Porosia e hënës dhe dy komente

POROSIA E HËNËS

Vetmia ma plasariti gotën
mbi buzë.

Sozia ime
pi e etur përballë meje…

Deti i mëshirshëm
mjekon plagët tona.

Hëna e trembur pëshpërit:
“Mos u përmbyt vetëm!”
Në fyt fle i dehur
kurmi i kësaj nate pagane.

Migel Flor

E lexova “Porosinë e Hënës” të Migel Flor dhe u ktheva edhe një herë te vargu i parë:
“Vetmia ma plasariti gotën
mbi buzë.”
Nuk është thjesht një varg që përshkruan vetminë. M’u duk sikur poetiia e kishte marrë vetminë në dorë dhe e kishte kthyer në një gotë të hollë, aq të brishtë, sa të çahet pikërisht aty ku njeriu kërkon të pijë. Dhe kjo çarje mbi buzë më bëri të ndalem. Sepse ka plagë që nuk duken, por na prekin pikërisht aty ku kërkojmë të flasim, të duam, të pimë jetën.
Pastaj del “Sozia ime”.
“pi e etur përballë meje…”
Këtu poezia më mori me vete. Përballë njeriut nuk është një tjetër. Është vetja. Një vetvete e etur që nuk mund të ngopet, sepse pi nga e njëjta gotë. Vetmia, kështu, nuk është boshllëk. Është një dhomë ku papritur të del përballë fytyra jote.
Dhe në këtë dhomë hyn deti:
“Deti i mëshirshëm
mjekon plagët tona.”
Më pëlqen kjo mëshirë e detit. Është një nga ato raste kur natyra nuk rri përballë njeriut si pamje, por afrohet dhe i vë dorën mbi plagë. Deti bëhet sikur merr mbi vete atë që ne nuk dimë ta mbajmë më.
Por ajo që më mbeti më gjatë është hëna. Jo sepse është hënë, por sepse këtu ajo ka frikë:
“Hëna e trembur pëshpërit:
‘Mos u përmbyt vetëm!’”
Çuditërisht, kjo hënë nuk më duket e largët. Më duket shumë pranë. Sikur të ishte ulur diku në skajin e natës dhe të shihte njeriun që po lufton me ujin e vet. Nuk i premton shpëtim. Nuk i jep ndonjë përgjigje të madhe. Vetëm i thotë: mos u përmbyt vetëm.
Ndoshta këtu është dhe njerëzorja më e thellë e kësaj poezie. Ne nuk kemi gjithmonë nevojë për dikë që të na shpëtojë. Ndonjëherë kemi nevojë vetëm për një zë që të mos na lërë vetëm përballë mbytjes.
Pastaj poetia sjell atë natë të pazakontë:
“Në fyt fle i dehur
kurmi i kësaj nate pagane.”
Nata këtu ka marrë trup. Ka zbritur nga qielli dhe ka hyrë në njeriun. “Fyti” është një zgjedhje e fortë, sepse aty kalon fjala, fryma, etja. Dhe kurmi i natës fle aty, i dehur, sikur gjithë errësira e botës të jetë mbledhur për një çast në trupin njerëzor.
Kur e mbylla poezinë, nuk më mbeti vetëm një pamje. Më mbeti një ndjesi. Ajo gotë e çarë. Ai det që mëshiron. Ajo hënë që trembet. Dhe mbi të gjitha, ajo porosi e vogël që ka peshën e një dore mbi shpatull:
“Mos u përmbyt vetëm!”
Ndoshta kjo është ajo që ndjeva në takimin tim me poezinë e Migel Florit: se vetmia mund të na çajë, nata mund të na dehë, madje edhe vetja mund të na dalë përballë si një i huaj. Por diku, në atë errësirë, ende mbetet një zë që pëshpërit. Dhe nganjëherë një pëshpëritje e tillë është e mjaftueshme për të na kujtuar se jemi ende në anën e jetës.

Timo Mërkuri

Shënim:

Migel Flor
Unë po ndalem tek fotografia sepse ajo thotë gjithçka.. Një portret mes hijeshisë dhe fjalës…
Pra, Migel Flor shfaqet me një hijeshi që nuk kërkon të bjerë në sy, por të mbetet lehtë në kujtesë. Ka diçka të qetë e të menduar në profilin e saj, një buzëqeshje të lehtë që duket sikur vjen nga një botë e brendshme ku fjala gjithmonë merr kuptim.
Syzet e saj të errëta fshehin sytë, por nuk e fshehin dritën e fytyrës, përkundrazi, i japin portretit një nuancë misteri, sikur poetja të shikojë përtej asaj që duket. Flokët e valëzuar, të lirshëm mbi supe, i japin figurës një natyrshmëri artistike, ndërsa qafa e hijshme dhe varëset që prekin kraharorin krijojnë një elegancë të butë, pa tepricë.
Por ajo që e bën më të veçantë këtë portret është kontrasti mes pamjes së brishtë dhe forcës që mund të ketë një grua që shkruan. Poetja dhe prozatorja nuk e merr frymëzimin vetëm nga bukuria e çastit; ajo mbart edhe një kujtesë të largët, atë kujtesë çame që është njëkohësisht mall, histori, rrënjë dhe dhimbje. Ndoshta pikërisht aty buron një pjesë e muzikalitetit të fjalës së saj, nga një tokë e humbur në hapësirë, por e ruajtur me këmbëngulje në kujtesë.
Nëse poezia është mënyra për ta dëgjuar shpirtin dhe proza mënyra për t’i dhënë atij një histori, Migel Flor duket se i ka të dyja këto porta të hapura. Në këtë fotografi ajo nuk është thjesht një grua elegante që buzëqesh para aparatit, ajo është një figurë artistike, mistike që të lë përshtypjen se pas asaj buzëqeshjeje fshihen vargje, personazhe, kujtime dhe shumë rrëfime ende të pathëna.
Një fytyrë që buzëqesh me qetësi, por një shpirt që duket se shkruan me mall.
Kalofsh një mbrëmje të qetë e nderuar..!
Bedri Çera