Pasqyra më flet sonte-Ariel Bella


Pasqyra më flet sonte
me një heshtje
që nuk di të gënjejë.

Përballë meje
më tregon ca thinja mbi flokë,
reflekton ca rrudha pranë syve
dhe më pyet pa zë:
Vallë, e kalove gjysmën e shekullit?

E shoh veten,
paksa e trembur
nga sa shumë kohë paska ikur,
por një buzëqeshje
çel në anën e buzës.

Fëmijët i rrite
dhe u përballove me vështirësi
që dikur mendove
se nuk do t’i kaloje.

Një thinjë —
një gjurmë nate të ikur.
Një rrudhë —
një vuajtje e shënjuar.

Dhe në vështrimin tim
ndihem krenare.
Nuk dua t’i fsheh asgjë
pasqyrës sonte.

Pa makijazh,
pa krem,
fytyra ime flet
në çdo detaj.

Kjo jam unë.
Dhe e them me krenari,
jo me mburrje:
një grua tashmë
e mbushur plot dinjitet,
që di të jetojë me nder.

Një grua
që nuk i trembet viteve,
sepse çdo shenjë në fytyrën e saj
i kujton
se ia doli.