
Nga Timo Mërkuri
Titulli I librit “Më shkruan vjeshta” i Panajot Bolit të ndal që në fjalën e parë. Jo vetëm për atë që thotë, por për mënyrën si e përmbys marrëdhënien mes poetit dhe vjeshtës. Nuk është poeti që i shkruan vjeshtës. Është vjeshta që i shkruan atij. Dhe pikërisht këtu, mendoj, duhet kërkuar një nga çelësat e poezisë së Panajot Bolit.
Vjeshta e këtij libri nuk është thjesht një stinë. Ajo vjen me ngjyrat e saj, por edhe me një heshtje që njeriu e dëgjon ndryshe kur vitet kanë filluar të lënë gjurmë. Në poezinë e Bolit, natyra nuk qëndron përballë njeriut si një pamje e largët. Ajo hyn në jetën e tij. Një gjethe, një shi, një perëndim, një dritë e vonuar mund të zgjojnë papritur një kujtim.
Kështu, pa e ngritur zërin, poezia e tij merr një ngrohtësi të veçantë. Vjeshta nuk mbetet vetëm në peizazh; ngadalë zbret brenda njeriut. Sjell mallin, kohën, vendet e lëna pas, fytyrat që nuk janë më pranë. Por ajo nuk vjen vetëm për të na kujtuar çfarë kemi humbur. Na kujton edhe çfarë kemi ruajtur.
Ndoshta kjo është arsyeja pse libri “Më shkruan vjeshta” më duket më shumë se një libër për një stinë. Është një bisedë e qetë me kohën. Një bisedë ku natyra herë pas here merr zërin e njeriut dhe njeriu dëgjon veten përmes natyrës. Në fund, mbetet ajo letër e pashkruar plotësisht, ajo që vjeshta vazhdon t’ia lërë poetit në duar.
Dhe poezia nis pikërisht aty.
1.Te Panajot Boli, natyra nuk është vetëm ajo që sheh syri. Ajo merr jetë dhe bëhet bashkëbiseduese. Të afrohet. Të shikon, të buzëqesh dhe të flet në mënyrën e vet. Dhe poeti duket sikur e ka mësuar këtë gjuhë. Prandaj mali, deti, lumi, era, shiu, hëna e lulet nuk qëndrojnë në sfond. Hyjnë në poezinë e tij si qenie të gjalla.
Kjo ndihet bukur te “Mali përballë shtëpisë sime”. Mali e kundron poetin, i shkel syrin, buzëqesh. Pastaj vjen ajo kthesë e bukur, pak si në një kujtim fëmijërie: mali e merr mbi shpinë. Në atë çast, ai nuk është më mali përballë shtëpisë. Është mali i jetës së poetit, i kujtesës së tij.
“Mali përballë shtëpisë sime
Më kundron me druajtje,
Syrin seç ma shkel padashur
Dhe buzëqesh.”f. 107
Edhe te “Kishte etje kopshti im”, kjo afërsi me natyrën bëhet edhe më e dukshme. Kopshti pi, lodhet, merr frymë. Dardhat kanë buzë dhe qeshin, mollët parfumosen. Mund të duket si një lojë e thjeshtë me figurat, por pas saj është një mënyrë e veçantë të parit: poeti nuk e sheh natyrën të ndarë nga vetja. E ndien pranë.
“Kopshti im piu ca gllënjka i etur
Dhe dy grushte hodhi në sy.
[…]
Buzët e dardhave qeshnin
E mollët parfumoseshin.” f. 113–115
Ndoshta këtu është edhe një nga kënaqësitë e leximit të Bolit: natyra nuk shpjegohet, por vihet në lëvizje. Ajo bëhet pjesë e kujtimeve, e dashurisë, e mallit. Dhe kur poeti i flet malit, detit apo kopshtit, në të vërtetë duket sikur po i flet edhe një pjese të vetes.
Kjo e bën natyrën në më shumë se peizazh. Ajo bëhet njëë bashkëbiseduese e ngrohtë.
2. Biseda me natyrën është e vjetër në poezinë shqipe. E gjejmë te tradita romantike, te poezia e vendlindjes, te malli për natyrën dhe te ajo marrëdhënie e bukur ku mali, lumi, hëna apo deti marrin zë njerëzor. Edhe Boli nis nga kjo derë. Por nuk mbetet aty.
