Kyçet dyerve ia vunë përsëri-Shkurte Berisha

KYÇET DYERVE IA VUNË PËRSËRI
 
 
Kyçet dyerve ia vunë përsëri,
ashtu në heshtje, me nxitim e mall,
mbi pragje ra një tjetër vetmi,
për vendin e vet që e shohin rrallë..
 
Çelësi u rrotullua me një rënkim,
la pas shtëpinë dhe dritat i fik,
drejt rrugëve të botës, në mërgim,
u nisen te gjithë me nxitim duke ik..

 

Nëpër stacione e aeroporte e pafund,
ku destinacionet e reja presin me ftohtësi,
mërgimtari mendjen sërish e përkund,
tek ajo derë që sapo mbylli në shtëpi.

 

Aty ku jetojnë, ku ndërtojnë një tjetër jetë,
ku djersa e ballit u bëhet urë,
mallin për vendin e mbajnë të fshehtë,
por fshirja e rrënjëve nuk bëhet kurrë.
Kyçet dyerve ia vunë përsëri,

dryni i rëndë mbylli një histori,

iku shtegtari në një rrugë tjetër,

po shpirtin e la në shtëpinë e vjetër.
PËRTEJ SMIRËS
 
 
Suksesi im nuk më deh,
 
As pengesat s’më rrëzojnë,
Po ty që pak më njeh,
Pse stomakun ta trazojnë?
Unë ndjek dritën në udhëtim,
Ti numëron se sa u rrita,
Për ty suksesi është dënim,
Për mua është vetëm drita.

 

Unë hedh hapa me durim,
Mbi çdo baltë e thashetheme,
Ndërsa ti pa asnjë qëllim,
Shton në shpirt vetëm probleme.
Ndaj gjej forcë e shih përpara,

Në këtë botë që ka hapësirë,

Se kur ndjek rrugët e mbara,

Çdo njeri jeton më mirë.