Veiz Abazi , një zë poetik mbi tabanin popullor të Kurveleshit



G.Llojdia
1.
Veiz Abazi është një poet që lëvron poezinë me frymë popullore, të mbështetur fort në tabanin e pasur kulturor, gjuhësor dhe shpirtëror të trevës së Kurveleshit. Poezia e tij buron nga një mjedis ku kënga, fjala e urtë, gojëdhëna, zakonet dhe mënyra e veçantë e të shprehurit kanë qenë gjithmonë pjesë e jetës së përditshme. Në këtë kuptim, poezia e kwtij autori nuk qëndron e shkëputur nga tradita, por ushqehet prej saj dhe e sjell atë në një formë të re poetike.Kurveleshi është një trevë e njohur për traditat e saj të pasura kulturore dhe për kontributin që ka dhënë në letërsinë dhe kulturën shqiptare. Nga kjo zonë kanë dalë shumë zëra të njohur, të cilët kanë përcjellë në krijimtarinë e tyre shpirtin e vendlindjes, dashurinë për njerëzit, natyrën, jetën dhe kujtesën e brezave. Në këtë hapësirë kulturore dhe poetike bën pjesë edhe zëri i veçantë i progonatasit Martin Cukallës, duke dëshmuar se nga kjo trevë vazhdon të rrjedhë një traditë e gjallë krijuese.
Një nga karakteristikat më të dukshme të poetëve të kësaj treve është lirizmi, i cili shpesh shoqërohet me një gjuhë të thjeshtë, të drejtpërdrejtë dhe pranë ligjërimit popullor. Kjo thjeshtësi nuk duhet parë si mungesë e mjeteve artistike; përkundrazi, ajo është një zgjedhje që e afron poezinë me lexuesin dhe i jep asaj natyrshmëri e ngrohtësi. Fjala poetike duket sikur vjen nga biseda e përditshme, nga kënga e fshatit, nga gojëdhëna dhe nga kujtesa e njerëzve.
2.
Edhe në poezinë e Veiz Abazit ndihet kjo lidhje e fortë me traditën popullore. Ai nuk kërkon ta vështirësojë shprehjen poetike me një gjuhë të stërholluar apo me metafora të largëta nga përvoja e lexuesit. Përkundrazi, ai ndërton vargun mbi ndjenjën, ritmin dhe figuracionin e kuptueshëm. Kjo i jep krijimtarisë së tij një karakter të afërt dhe komunikues.Në poezinë popullore shqiptare, natyra nuk është thjesht një dekor ku vendoset ngjarja. Ajo është pjesë e botës shpirtërore të njeriut. Zogu, kënga, mali, fshati, dritarja, agimi dhe elemente të tjera të natyrës mund të shndërrohen në simbole të dashurisë, mallit, shpresës dhe kujtesës. Pikërisht kjo marrëdhënie midis njeriut dhe natyrës është një nga shtyllat e rëndësishme të lirizmit popullor.
3.
Është një poezi e shkurtër, me karakter liriko-romantik, e ndërtuar mbi një skenë të thjeshtë natyrore.Dhe është kënga e zogut. Vajza në dritare dhe lindja e dashurisë. Megjithëse përdor fjalor të thjeshtë, poezia ka disa shtresa simbolike interesante, që do themi më poshtë.Por më solli në vete një vegim i largët.

