
DENIS BUZUKJA, SHQIPTARO-AMERIKANI QË NUK I HARROI RRËNJËT
Mes rreth 22 mijë tifozëve në Beograd, ai hyri me flamurin kuqezi dhe vallëzoi krenarisht, duke treguar se largësia nuk i kishte fshirë rrënjët
Duke shfletuar shtypin dhe duke parë videot e një ngjarjeje sportive në Beograd, më ra në sy një informacion që, të them të drejtën, nuk e dija më parë.
“Në Serbi do të futem me flamurin kuqezi dhe s’më intereson çfarë thonë…”, shprehet kampioni Denis Buzukja, në një intervistë tek Euroniws Albania.
Denis Buzukja, sportist i arteve marciale të përziera, i lindur në Staten Island, New York, me rrënjë shqiptare nga Shkodra, kishte zgjedhur të mos e fshihte identitetin e tij.
Përkundrazi, e kishte mbajtur me krenari.
Ajo që më bëri veçanërisht përshtypje ishte hyrja e tij në arenën e Beogradit.
Mes rreth 22 mijë spektatorëve, përballë një publiku të shumtë serb, ai u shfaq me flamurin kuqezi dhe, para fillimit të përballjes, vallëzoi.
E pashë atë pamje dhe mendova se aty kishte diçka më shumë se një hyrje sportive.
Ishte identiteti që nuk fshihet.
Një djalë i lindur në Amerikë, larg tokës së të parëve, në një arenë të madhe ndërkombëtare, nuk harroi të tregonte se nga vinin rrënjët e tij.
Ndoshta për dikë ishte vetëm një spektakël.
Për mua ishte një mesazh.
Sepse njeriu mund të lindë larg vendit të të parëve, të rritet në një tjetër kulturë, të jetojë mijëra kilometra larg, të flasë disa gjuhë e të ketë një tjetër pasaportë. Por ka diçka që nuk ndryshon me kilometrazhin:
rrënjët.
Ato janë kujtesa e familjes, gjuha e të parëve, emri, historia, zakonet, këngët, flamuri dhe gjithçka që na lidh me atë që kemi qenë.
Prandaj ajo pamje e Denis Buzukjës në Beograd më bëri të ndalem.
Jo për të gjykuar askënd.
Jo për të ngritur barriera mes popujve.
Por për të kujtuar një të vërtetë të thjeshtë:
Të respektosh identitetin tënd nuk do të thotë të mos respektosh identitetin e tjetrit.
Një njeri që e njeh veten, mund ta respektojë edhe tjetrin.
Dhe këtu më vjen natyrshëm lidhja me gjuhën, historinë dhe letërsinë shqipe.
Sepse këto nuk janë thjesht fusha studimi.
Janë shtyllat e kujtesës sonë kombëtare.
Gjuha na ruan zërin.
Historia na ruan kujtesën.
Letërsia na ruan shpirtin.
Nëse i humbasim këto, humbasim pjesë të vetes.
Prandaj e evidentova këtë ngjarje edhe në kuadër të Kongresit Mbarëkombëtar për Gjuhën, Historinë dhe Letërsinë Shqipe, që do të mbahet në Malishevë të Kosovës në datat 19-30 shtator.
Sepse identiteti nuk mbrohet vetëm me fjalë të mëdha.
Mbrohet duke ruajtur gjuhën.
Duke njohur historinë.
Duke lexuar e shkruar shqip.
Duke ua përcjellë brezave atë që morëm nga të parët.
Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye, një flamur i mbajtur nga një djalë shqiptar në një arenë të Beogradit më bëri të mendoj gjatë.
Një flamur mes mijëra zërave.
Një djalë mes mijëra njerëzve.
Një kujtesë që nuk kishte nevojë për shumë fjalë.
Mund të largohesh nga vendi yt, por mos lejo që vendi yt të largohet nga zemra jote.
Sepse kufijtë e shteteve janë në harta.
Kufijtë politikë mund të ndryshojnë.
Kufijtë gjeografikë mund të kapërcehen.
Por ka një kufi që duhet ta ruajmë gjithmonë:
kufirin që na mbron nga harresa e rrënjëve tona.
Denis Buzukja, ndoshta pa e menduar në atë mënyrë, na kujtoi diçka që vlen për të gjithë shqiptarët, kudo që jetojnë:
RRËNJËT NUK I HARRON DOT.
Dhe kur rrënjët janë të forta, edhe degët mund të shkojnë larg.