Në udhën e fshatit…


Gëzim Llojdia
1.

Posa lë pas kufijtë e qytetit.Ndihetqë në ajër aroma e barit të tharë. Kjo verë, ashtu si ajo që shkoi, ngjan me një copëz Afrike. Pemët duken si trupa të pashpresë. Gjelbërimi ka tutje dhe më thellë. Mbi të gjitha, vetë toka duket e lodhur nga stinët afrikane.
Aty pranë udhës nuk të zë syri këmbë njeriu. Vapa e padurueshme. Fshatrat që shfaqen përreth duken sikur marrin frymë. Dhe banorët duken të heshtur.Sot, në dokumente e media, të gjithëve u thonë “fermerë”.
-Jo, jo, o mik!
-Ne thjesht fshatarë jemi… ma kthyen te ura e Peshkëpisë, teksa po ecja rrugës së lumit dhe i pyeta se si jetojnë fermerët e sotëm.
Fshatar…! Një fjalë e vjetër, e thjeshtë në dukje, por që ende mban mbi shpinë peshën e rëndë të një jete të tërë. Për dikë mund të jetë thjesht një përcaktim sociologjik.Mirëpo por për atë që e jetoi, ishte një botë më vete. Letimotivi i jetës :ishte punë, varfëri, sakrificë dhe shpresa larg qytetit.
Kooperativa dallohej nga ferma shtetërore .Dhe fshati ishte vite të tëra larg qytetit.Dhe jo vetëm në kilometra.Dhe në mundësi.Mjafton arsimin. Fshati kishte kryesisht shkolla të mesme bujqësore.
Qyteti, ofronte gjimnaze, shkolla nafte, mjekësore, industriale e artistike,bujqësore.
Një fëmijë në qytet shkonte në “Shtëpinë e Pionierit”, ku kurset e muzikës, artit, sportit e teknikës i zbulonin e i ushqenin talentin.
Po fëmija i fshatit? Talentin e tij ai e digjte duke mbledhur kallëza gruri.Apo duke u çuar ujë aksionistëve.A i mungonte talenti?Jo nuk kishte ku të shfaqej dhe ku të merrte frymë.
Në qytet kishte klasa zinxhir për çdo lloj sporti:nga futbolli e basketbolli,te çiklizmi, mundja, atletika e noti.Në Vlorë kishte stadium,Pallat Sporti, pishinë etj.
Po fshati? Një fushë e shkretuar e mbuluar nga gjembat e ferrat. Ishte vetëm një gjysmë porte e thyer,javën e fundit . Në qytet funksiononin disa kinema, pallate kulture, godina teatri, trupa estrade teatri, grupe amatore.
Në fshat, kishte vetëm një “shtëpi kulture”. Dhe e fshatrat tërë një godinë që quhej “vatër kulture”.
Televizorin e vetëm ekishte e marr në shtëpi përgjegjësi i kulturës.Dhe të vetmit filma që shfaqeshin:ishin “Zapata”, “Fanfan tulipan” apo filmi shqiptar “Ndërgjegjja”.
Dhe derisa qyteti shfletonte librat e bibliotekave të pasura, fshati mbetet i etur edhe për diturinë më të thjeshtë.Në qytet kishte edhe bibliotekë.Në fshat, libri duhej kërkuar.
2.
Ecuria e jetës matej edhe me diferencën e shifrave. Një punëtor qyteti merrte rreth 200 lekë në ditë.Një kooperativist 50 lekë. Punëtorit të shtetit i sigurohej strehimi,kryesisht në pallatet. Ndërsa fshatari, merrte kredi.Dhe çdo të diel mblidhte miqtë e të afërmit për të ngritur muret.
Po buka? Për shumë familje fshatare, për 11 muaj të vitit buka e përditshme ishte: misri. Qyteti, nga ana tjetër, e kishte të garantuar për 12 muaj, bukën e grurit.
Qyteti kishte rrugë të shtruara,shëtitore, dyqane, shërbime, qendra kulturore e ambiente sportive. Kishte një jetë që rridhte brenda strukturave .
Fshati që pas Luftës së Dytë ngjante sikur mbi të , kishte rënë një bombë.Dhe vetëm një rrugë traktori e çarë mes përmes .
Punëtori i qytetit punonte brenda uzinave, fabrikave. Vetë fshati ishte një “fabrikë e hapur nën qiell”. Fabrika e tij ishte toka. “Muret e saj” ishin horizonti i largët. “Makineritë”, ishin kafshët e punës. Ora e fillimit të punës nuk varej nga sirena e uzinës, por nga lindja dhe shuarja e diellit. Fshatari jetonte e plakej mes shiut e zhegut.
