| Ruzhdi Gole |

TRAZIME
(poe-prozë)
-Gjithë ditën e trazoj me muzikë. Kë trazoj? Zonjën time, gruan … bletë pa thumb. Trazoj të dashurën.
-Të dashurën? Mbizonjë qënka e dashura?
-Ndonjëherë… Muzika më dalldis mua pastaj. Prej saj mugulloj i gjithi.
-Cila muzikë ? Bah, Mendel ?
Ç’t’i thoshja pemës që më pyeti?. Më pëlqen shumë Bet’hoven dhe….dhe Krajka i melodive.- iu gjegja me një gëzim të papritur artistik.
Pema përkuli e tundi një krah të saj. Gjithandej u përhap aroma e pishës. Muzikë. Nga bohçet kërcenin tinguj.
Kërcejnë tinguj?- më pyeti atypati një valë bregu që sapo dëgjoj fjalët e mia.
Vala u mbështet tek trungu. Pas pak sikur u fsheh. Ujiti rrënjët vala?
… Gjithë ditën e trazoj me gënjeshtra nga tonat …
-Trazon me gënjeshtra ti ?- më pyeti pak me droje pema. Pema asnjëherë nuk të gënjen. E g’njejnë papritur. Herë shiu i rrëmbyer, herë krismat. Krismat ia djegin disa drurë pyllit. Vapa e përvëlon sa i dalin brinjët e thara ca degëve e ato bien pa pikë loti mbëdhe.
Pema u skuq aq shumë sa halat e një degë mua m’u dukën sikur i flakëruan.
U pendova që përmenda një fjalë të
rëndë para saj. Ajo veç me të vërtetat e veta krenohet, me rrënjët e saj, trungun, degët. Sa për kurorat ato i fluturojnë. përpjetë të gjelbërta. Ajo rrallë i përmend kurorat e saj, kurse unë, kurse ne… Ne s’lemë kurorë pa fituar në mirëqenie, në të drejtat e njeriut , të qenit e të maces, në bukuritë e bjeshkëve alpine sa disa komshinj ballkanas përreth i kanë mbyllur hotelet dhe teleferikët. Të jetë e vërtetë kjo?
… Kam rënë në dashuri. Oooo, shtatëdhjetë buksh unë dhe paskam rënë në dashuri? Po, po, kam rënë në dashuri i gjithi.
Me kë ? – më pyeti zëri i njohur prej vale.
Me ty jo, – iu gjegja. -Je e vogël. Nuk kam ndërmend të ha dru e të më shqep në dru ati yt … Deti. Edhe motrën tënde të madhe, të cilën unë e shoh kur vjen nga bregu tjetër, nuk mund ta trazoj.
-Atëhere?…
-Atëhere po ta them. Kam rënë e s’kam rënë në dashuri me një violiniste.
Vala u shtriq pak e nisi të valëzojë rrethrrotull.Bohçet nisën të shpërndanin të tjerë tinguj. Nga porti ngjitej lart zëri i Qemal Kërtushës. Por askund nuk dëgjohej ndonjë violinë. Siç dukej violina mua nuk do më afrohej ndonjëherë. Do ta shihja e dëgjoja nga larg, tepër nga larg.
Gjithë ditën e trazoj me muzikë. Bah, Krajka, Kërtusha…
Dita më trazon e trallis mua mes këtij gjelbërimi. Këtu me të dashurën time. Kodra është e dashura ime. Sa e përralltë kjo…
Zbres në qytet. I hap sytë katërsh, veshët më ngrihen vetvetiu përpjetë të dëgjoj sa më shkoqur.
Ç’të dëgjoj? “Urra” andej, “ptu” këndej, “poshtë” andej, “tralala” këndej, “fitore” andej , “vdekje” këndejmi…
Sa lehtë vdesim ne? Sikur jemi kërpudha të pa ujitura.
O kalimtar, i këtushëm ose i rastit, sa herë të ngjitesh e të zbresësh nga kodra mua këtuatje do më gjesh edhe nëse s’më sheh shpejt. Më këqyr mirë. Aty jam me zonjën time gruan … bletëthumb, me të dashurën time përkrah … kodrën.
Ne do ju trazojmë të gjithëve juve me tinguj. Do fati, edhe në qytet do ju trallisim me muzikë të gjelbër e të kaltër.
Asnjëherë përlotje funebre.
Në qytet gjela jemi ne – u krekosën të mjegulltit
Kush jeni ju? – pyetën njëherazi ca zëra.
-Ne mbajmë gjallë tregun, policët,
spitalet. Ne… të padukshmit…
Kandaret e erës tundeshin sa majtas, sa djathtas. Kush peshonin më shumë : të mjegulltit, keqbërësit? Të gjithë njësoj ?!
Turma u tërhoq, u zbyth. Shumë pendë
e kakarisje ranë rrokopjerthi.
Muzika zuri vendin e saj pa iu trembur askujt me sytë pishë s’e mos i afrohej kush fshehtas, papandehur dhe ia qëllonte tingujt me grusht e me shkelma.
O kalimtar po të pyes :
Ne do vdesim shpejt si kërpudhat a do jetojmë gjatë? ..