Shkurte Berisha

PIKA E PADUKSHME
Dua të kap një pikë të padukshme,
Ajo lëviz në mënyrë të vrullshme.
Aspak nuk ndalon, as nuk më sheh,
Pranë meje kalon, bën sikur s’më njeh.
Çfarë kam bërë vallë që s’mund ta prek?
Pse nuk ndalon që ta shoh përballë?
Sa më shumë afrohem, ngre një hendek,
Ajo vetëm ecën e aspak nuk ndal.
Nëpër gishta më rrëshqet si erë,
Më ndjek pas në dimër e në verë.
Është hije e shkuar apo kohë që ikën?
Që ma ndez shpresën dhe ma fik dritën.
Më lodhi ky vrap, kjo udhë pa shpresë,
Tani nuk të dua, as hapin s’ta ndjek.
Në mjegullën tënde ti vetëm do mbetesh,
Se pikën që ikën, më s’dua ta prek!