Agim Pipa

***
Gjërat kanë një rend, e dashur…
Mere zemrën time
dhe rikrijo aty
fatet tona, që flenë mbi tokën arbnore…
Pastaj
vrapo drejt fushave me grurë
dhe vadit aty
vetëm lulëkuqet
rreth kështjellëzës së zemrës tënde…
Gjërat,
nuk mund të mplakeshin
para se ti të bëheshe nënë,
para se ti të ribetoheshe se
i vetmi kurm, i vetmi shpirt
ishin kurmi dhe shpirti im…
Por,
a mund plakemi tani zemra ime?
Po, ja kemi mbërritur ditës
ndërsa dielli rreth nesh
përsërit papushim
se ne
jemi dashnorë të përjetshëm…