Ferma…

Gezim Llojdia

1.

Ka vende që nuk i gjen më në hartat e sotme, por që vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e njerëzve. Kota është një prej tyre. Një qytezë e lindur nga ferma, buzë Shushicës, që për dekada mblodhi njerëz, punë, këngë, ëndrra dhe edhe dhimbje. Sot, pas ndryshimeve të mëdha të kohës, prej asaj bote kanë mbetur gjurmë të shpërndara në peizazh dhe, mbi të gjitha, kujtime. Ky është një rrëfim për atë që ishte dikur Ferma…

2.

Atje në jug, në luginën e lumit Shushica, shtrihet Kota. Dikur një qytezë me një popullsi relativisht të lartë, sot ajo është rrudhur nga largimet masive të pasviteve ’90. Qyteza rurale fshihet pas një kodre, në kthesën përpara Qafës së Dushkut, sikur koha ta ketë vendosur aty për të ruajtur një copëz të së shkuarës.

3.

Ajo erdhi si formim diku nga vitet ’60. Në fillim ishte një fermë blegtorale e NB Llakatundit, ndërsa më vonë mori formën e një ferme bujqësore me emrin “Kanan Maze”.

Në buzë të lumit, rreth 18 kilometra nga qyteti, ndeshim një shembull tipik të krijimit të një zone të re rurale-urbane, ku peizazhi, toka dhe jeta e njerëzve u ndërthurën për të krijuar një lloj të ri komuniteti.

Banorët e ardhur nga zona të Labërisë sollën me vete zakonet, kujtesën dhe mënyrën e tyre të jetesës, ndërsa natyra përreth u bë pjesë e pandarë e përditshmërisë së tyre.

Këtu, lumi Shushica nuk ishte thjesht një shteg i madh ujor që përshkonte luginën. Ai ishte pjesë e jetës. Pranë tij u shtrinë tokat bujqësore, u hapën rrugët dhe u ngritën banesat. Plepat poshte urës përgjatë udhës i jepnin vendit një pamje të veçantë, duke krijuar atë peizazh të gjelbër që sot mbetet një nga kujtimet më të forta të atyre viteve.

4.

Aktiviteti kryesor ishte bujqësia dhe, në një masë më të vogël, blegtoria. Banorët punonin tokat që fermës bujqësore iu dhanë nga tokat e fshatrave të Mavrovës, Vajzës e të tjerë. Toka ishte pasuria e tyre e përditshme, ndërsa puna mbi të ritmonte jetën e gjithë komunitetit.

Ferma e nisi punën me një sektor.

Pas rreth njëzet vitesh jetë, aty buzë lumit dhe gjatë udhës së gjatë , ishin krijuar tashmë tre sektorë.

Buallari, Peta dhe Vllahina.

Tre emra që sot mund të duken thjesht si pika në hartë, por dikur përbënin një botë të tërë pune, njerëzish dhe kujtimesh. Aty zgjohej dita herët, kur fushat mbuloheshin ende nga freskia e mëngjesit; aty niste lëvizja e punëtorëve, traktorëve dhe mjeteve bujqësore. Toka punohej me mund, stinët përcaktonin ritmin e jetës dhe çdo korrje ishte një dëshmi e punës së qindra njerëzve.

Kjo ishte Ferma: një hapësirë ku toka, lumi, puna dhe njerëzit u bënë pjesë e së njëjtës histori.

5.

Dy ndërtesa dykatëshe ishin në fillesë.

Ishin hapat e parë të një qyteze që, dalëngadalë, do të merrte formë, jetë dhe zë.

Kota lulëzoi si një qytezë e vogël në brigjet e një lumi të sertë në dimër dhe të urtësuar në verë. Shushica ndryshonte fytyrë bashkë me stinët. Herë e vrullshme, e ftohtë dhe e zhurmshme.Dhe herë e qetë, e kthjellët, sikur të kishte harruar zemërimin e dimrit.

6.

Kujtoj se në vitet ’70, netët i griste zhaurima e një gjeneratori, i cili sillte vetëm dy orë dritë. Dy orë të vogla, por të çmuara, që për banorët e rinj të fermës kishin vlerën e një feste.

Aq sa të punonte një gramafon me këngë popullore.

Dhe, mes atyre netëve të errëta, tingëllonte një nga këngët më të njohura të kohës, ajo për Selam Musain, heroin e Luftës së Vlorës:

“O ç’u nise, more,

nga Drashovica,

o lule, more Selam lule…

O bëre poshtë, hajde more,

nga Babica,

o lule, more Selam lule…

O me treqind e ca, more komita,

o lule, more Selam lule…

O ç’e zure topin, more,

nga gryka,

o lule, more Selam lule…”

Kënga dilte nga gramafoni dhe përhapej nëpër mbrëmjet e qeta të qytezës. Për pak çaste, drita e zbehtë e gjeneratorit dhe zëri i këngës bashkoheshin me kujtimet e Labërisë. Ishte një botë e thjeshtë, me pak dritë, por me shumë jetë.

Më pas, koha ndryshoi.

6.

Ajo që kishte nisur me dy ndërtesa dykatëshe, u shndërrua në një qytezë me ndërtesa të shumta. Si historia e shumë fermave bujqësore, edhe kjo përfundoi në vitet ’90, kur gjithçka mori një drejtim tjetër.

Në vend të ndërtesave të para, u ngritën rreth 20 pallate banimi shumëkatëshe, duke i dhënë vendit një pamje të re.

