Arjana Fetahu Gaba
E nëse koha na kthen në pluhur
Mi sill sytë dhe një herë,
jam qërruar.
Mi sill buzët dhe një herë,
jam përvëluar.
Pa atë dashurinë tënde,
jam det i shuar;
si një zog që vjen ndan qiellit,
i dëshpëruar.
Në beson në zemrën time,
kthehu prapë!
Pres pas dere si fëmijë,
që të ta hap.
Në beson tek dashuria,
besomë mua;
s’i kam thënë askujt në jetë,
se sa e dua.
Se ti je vesë mbi shpirt të djegur,
në këtë terr;
pa ty jam pema e dështuar,
që era gjethet merr.
Në këtë rrugë pa ty jam gjunjëzuar,
e nuk po mund;
të dua aq sa s’nxë kjo botë,
deri në fund.
E nëse koha na kthen në pluhur,
nga harresa,
ti je vargu ku shpirtin dha e fundit,
shpresa.