Prandaj, kur thuhej “Eh, fshatar!”, mbase nuk e kuptojmë se pas kësaj fjale fshihej një histori e tërë sakrifice. Fshihej një njeri që nuk ishte as më pak i aftë, as më pak inteligjent e as më pak i talentuar se i qytetit.
Thjesht kishte lindur në anën tjetër të asaj vije të padukshme, që ndante qytetin nga fshati…
Edhe sot madje, ata mundohen shumë, por puna shpesh nuk u jep fryte. Dhe kështu nis një ditë e zakonshme nga jeta e tyre:Ngrihemi herët. Herët i thonë, që në sabah, Kemi ca dele e duhen kullotur shpejt. Më vonë i mbyllim brenda. Merremi me stallën, ujitim perimet, pastrojmë tokën…
Shikojmë qiellin dhe presim shi. Por shiu nuk pyet, gjithmonë për fshatin. As dielli, as tregu, e as çmimi që vendoset diku larg tokës ,ku ne punojmë.
-Po ndonjë libër, lexoni? e pyeta.
-Libër? Çfarë, po tallesh me ne? Ç’e duam? Se mos u bënë çirakë ata, që lexonin… aty ngelën! Nga dy universitete bënë ca djem e vasha për infermierë e dentistë, të gjithë ikin në Gjermani. Ne i përgatisim me taksat tona, kupton ti!
Ata i marrin andej derisa plaken. Edhe varret u mbeten andej…
E kuptova se nuk po fliste vetëm për fëmijët e tij. Po fliste për fshatra të tërë.
Sa më lart të ngjitesh drejt fshatrave të thella, pyetja dhe përgjigja bëhen njësh me heshtjen: shtëpitë mbyllen njëra pas tjetrës. Oborret zërat e fëmijëve.Tokat që punoheshin,mbetur djerrë. Fshatari ,nuk ankohet se nuk do të punojë. Ai ankohet sepse puna e tij e rëndë shpesh nuk i kthehet në jetë.
Ai mbjell. Ujit.Korr. Mbarështon bagëtinë. Rrit fëmijët.Paguan taksat. Dhe në fund pyet: Po për fshatarin, kush mendon?
Të gjithë rinjtë e fshatit ikin.Ikin si te proverbi:”Sheh rrushi,rrushin dhe piqet…
…Në të vërtetë, fshati nuk është një vend jashtë qytetit. Është toka ku prodhohet ushqimi.Dhe kujtesa e një kombi dhe puna e brezave.
-Mbetsh me shëndet, po iki…Më tha.
E pashë të largohej ngadalë. Fshati këtu dhe fshtrata të tërë prisnin sërish njerëzit e vet, që do të ktheheshin për pak ditë nga emigrimi.Mësova se fshatrat gjalloheshin bukur, por vetëm për një ditë .Dhe sa për festën e brezave. Pastaj i kyçnin sërish dyert. Të tjerët vërenin trarët e rrëzuar si ishin katandisur.Dhe të mbytur nga pikëllimi, e mbanin frymën larg…
3.
Nga Vlora deri në Vajzë janë mbi 35 kilometra udhë.Deri te Qafa e Dushkut automobili ecën mirë. Më pas, rruga ndryshon kryekëput. Me kthesa, me ngjitje e zbritje. Shyqyr ,që anës saj janë vendosur ca mbrojtëse metalike!Është e veshtirë, udhë malore.
Por, kur ua përmend këtë banorëve, ata të përgjigjen .
-Epo, shyqyr që e kemi edhe këtë… Pa të do të ishim krejt të shkretuar!
Kjo fjali të mbetet në mendje. Të mësuar me braktisjen, mësohet të gëzohet edhe me pak.Teksa shkel këtë udhë, më vjen ndër mend një ngjarje e trazuar e vitit 1992. Asokohe, ish-zëvendëskryeministri i shoqeruar nga ministri i Punës, D. Shehi, udhëtoi drejt fshatit , në një takim në qendër të Sevasterit Zyrtarët shkuan atje me bindjen se po shkelnin në një bastion të djathtë ku do t’i prisnin me lule e brohoritje.Njerëzve nuk u mjaftonte më vetëm fjala “demokracia erdhi”.
-Përse nuk i keni mbajtur premtimet? e pyetën banorët, pa shumë doreza.
-Çfarë premtimesh? U kthye ministri.Rrugën! Na patët thënë se do ta shtronit me asfalt…
Do t’u sjellim një autobus , siç kishin kërkuar gjatë fushatës.
Por përgjigjja e fshatarëve qe e prerë e pa ekuivok:
– Zoti ministër, s’kemi nevojë për autobus! Djemtë e fshatit kanë blerë vetë dy autobusë. Ne na duhet rruga!