Risia e tij nuk është se i jep natyrës jetë. Këtë e kanë bërë shumë poetë para tij. Ajo që ndryshon është arsyeja pse natyra vihet në lëvizje. Te Boli, mali, lumi apo deti nuk janë vetëm shokë të poetit; ata bëhen një mënyrë për të hyrë më thellë te vetja. Natyra nuk është më vetëm peizazh i shpirtit. Ajo bëhet pasqyrë e tij.
Kjo shihet shumë qartë te “Meditoj me lumin tim”. Poeti nuk i drejtohet lumit vetëm për t’i rrëfyer diçka. Ai e vendos veten pranë tij, në të njëjtën gjendje lodhjeje e përmallimi. Lumi dëgjon. Poeti flet me pëshpërima, lumi përgjigjet me gurgullima. Dhe në fund rrëfimi i natyrës bëhet rrëfim i njeriut:
“I flas me pëshpërima, ai me gurgullima. Kuvendojmë gjatë
Me hënën dëshmitare, vetëm ne të tre, deri vonë në mesnatë.” f. 97.
Këtu, mendoj, fillon kapërcimi. Lumi nuk është më thjesht lumi i romantikut; është lumi ku poeti mat veten. Hëna bëhet dëshmitare, ndërsa gurgullima e lumit kthehet në një përgjigje. Natyra nuk e zbukuron ndjenjën; ajo e ndihmon poetin ta kuptojë.
Dhe kjo bëhet edhe më e qartë në një tjetër varg të librit, ku natyra dhe njeriu thuajse shkrihen në një:
“Kish etje kopshti im
Si atë verë të thatë shpirti im…” f. 115.
Këtu nuk kemi më vetëm kopshtin që sillet si njeri. Kopshti bëhet metaforë e shpirtit. Dhe pikërisht në këtë zhvendosje qëndron një nga kapërcimet më të bukura të Bolit: nga natyra që bashkëbisedon me poetin, te natyra që flet në emër të poetit.
3. Vendlindja është gjithashtu një nga ato tema që poezia shqipe e ka mbajtur gjatë pranë zemrës. Te tradita dhe romantizmi ajo shpesh është vendi i mallit, i kujtimit, i fëmijërisë së humbur. Edhe te Panajot Boli rrënjët janë aty. Por ai nuk kthehet në vendlindje vetëm për ta përshkruar. Kthehet për të gjetur veten.
Në poezinë e tij, vendlindja nuk është një hapësirë gjeografike që poeti e lë pas dhe pastaj e kujton me mall. Ajo mbetet brenda tij. Rrugicat, mani, oborri, pjergulla, trasta e gjyshit, borziloku, fotografitë e njerëzve të dashur – janë gjëra të vogla, por pikërisht prej tyre ndërtohet ajo botë që koha nuk arrin ta fshijë.
Këtu më duket se Boli largohet nga një sentimentalizëm i zakonshëm i poezisë së vendlindjes. Ai nuk thotë vetëm “më mungon vendlindja”. Ai e bën mungesën të duket. Kur kthehet prej saj, nuk ndryshon vetëm gjendja e poetit; sikur edhe vendi vetë të ketë pësuar plakjen e vet. Rrugicat ulin kokën, mani dridhet, oborri është thinjur. Vendlindja bëhet kështu një pasqyrë ku poeti sheh edhe kohën e vet.
Kjo ndihet fort në “Kur kthehem nga vendlindja”:
“Hedh në krah trastën e dhirtë të gjyshit tim.
Në të, pak borzilok e fotot e të shtrenjtëve
Mbështjellë me merak me një copë trishtim.” f. 29.
Këtu është kapërcimi që më duket më i rëndësishëm. Trasta e gjyshit nuk është më një objekt kujtese; bëhet një enë e kujtesës. Brenda saj janë borziloku, fotografitë, njerëzit, aroma e vendit dhe “një copë trishtim”. Vendlindja nuk përshkruhet më nga jashtë. Ajo bartet me vete.
Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse kthimi te rrënjët te Boli nuk është kthim pas. Është një mënyrë për të kuptuar se rrënjët nuk mbeten vetëm në tokën ku kemi lindur; ato vazhdojnë të ecin me ne.