A i keni parë ndonjëherë vashat e jugut në mug, kur rinin penxhere?Nëse ua ka zënë syri?
-Po i kam parë. Eh aso kohe kur vinte vera dhe penxheret, hapeshin kanat më kanat.Fshati mblidhej në muzg nga punët e stinës.Ato ktheheshin gjithë potere e zhurmë. Pastaj hapnin kanatet .Shpresonin të mërinte, aroma e cajit të malit.Por edhe sepse dicka kishin harruar.Ah po ishte ajo shenja e bërë me dorë nga një djalosh, diku përtej…Ajo i gryente natëve dhe po netëve mbetej pa përgjigje…
4.
Si duket edhe te këto vargje ,këngëtari, i paraqitur si zog, këndon para se të agojë, ndërsa vajza pikaloshe dëgjon.Pra kënga është ajo që vjen përmes së cilës dy zemra afrohen. Vargu:
“Foli zemra zemrës, Lindi dashuria.”është në thelb edhe përmbledhja e gjithë poezisë.Me simbolikën e zogut.“Mbreti i këngëtarëve” dhe “fluturaku” mund të lexohen si figura simbolike të zogut këngëtar, por njëkohësisht edhe si metaforë e djaloshit të dashuruar.Ai nuk i drejtohet vajzës me fjalë të zakonshme. Ai këndon. Kënga është gjuha e tij e dashurisë.Kjo e bën zogun një figurë të ndërmjetme midis natyrës dhe njeriut.
5.
Edhe “Vajza pikaloshe” është një figurë e veçantë poetike. Pikalosheja nuk është vetëm një vajzë që dëgjon këngën.Mirëpo ajo përfaqëson bukurinë, ëndrrën dhe ndjeshmërinë femërore.Shprehja:“Ç’e merr me të mirë”i jep poezisë një ton të ëmbël, popullor dhe pak lozonjar. Vajza fillimisht e dëgjon këngëtarin, pastaj gradualisht preket prej këngës.Kënga si “gjuhë e dashurisë”.Pjesa më interesante e poezisë është marrëdhënia midis këngës dhe dashurisë.
Kënga fillon:
“Këndon pa u gdhirë”
dhe më pas:
“Këndon fluturaku, / Këngë për dashurinë”
Pra, kënga nuk është thjesht tingull. Ajo është një mesazh dashurie.
Pastaj ndodh transformimi:“U deh pikaloshja / Nga këngët e tija”
Fjala “deh” është metaforike. Vajza nuk është dehur në kuptimin fizik.Po ajo është pushtuar emocionalisht nga kënga. Këtu kënga shndërrohet në një lloj magjie.
“Foli zemra zemrës”.Ky është vargu më i fuqishëm i poezisë dhe përsëritet në fillim dhe në fund:
“Foli zëmra zëmres”
dhe
“Foli zemra zemrës, / Lindi dashuria.”
Dhe kështu përsëritja krijon një kornizë poetike. Poezia fillon me komunikimin e zemrave dhe përfundon me rezultatin e tij, dashurinë.Është interesante që zemrat “flasin” pa pasur nevojë për fjalë. Kjo është një ide klasike e poezisë së dashurisë.Atje ndjenja mund të komunikojë edhe pa gjuhën njerëzore.
6.
Edhe dicka .Në poezi kemi një personifikim shumë të bukur:“Foli zemra zemrës”.Zemra ajo mjegunajë paraqitet sikur është një qenie që flet.Në kuptimin poetik, kjo nënkupton se ndjenja komunikon drejtpërdrejt me ndjenjën.Edhe zogu merr tipare njerëzore.Dhe ai këndon për dashurinë, i vë synë vajzës dhe përpiqet ta fitojë atë përmes këngës.Poezia ka një rrjedhë të qartë:kënga, dëgjimi ,tërheqja, dehja emocionale , dashuria.
Kjo e bën të lehtë për t’u ndjekur dhe i jep një lloj natyrshmërie krijimit poetik.Gjithashtu, përsëritja e fjalëve “këndon”, “këngë”, “zemra”, “dashuria” krijon një fushë të përbashkët ku tingulli, ndjenja dhe dashuria lidhen me njëra-tjetrën.Dashuria lind atëherë kur dy zemra arrijnë të dëgjojnë njëra-tjetrën.Dhe pikërisht për këtë, vargjet e fundit janë shumë të goditura:
“Foli zemra zemrës,Lindi dashuria.”Ato i japin gjithë poezisë një përfundim të natyrshëm, të ëmbël dhe simbolik.
7.
Poezia.

Mbreti i këngëtarëve,
Këndon pa u gdhirë,
Vajzën pikaloshe
Ç’e merr me të mirë.

Këndon fluturaku,
Këngë për dashurinë,
Vajzës në dritare
I ka vënë synë.

U deh pikaloshja
Nga këngët e tija,
Foli zemra zemrës,
Lindi dashuria.