M’lejo-Vjollca Aliu

Vjollca Aliu

M’LEJO
 
M’lejo t’them se,
zemra jote i përngjan natës pa hënë,
lumit pa ujë e arës djerrinë, 
ke shpirtin e thatë si shkretëtirë.
 
M’lejo t’them se,
je si kënga monotone pa refren, 
si kopshti pa lule mbuluar me therra,
si pentagram pa nota, si minierë pa kristale.
 
M’lejo t’them se,
fjalët tua janë shigjetë e thyer,
shikimi yt i përngjan lakuriqit,
t’arriturat tua t’varura në çantën e kangurit
janë antonim i inteligjencës, meritave.
 
M’lejo t’them se, 
fjalët e mia nuk janë urrejtje, 
as fraza pa fund e pa kuptim,
as çirrje e egër a trillime,
por thirrje për ty, për zgjim.
 
M’lejo të ta them në poezi,
e ti kuptoje sikur të ta thoja në sy,
se ato që s’t’i thash dot dikur,
erdhi koha të t’i them tani.