Kur e kujtoj atë episod , më dhemb zemra. Mendoj: sikur rrugët e këtij vendi të ishin shtruar që atëherë.Dhe lidhja me qytetin të ishte bërë më e lehtë, ndoshta edhe braktisja e fshatrave nuk do të kishte marrë këto përmasa katastrofike.Shpopullimi filloi atëherë, kur mungoi rruga,transporti, kur prindi nuk sheh më asnjë të ardhme, kur toka mbetet pa krahë pune .Dhe dyert fillojnë e kyçen një nga një.
Në këtë rrugë ka kaluar edhe kryeministri i vendit, kur ka ardhur për të marrë pjesë në festën tradicionale të Vajzës. Sic bëjnë zyrtaret vijnë per festa,porjo për halle.Por festat janë vetëm festa.Zgjatin pak orë me ahengje, grumbullime njerëzish, muzikë me zë të lartë e ndonjë shishe birrë. Pastaj, dritat e festës fiken, zyrtarët ikin me makinat e zeza dhe njerëzit u kthehen përsëri hallit të tyre.
Dhe fshtarat mbeten përsëri aty…
Dhe me fshatrat që, ditë pas dite, po boshatisen.
Këtu ka ardhur dikur edhe kryeministri, Mehmet Shehu, kur vdiq i ati i Perlat Rexhepit. Dhe askush nuk guxoi ti kujtonte punën e rrugës.Në shtëpinë e Rexhep Sulejmanit, ai u takua me poetin e njohur Ali Asllani. Thuhet se në fillim mezi i dha dorën, por më pas, , e përqafoi. Më vonë, në një mbledhje me zyrtarët e kohës, Mehmet Shehu u tërhoqi vëmendjen të tjerëve duke u thënë:
-Ju nuk keni arritur akoma t’i bëni mirë detyrat tuaja, ashtu siç i bënte dikur Ali Asllani kur ishte Kryetar i Bashkisë në qytetin e Vlorës…
4.
Edhe pse toka u është kthyer fshatarëve prej 35 vitesh, ajo është tkurrur e rudhur shumë. Toka e sotme nuk e ushqen më fshatarin. Dhe kur toka nuk arrin më ta çojë jetën përpara, njerëzit detyrohen të kërkojnë një rrugë tjetër.
E ajo rrugë, pothuajse gjithmonë, të çon jashtë fshatit.Jashtë krahinës. Jashtë Shqipërisë.
Atëherë pyetja e hidhur mbetet pezull mbi këto kodra.A u ndalua ndonjëherë shpopullimi? Apo thjesht u mësuam të jetojmë me të?
5.
Që nga Qafa e Dushkut deri në Vajzë dhe lart e me tej deri ne Smokthine , rruga të tregon menjëherë se ke hyrë në një terren të ashpër malor. Më shumë se vetë rruga, ajo që të bie menjëherë në sy është toka. Posa kalon Qafën e Dushkut, vëren se barërat nëpër kodrina janë tharë. Gjelbërimi pothuajse ka humbur. Për të parë pak gjallëri, duhet të shkosh më tutje, më larg. Sidoqoftë, pikërisht mbi Qafë e Dushkut shfaqen befas dy vreshta …
Dikur, në këtë zonë te Buallarit mbaheshin kryesisht dy kultura bujqësore: gruri dhe luledielli.Toka punohej me krahë e traktorë, mbillej, korrej… Por kur vinte zhegu i përvëluar i korrikut e gushtit, gjithçka thahej për një pikë ujë.Punëtorët e fermes shkonin tutje-tëhu nëpër kodrina me pagure në dorë…
6.
Në udhë ndaluam sërish. Në të majtë të aksit, një fshatar kishte ngritur një strehë. Nën hije kishte rreshtuar prodhimet e pakta të tokës së tij: ca shalqinj të vegjël, pjepra ngjyrë ari dhe domate. Nuk ishte ndonjë treg i madh apo i organizuar. Më poshtë, në fushën e shtrirë të Mavrovës e deri te Lapidari i Drashovicës, edhe tre-katër fermerë të tjerë kishin ngritur të njëjtat streha të varfra.Bostanë të vegjël, pjepra, domate…Të njëjtat pamje përsëriteshin frikshëm buzë rrugës kryesore.
U ndalëm pranë njërit prej tyre dhe e pyeta:
-Më shumë apo më pak se vitet e tjera?
-Ndoshta më pak se në të gjitha vitet …
