Miltiadh Davidhi

Me erërat e vëndlindjes
Dimri s’më pëlqen në vënd të huaj.
Dua të mbështillem i tëri
Me erërat e vëndlindjes,
E ylberët shumëngjyrësh
Të vëndit tim,
Që dalin si medaljonet më të bukura
Të qiejve, të dashurisë.
Reve t’ua rrëmbeja këmishën
Ngjyrë gri,
E shpirtin melankolikë
Të shirave, të vishja me të.
Fushave, t’ua rrëmbeja zërat
Me tinguj ngricash,
Që me fijet e barit bisedojnë shekujve,
E të shtrihesha mbi ëndrra ditësh.
Maleve, t’ua shkrija dëborën
Me gjakun e trupit tim,
E të ngopeshin përrenjt’ e dëshirave
Të tokës sime,
Nga lindja në perëndim.
E diellit t’i merja pishtarin e ndezur,
E të ngrohesha në flakëza mirësie
Në një vënd ku këndon pëllumbi e kumria;
Dua të jem në vendin tim,
Në këtë dimër të egër me erërat e mia!
Po halli më detyron
Të kyç dyert e ëndrrës e të dëshirave,
E të largohem nga shtëpia.