
Më e çmendur se unë
Kam lakmuar gjithmonë një çmenduri që nuk lëndon askënd!
E di, më ka ikur mosha të çmendem
pa pasur asnjë kufizim mendimi.
Por jam çmendur shumë herë,
kam shkuar në vende ku fluturohej.
Ecur nëpër pyll e zhytur në oqean,
vetëm unë dhe natyra.
Jam çmendur, kam bërtitur me tinguj fillimi,
përpara se bota të më tregonte si të sillesha.
Përqafuar kam erën që ma mbushte shpirtin.
Jam çmendur vërtet dhe askush nuk ishte të më gjykonte,
natyra ishte më e çmendur se unë.
Ndaj mos mi numëro thinjat u shfaqën pa më kërkuar leje, si kam numëruar kurrë!
Eva Gjoni
***
Do më mungojnë hapat e heshtur mbi trotuar, mbrëmjeve në Tiranë
Rreth meje qindra hapa të tjerë që nuk janë në sinkron me hapat e mi!
Eva Gjoni
***
Dimensioni tjetër
Po e bëre, po e dëshirove, nuk është më tradhti.
Nuk ka mbetur asgjë për të humbur,
kufijtë e vjetër janë shembur.
Tjetër gjë është martesa,
ajo nuk ka të bëjë me tradhtinë,
është diçka më e lartë se kaq.
Ndaj mos i vendosni në një peshore për të parë kush anon më shumë,
martesa është diçka tjetër.
Po e bëre, po e dëshirove është e pashmangshme të mos i qëndrosh besnik vetvetes, sepse ky është dimension tjetër!
Eva Gjoni
***
Më duaj sikur jeta të jetë veç një orë
Nuk ka kohë për t’u lodhur e mërzitur
As për të thënë të desha shumë gjatë dashuria e madhe të bën dëm!
Më duaj sikur jeta të jetë një orë që minutat i ka të pakta
Ndaj më duaj fort si i marrë
Mos harro instinkti është natyrë
Nga kemi ardhur unë dhe ti
Gjenezën e këmi nën lëkurë
Eva Gjoni
***
Pret gjithmonë qetësisht një dru i prerë rrëzë rrugës
Ndoshta një sharrëtar do ta ketë harruar,
ndoshta ca duar do ta marrin për të ngrohur fëmijët në shtëpi.
Ndaj pret qetësisht,
çdo njeri do ta kishte zili atë pritjen e tij për t’i shërbyer jetës.
Çdo harrim është dhuratë në destinacionin e ri.
Koha është thjesht një ide tjetër!
Eva Gjoni