4. Koha është një nga temat më të vjetra të poezisë. Që nga poezia tradicionale e deri te romantizmi, ikja e viteve, rinia që tretet dhe kujtimi i asaj që nuk kthehet kanë qenë një burim i pashtershëm i poezisë. Edhe Panajot Boli e ndien këtë kalim. Por ajo që e largon nga një ligjërim thjesht nostalgjik është se ai nuk e sheh kohën vetëm si humbje. Ai e sheh si diçka që ikën nga jashtë, por lë gjurmë brenda.
Te Boli, koha nuk ecën vetëm në kalendar. Ajo shihet në fytyra, në pemë, në shtëpi, në oborre, në kujtime. Vitet plaken bashkë me vendet dhe sendet që kemi dashur. Prandaj një pemë e vjetër mund të bëhet papritur një dëshmi e jetës sonë. Kjo është më shumë se nostalgji. Është përpjekja e njeriut për të gjetur atë që koha nuk ka mundur ta marrë.
Kjo më duket veçanërisht e ndjeshme te “U plak mani im në fshat”. Poeti nuk sheh thjesht një man të plakur. Sheh fëmijërinë e vet duke u larguar. Mani ka qenë dikur “gjysh”, mbret, shok loje; tani është i kërrusur dhe i vetëm. Koha është bërë e dukshme në trungun e tij.
“Kërkoj në xhepat e manit xixëllonjat që fshihja dikur,
Ahere kur hidhnim valle me yjet të zënë dorë më dorë.
Me manin gjysh që luante me ne si fëmijë kukafshehtas,
Me manin mbret, edhe ne banorët e pallatit mbretëror.”f. 86.
Këtu është edhe një nga kapërcimet e Bolit. Ai nuk vajton thjesht atë që ka ikur; e rikrijon përmes kujtesës. Mani i vjetër bëhet arkiv i fëmijërisë. Xixëllonjat që poeti kërkon në “xhepat” e tij nuk janë më aty, por janë ende në kujtesë. Dhe ndoshta kjo është ajo që mbetet kur koha merr gjithçka tjetër: një imazh, një erë, një pemë, një zë që vazhdon të na flasë.
Prandaj te Boli ikja e kohës nuk mbyllet me humbje. Ajo kthehet në kujtesë, dhe kujtesa në poezi. Kjo është mënyra e tij për t’i bërë ballë kohës: jo duke e ndalur, gjë që nuk mundet, por duke shpëtuar prej saj diçka që ende mund të jetojë.
5. Dashuria është ndoshta tema ku poezia tradicionale dhe romantike ka lënë gjurmën më të gjatë. Edhe te Panajot Boli ajo, dashuria vjen me lulet, pranverën, mallin, sytë, buzëqeshjen, mungesën. Por përsëri, ai nuk ndalet te këto shenja të njohura. Ajo që ndryshon është mënyra si dashuria përzihet me botën e tij të brendshme.
Dashuria e Bolit nuk është vetëm një ndjenjë për tjetrin. Ajo shpesh është edhe një mënyrë për të parë veten. Pranvera mund të zgjojë një kujtim, një lule mund të mbajë fytyrën e dikujt, një shi mund të sjellë mallin. Kështu, ndjenja nuk mbetet e mbyllur në një marrëdhënie dashurore. Ajo shpërndahet në natyrë dhe në kujtesë.
Kjo shihet bukur te “Sa herë bie shi”. Shiu nuk është thjesht atmosfera e një dite të trishtuar. Ai bëhet shkak që malli të kthehet. Dhe poeti nuk e fsheh këtë brishtësi; përkundrazi, e lë të flasë thjesht, pa shumë mburoja:
“Sa herë bie shi,
Në supet e shpirtit tim vjen i paftuar
Një çarçaf malli,
Një çarçaf gri.” f. 121.
Këtu është një nga mënyrat me të cilat Boli e kapërcen ligjërimin romantik të drejtpërdrejtë: malli nuk deklarohet, por merr një trup. Bëhet “çarçaf” që bie mbi supet e shpirtit. Dhe më pas kujtimet ulen në piano e luajnë një vals brenge. Dashuria, malli, shiu dhe kujtesa bëhen një gjendje e vetme.
Prandaj intimiteti te Boli nuk vjen nga fjalët e mëdha. Vjen nga një afrim i qetë, nga një detaj, nga një kujtim që papritur hap derën. Në këtë kuptim, ai nis nga tradita e dashurisë romantike, por e çon atë drejt një poezie më të brendshme, ku objekti i dashurisë bëhet edhe pasqyrë e shpirtit të poetit. Dhe kjo e bën ndjenjën më njerëzore, më të prekshme.