Por stinët nuk ndryshuan.Dimri aty mbeti i ashpër, me erërat që zbrisnin nga malet dhe me Shushicën që merrte sërish vrull. Vera ishte e nxehtë, e ndritshme dhe e gjatë, me diellin që rëndonte mbi fushat dhe brigjet e lumit.Mes dimrit të sertë dhe verës përvëluese, mes zhurmës së gjeneratorit dhe këngës së gramafonit, qyteza kishte ndërtuar historinë e saj.

Një histori që sot jeton më shumë në kujtesën e atyre që e përjetuan.

7.

Nuk e zbuste dot vapën e madhe as era e lumit në muzgje. Dielli largohej ngadalë pas kodrave, por nxehtësia mbetej pezull mbi qytezë, mbi rrugët e saj dhe mbi brigjet e Shushicës.

…Atje, buzë lumit, në verë, syri të zinte romet e shportave. Nëpër shelgjishte dëgjoje muzikën e tyre. Tingujt vinin të përzier me zhurmën e ujit dhe fëshfërimën e gjetheve, duke krijuar një atmosferë të veçantë, pothuajse magjike.

Ata vetë vajtonin dashuritë e tyre të humbura. Këngët e tyre ishin të trishta, të dhimbshme, të mbushura me mall. Ç’janë dallgëzimet e hënës së marsit përmbi flokë? Eh, këto motive cigane! Të dhimbshme dhe të bukura njëkohësisht.

Jetonin bashkë në shelgjishte dhe ëndërronin të bukurën, atë që kurrë nuk e kishin parë. Veç në ëndrra. Por që e ndjenin, e kërkonin dhe e prisnin gjithë jetën.

Ajo do të vijë, thoshin. Do të vijë…

Por, në të vërtetë, ajo nuk erdhi kurrë.

Kështu thoshte kënga e tyre .

Kur zinin shirat, ata iknin. Shportat, veglat, këngët dhe kujtimet i merrnin me vete. Dhe shelgjishtja mbetej sërish e heshtur, duke pritur verën tjetër.

9.

Sot kjo qytezë është një fshat rural. Rrugës i kanë hedhur bitum dhe udha për në Labëri përshkohet më shpejt. Shkolla e mesme mban emrin e poetit Ali Asllani, një emër që duket sikur e lidh këtë vend me traditën letrare të Jugut.

Dikur kishte edhe një fushë sportive. Të dielave ajo mblidhte të rinjtë dhe ekipet e zonës në spartakiadat sportive. Ishte një hapësirë e gjallë, plot zëra, thirrje dhe duartrokitje.

Mbi tokën e saj u ndërtuan më vonë godinat e fermes. Aty dikur ishte porta e fermës.

Kishte edhe një shtëpi kulture. Atje shfaqeshin filma, me metrazh të shkurtër ose të gjatë.

Bëheshin festivale folklorike të zonës, mblidheshin këngëtarë e valltarë dhe qyteza merrte për pak kohë një tjetër gjallëri. Shkolla e vjetër ishte mes këtyre ngrehinave, si një dëshmitare e heshtur e viteve që kalonin.

10.

Një histori është edhe kjo.

…Uji i pijshëm atje mbante erë.

Ishte bërë një gërmim për naftë, por në vend të saj doli ujë mineral, që thuhej se ishte i dobishëm për veshkat. Banorët u mblodhën dhe shqetësimi u përhap shpejt.

-Po na helmojnë me ujin! i shkruanin ata qeverisë.

Uji vinte erë veze të prishur. Kishte përmbajtje squfuri. Në të vërtetë, ishte ujë mineral.

Një tjetër paradoks i asaj kohe. Ajo që njerëzit e shihnin si rrezik, mund të ishte në fakt një pasuri e nëndheshme e tokës.

Nëse do t’i themi gjërat siç kanë qenë.Dhe kjo qytezë do të ishte si të gjitha qytezat e tjera të asaj kohe, nëse atje nuk do të ishin strehuar disa familje të larta të pushtetarëve të regjimit.

Por historia e saj kishte edhe një anë tjetër, më të heshtur dhe më të rëndë.

11.

Në këtë qytezë të vogël, gjatë viteve ’70-’80, u internuan kundërshtarë politikë. Njerëz që kishin humbur lirinë e zgjedhjes dhe vendin ku donin të jetonin, u sollën këtu, në këtë cep të Jugut, larg botës së tyre.

Kështu, qyteza e vogël buzë Shushicës mbante brenda saj dy realitete.

Jetën e zakonshme të fermës dhe hijen e një kohe që ndëshkonte mendimin ndryshe.

Nuk i përkiste as dritës, as errësirës.Por kohës i shërbeu, si të gjitha fermat e tjera.Dhe sot, mbeten toka, lumi, dhe kujtesa e njerëzve për të treguar se aty dikur kishte një jetë tjetër.

12.

Nga ajo botë e shkuar kanë mbetur pak gjurmë…

Disa ndërtesa, rrugë të ndryshuara, toka që vazhdojnë të marrin frymë dhe, mbi të gjitha, kujtesa.

Shushica vazhdon rrugën e saj, si dikur.

Në muzg, era kalon mbi plepat dhe duket sikur sjell nga larg një zë, një këngë, një kujtim.

Ndoshta është zëri i atyre viteve kur ferma kishte jetën e saj, me punë, me gëzime, me vështirësi, me njerëz që erdhën këtu dhe e bënë këtë vend shtëpi.

Koha ndryshoi gjithçka.

Ferma u shpërbë, qyteza u tkurr dhe shumë prej njerëzve morën udhën e largimit. Por vendet nuk zhduken krejt. Ato mbeten në kujtesën e atyre që i kanë jetuar.

Dhe kështu, buzë Shushicës, Ferma vazhdon të jetojë si një copëz e vogël e një kohe që iku, por nuk u harrua.