Pas kësaj përgjigjeje të shkurtër fshihet një histori e gjatë e dështimit të bujqësisë. Këta fermerë dikur mbështeteshin fort te toka. Ajo prodhonte me bollëk grurë, misër, luledielli e kultura të tjera strategjike. Sot, fermerët e kësaj zone nuk kanë më të njëjtin besim te toka. Sot mjaftohen duke mbjellë pak bostan, pak perime e pak jonxhë për bagëtitë. Dhe kaq.Po strategjia shtetërore për bujqësinë? A ka vallë një plan konkret që këto toka të rikthehen përsëri në prodhim intensiv?
A ka një mënyrë, që fermeri të mos punojë vetëm sa për të mbijetuar nga e diela në të dielë?Teksa sheh këtë gjendje, kupton se mungon diçka thelbësore: një rrugë e qartë për ta kthyer mundin e tokës, në të ardhura reale. Ato fusha që shtrihen deri lart në kodra dikur mbanin e ushqenin me mijëra njerëz.
Sot, shumë prej tyre nuk prodhojnë më asgjë. Janë kthyer në kullota e mera të braktisura për bagëtitë e pakta. Toka fusha,dielli është aty. Por njeriu, po mungon.
7.
Në të dalë të fshatit Vajzë ndodhet një lokal i veçantë që vendasit i thonë “Shpella”. Quhet kështu sepse brenda truallit të tij gjendenë shpellë dhe disa guva shkëmbore. Guri, natyra, freskia e ujërave dhe historia e pasur e zonës e bëjnë këtë vend krejt unikal.Edhe poeti, Ali Asllani, i ka kënduar.Teksa hyn brenda, sheh dhjetëra djem të krahinës që drekojnë rreth tavolinave. Të rinj, të buzëqeshur, të veshur me stil, që bëjnë shaka e ngrenë gota bashkë. Në pamje të parë, të krijohet përshtypja e gabuar se fshati po gumëzhin e është plot me rinakë.Por iluzioni zgjat pak.
Ata janë djemtë e zones që kanë emigruar prej vitesh. Sot gjenden të shpërndarë nëpër rrugët e Europës,disa më afër e disa më larg. Kthehen gjithmonë në gusht: për një drekë me fisin, për një kafe për të shkëmbyer pak kujtime…
E pastaj, përsëri rruga.A do të kthehen vallë një ditë këta djem në fshatrat e tyre?
Dikush qesh me ironi. Dikush ul kokën e nuk përgjigjet. Dikush tjetër tregon me gisht nga rruga kryesore.D.m.th. jo?
– Jo, jo, o mik… Si është bërë këtu, s’ka më kthim! Ma pret njëri prej tyre.Kjo përgjigje e shkurtër thotë gjithçka.
Problemi nuk është se ata nuk i duan fshatrat e tyre. Por dashuria e pafundme për vendlindjen nuk mjafton për të ndërtuar një të ardhme.
Duhet një ekonomi e qëndrueshme që t’i lejojë një të riu të thotë me bindje: “Unë do të qëndroj këtu.”
Ata që sot janë ulur në tavolinat janë dëshmia më e gjallë e kësaj drame pa zë. Janë këtu, por vetëm për pak ditë. Pas pak javësh do të marrin përsëri rrugët e botës.Aty kupton se pyetja e vërtetë nuk është vetëm: A do të kthehen më këta djem?
Pyetja që djeg është: Çfarë duhet të ndryshojë në këtë tokë që ata të kenë qoftë edhe një arsye të vetme për t’u kthyer?
…Dhe duke ikur nga fshati duke zbritur poshtë të tjera fshatra të lumit kanë të njëjtën sëmundje.Shpopullimin.Por nuk kanë asnjë recet.Cdo të bëhet vallë?Vetëm një Zot e di….
U ktheva sëbashku me dashurinë për poezin e Ali Asllanit,që njihte një tjetër realitet për fshatin .

…”Ne krye te fshatit ka një deli krua
ujë i tija akull derdhet në përrua,
dhe në krahun tjetër varet nga një mal,
një përrua i rreptë me uturimë e valë.

Mu në mes të tyre bregu Allatoj
dhe shtëpitë e fshatit si fole fajkoj,
Fshati i babagjyshit fshati më i mirë
nga ata që thuhen Labëri e lirë?

Aty ndën shkallë blegërin shelegu
aty përmbi shkallë po gjëmon dybeku
rreth e rrotull lëmit djemtë heqin valle
nën rrap,në hije pleqtë qajnë halle.

Lahure qëndisur bedene-bedene
seç i paska hije asaj protoene.
Asaj protoene me një furk në sqetull
që e therr e që e gris me sy e me vetull

andej disa koce shkojnë në krua
këtej bagëtia varet në përrua.
Me kërrabë në dorë një djalosh,
përmbi sy kësulën,vërshëllim përposh….