, janë bio dhe natyrore. Gjurmuëshmeria është e vazhdueshme, çdo vit hartojmë plan të detajuar inspektimi, plan të detajuar që nga marrja e mostrave për analizime laboratorike, shtuar këtu dhe analizat që bëjnë dhe vetë fermerët. Në asnjë rast në organizmin e kafshës, qoftë ai muskul, qumësht, gjak, gjëndër apo urine, nuk ka rezultuar të jetë mbi normë asnjë mbetje. Po kështu edhe në kulturat bujqësore, perime, fruta, patate etj. Jo më kot vlerësohen të cilësisë së lartë dhe vera e prodhuar në dy kantinat e verës, në Gjorëm e Fushë Milot. Jo më kot në rrethin e Kurbinit, funksionojnë dy baxho qumështi dhe me dhjetra tonë në ditë grumbullohen e dërgohen në fabrikat e përpunimit të këtij produkti në kryeqytet, apo me qindra litra shiten në tregun qytetar të tre qyteteve tona, Laç, Milot dhe Mamurras.
Kushtet klimaterike janë favorizuese për zhvillimin e sëmundshmërisë në kafshë e bimë, por kujdesi i specialisteve ka bërë të mundur që të ndërhyhet në kohë. Këtu pemët nuk spërkatën mbi normë, nuk përdoren preparate të pa liçensuara dhe të pa çertifikuara nga Bashkimi Evropian. Këtu në Kurbin pothuajse janë eleminuar, falë shërbimit veterinar shtetëror dhe privat, sëmundjet infektive të rrezikëshme që transmetohen nga kafsha te njeriu. Nuk kemi asnjë rast të vetëm këto 20 vitet e fundit, që një banor të ketë marrë infeksion nga kafshët për Plasje, Tërbim, Tuberkuloz, Brucelozë etj. Thënë shkurt e qartë, bujqësia në Kurbin është organike dhe natyrale, konsumatorët janë të sigurtë për atë çka hajnë dhe për shëndetin e tyre.
Duke u bazuar sa më sipër, ushqimet e bollshme e të shijshme, tradita e mikpritjes dhe e shërbimit, mjedisi natyror si askund tjetër, laguna dhe mali, kafshët, shpendët dhe gjallesat e tjera të shumta dhe të veçanta, shtuar këto vitet e fundit si rezultat i Moratoriumit të Gjuetisë, duhet të jenë një nxitje dhe tërheqje e vëmendjes së pushtetit vendor e qendror, për zhvillimin e turizmit.
Zonat e mbrojtura, si Laguna e Patogut, Gotulla, Mali i Trolles etj., Kështjella e Daulës dhe e Sebastes, Kisha e Shna Prendes, Shkolla e Parë Shqipe në Kurbin, Mulliri Fallë, Kisha e Shemrisë, Qendra Ipeshkvnore e Delbnishtit, shpella e shkëmbinj, Selvitë e Shëmrisë, Gurrat e Gjormit e të Zhejës, Ulliri monumental i Gjormit, Ujvara dhe Shkëmbi me fytyrë njeriu në Gjorëm, Gështenja e Daules, Frashëri i Skurajt, Lisi i Fush Kuqes etj., e deri te Ura e Zogut mbi lumin Mat, (një monument kulture që mbrohet nga shteti), duhet të kthehen në objekte të vizitueshme dhe të zënë vënd gjithashtu në guidat turistike, si për turistët vëndas, ashtu dhe për të huajt e shumtë që vijnë në vendin tonë.
Kujtojmë se ky vënd për të cilin po flasim, pra Kurbini me keto mrekulli natyrore që i’a ofron vija bregdetare me lagunën e Patogut që është vetëm 5 km. nga autostrada (Rruga e Kombit, Durrës-Kukës) që e përshkon tej e tej duke e ndarë në mes këtë rreth, si dhe malet mbi lumin Mat, ndodhet vetëm 45 km. nga kryeqyteti, 30 minuta nga aerporti i Rinasit dhe 60 minuta nga Porti i Durrësit.
Ky është Kurbini i lashtë, heroik, i shenjtë, me njerëz punëtorë, trima, të besës, mikpritës dhe të dashur. Kurbini që politika nuk duhet ta ndajë, por ta zhvilloje, që politika të mos e drejtojë me militantë, por me njerëz të aftë. Ashtu siç nuk i mungojnë asgjë që natyra ja dha pa kursim, ashtu nuk i mungojnë as njerëzit e aftë e të ndershëm për ta drejtuar e nenaxhuar, për t’ja lartësuar emrin.