6. Nëse deri këtu kemi parë se çfarë e ushqen poezinë e Bolit, këtu lind pyetja tjetër: si e kthen ai gjithë këtë përvojë në gjuhë? Sepse natyra, kujtesa, vendlindja, dashuria dhe malli janë tema të vjetra. Nuk është tema ajo që e bën një poet të ri. Është mënyra si ai e sheh dhe e thotë.
Boli ka një gjuhë të afërt me jetën. Nuk ka frikë nga fjala e thjeshtë, nga një shprehje e zakonshme, nga humori i vogël apo nga një kthesë e papritur. Por brenda kësaj thjeshtësie ai fut figura që e zhvendosin vargun nga rrëfimi i drejtpërdrejtë drejt një pamjeje të gjallë. Kopshti pi ujë, lumi flet, kujtimet ulen në piano, era e merr poetin me vete. Fjala te Boli nuk rri në vend. Ajo lëviz.
Këtu ai bën edhe një kapërcim të rëndësishëm nga poezia tradicionale. Nuk mjaftohet me metaforat e njohura të natyrës apo të dashurisë. Ai i përzien regjistrat, fut në varg bisedën, lojën, ironinë, referencën kulturore dhe edhe një lloj befasie që e prish pak pritshmërinë e lexuesit. Te “Të kërkoj fenerin, Diogjen”, për shembull, figura e filozofit të lashtë vendoset përballë një kërkimi krejt të sotëm. Diogjeni nuk mbetet figurë muzeale; ai bëhet bashkëudhëtar i poetit në shekullin XXI.
Por një nga dëshmitë më të bukura të kësaj poetike është “Një tingull i erës jam edhe unë”. Poeti nis nga një natyrë e trazuar, por përfundon duke u futur vetë brenda saj:
“I zgjas duart erës,
Të endemi në udhëkryqet e botës,
Tjegullat e mykura të shkulim
Mbi gërmadhat e vjetra.
[…]
Një tingull i saj bëhem unë.” f. 79.
Këtu është, ndoshta, një nga shenjat më të qarta të veçantisë së tij: natyra nuk përshkruhet vetëm, por përjetohet deri në shndërrim. Poeti bëhet “tingull” i erës. Kjo e çon poezinë përtej romantizmit të natyrës dhe e afron me një poezi ku kufiri mes botës së jashtme dhe asaj të brendshme fillon të tretet.
Dhe ndoshta kjo është ajo që mbetet si shenjë e Bolit: një gjuhë që nuk kërkon të duket e vështirë, por që, kur e lexon me kujdes, të çon diku më larg se fjala e parë.
Por si përfundim, me gjithë dashamiurësinë time, për mikun tim Panajot Boli do shtoja se:
Panajot Boli ka ecur në bregun e rrjedhës së tradicionalitetit dhe romantizmit. Nuk i është ngjitur shtegut të modernizmit, as atij të postmodernizmit. Por kjo nuk do të thotë se poezia e tij ka mbetur në vend. Përkundrazi. Është si një varkë që ka hedhur spirancën në një pikë të njohur të lumit dhe, ngaqë litari i spirancës është i gjatë, mund të lëvizë në një hapësirë të gjerë rrethore. Afrohet, largohet, por nuk shkëputet nga vendi ku është ankoruar. Provon, kërkon, luan me figurën dhe me gjuhën, sjell në varg natyrën, kujtesën, dashurinë, mallin, por edhe referenca që e zgjerojnë horizontin e poezisë. Megjithatë, gjithmonë kthehet te bregu i vet.
Prandaj risia e Bolit nuk është një thyerje estetike. Është një lëvizje e lirë brenda një hapësire të trashëguar. Ai nuk kërkon medoemos një breg tjetër; kërkon të njohë më mirë ujërat ku ka hedhur spirancën. Dhe ato ujëra nuk janë as cekëta dhe as të varfëra. Ato kanë edhe peshk. Madje peshk të egër, jo peshk rezervati. Është ky peshk i egër, i kapur në ujërat e veta, që Boli na sjell në librin “Më shkruan vjeshta”. Dhe ndoshta aty, në këtë liri të lëvizjes pa e mohuar bregun nga ku nis, qëndron edhe e veçanta e këtij libri.
Faleminderit Panajot!
Sarandë, gusht 2026