Arben Iliazi

Konflikti ekzistencial mes “të qetëve” dhe “plangprishësve” në poezinë e Bilall M. Maliqit
TË QETËT
Poshtë, shumë poshtë ranë të qetët
U ngritën si uraganë plangprishësit
Në mes tyre ngelet shpresa e veshur
me të zeza
Kah i shohin dritëzat e syve
Gllabërojnë me një të hapur të gojës
Të qetët s’mund të ngrihen
Kur mbi shpinat e tyre fishkëllen kamxhiku
Ata hapërojnë aty ku nuk hapërohet
Rrënojnë edhe atë që nuk rrënohet
Ngritja s’mund të ngrihet në breshëri fjalësh
Të thumbëta që shpojnë tejpërtej
Cipëzën e trashë dhe të hollë të durimit.
Këto vargje i përkasin poetit të njohur nga Presheva, Bilall M. Maliqi, një vëzhgues i kthjellët dhe mendjeftohtë i frymës së kohës.
Kjo përmbysje e rendit moral shënon revolucionin e mbrapshtë kulturor të epokës postmoderne, e cila nga autori perceptohet si një kllapi kolektive, ku “shpresa ka.ngelur e veshur me të zeza”. Çfarë ka ndodhur vallë? Përse autori nuk i këndon idhujtarisë së shoqërisë, por e vë pamjen morale përmbi qënien njerëzore, në një botë polimorfe?
“Plangprishësit” tashmë janë një bllok, një monolit, një pothuaj – specie, që nuk e kanë formën njerëzore, një stoli kallpe e frymës, që nuk mbajnë përgjegjësi në ballafaqimin e tmerrshëm të historisë. Në këto rrethana, për poetin, liria është e pamundur, duke kapërcyer pështjellimin e dëshirave, tiraninë e ideve, anatemën e hedhur nga populistët. Një pështjellim i hareshëm që ngre tërësinë e praktikave kulturore në shkallën e krijimit, për t’i ngulur individët në identitetin e tyre specifik, në të njëjtin rrugëtim kanonik, të piketuar ritualisht në stacione të detyrueshme, ku atakohet progresi.
Në botën tonë të braktisur nga transhendenca, në planetin e trilleve tona, plangprishja është një zakon i rrënjosur fort, në kundërvënie me kulturën e ‘të qetëve”, që respektojnë dinjitetin njerëzor. Kjo përmbysje e madhe nuk i zhduk hierarkitë shoqërore, porse e modifikon thellësisht vështrimin tonë, kundrejt pabarazisë dhe individualizmit.
Bilall Maliqi, poet me gjenealogji dhe kujtesë etnike, një nga ithtarët e multikulturalizmit, ka dhuntinë ta shohë njeriun absolutisht të ngjashëm me njeriun, në një peizazh homogjen, jo si një qënie thjesht fisnore, por si shprehës i identitetit njerëzor, nga buron ekskluzivisht kultura tij. Konflikti ekzistencial mes “të qetëve” dhe “plangprishësve” është konflikt besimesh, kulturash, jo racash.
Poezia ngrihet kundër partikularizmave që shpërfillin larminë e pafund të vlerave njerëzore, të cilat nuk mund të deduktohen nga asgjë idilike, apo nga fëlligështia zanafillore e plangprishjes, në antropologjinë e shkatërrimit të rendit shpirtëror.
Disa nga veprat e autorit:
Rrugëtimi – poezi për të rritur.
Rrugëtim përjetësie – poezi për të rritur.
Gëzim dhe drojë – tregime.
I lutemi Zotit – poezi fetare.
Perëndim i varur – poezi për të rritur.
Kodra e luleve – poezi për fëmijë.
Vula e kohëzezës – poezi për të rritur.
Shtëpia afër pyllit – tregime për fëmijë.
Gërfyejt e shpresës – poezi për të rritur.
Ide të trazuara – intervista me shkrimtarë.
Lutje të lagura – poezi për të rritur.
Mbresa vrojtuese – vështrime letrare.
Hëna flet me lule – poezi për fëmijë.
Hullive artistike – vështrime kritike.
Nën strehën e kujtimeve (SOTTO LA GRONDA DEI RICORDI), poezi shqip -italisht
Në thellësi të ëndrrës – poezi për të rritur.
Aforizma.
Semantika e shtrirjes krijuese – vështrime kritike.
I kthehem ëndrrës – poemë.
Sheshi i fjalëve – poema.
Rrugët e shikimit – Paths of vision poezi shqip-anglisht.
Drithërimë – Tremuratura (poemë shqip-rumanisht).
Këngë zogu – poezi për fëmijë.
Vlerësime – vështrime kritike.
Pikojnë fjalët – aforizma.
Shtigjeve të shpresës-poezi për të rritur.
Vetmi e mërdhirë-proza poetike.
Rrëmbimi Euridikës-poezi për të rritur.
Ëndrra që më dha gëzim-poezi për fëmijë.
Në prehrin e ëndrrës-poezi për të rritur.
Sytë e Erës- poezi për fëmijë.
Shkreptimë dashurie-poezi për të rritur
Blini në Blinishtë-tregime për fëmijë
Pikëpyetje kohës-poezi për të rritur
Lule për kurorë-poezi për fëmijë
Ëndrra e Malit-roman për fëmijë
Ejani të vallëzojmë- poezi për fëmijë
Në kërkim të veprës së profesor Begzad Baliut-kritika, intervista dhe diskutime
Nëpër vepra letrare-vështrime letrare
Në gjumoren e shpirtit-poezi për të rritur
Grushtim kohësh-poezi për të rritur
A ka shtëpi zogu?-poezi për fëmijë
Kalaja e besimit-poezi për të rritur (moralizuese)
Lepurushi i ëndrrës-tregime për fëmijë
Prekje malli (Feeling absence), poezi për të rritur, shqip- anglisht
Degëzim shikimesh, poezi për të rritur.