
Gezim Llojdia
1.
Në një film me temë nga Afrika, një burrë i moshuar thotë: “Dy herë ka rënë shi në jetën time: një herë kur isha dhjetë vjeç, kur u përmbyt gjithë zona, dhe tani.”
Kjo fjali dëshmon, në mënyrë të thjeshtë dhe tronditëse, ashpërsinë e klimës në disa rajone të Afrikës, ku uji nuk është thjesht një burim natyror, por një matës i kohës dhe një kufi mes ekzistencës dhe shkatërrimit. Jeta atje është ndërtuar mbi një përshtatje të dhimbshme dhe të përpiktë me të nxehtin. Atje puna dhe bujqësia nisin në agim ose zhvillohen vonë pasdite, ndërsa heshtja e mesditës paralizon çdo lëvizje nën rrezet përvëluese të diellit. Shtëpitë prej balte, guri e kashte nuk janë vetëm streha primitive, por zgjedhje gjeniale arkitekturore që ndihmojnë në ruajtjen e freskisë, njësoj si veshjet e gjera e të lehta që mbrojnë trupin nga ky zjarr qiellor. Kështu është ndërtuar jeta në këtë kontinent të egër, ku natyra nuk flet me gjuhën e kompromisit. Ajo ose të jep jetë me dorë të shtrënguar, ose ta merr nëpërmjet thatësirës shekullore që çan tokën dhe ther sytë e fëmijëve.
2.
“Zemërimi i Perëndisë” merr këtu kuptimin e tij më të plotë kur njeriu, përballë kësaj gjeografie ekstreme, kupton vogëlsinë e tij dhe varësinë e plotë nga një qiell. Megjithatë, pikërisht në këtë pafuqi lind madhështia e qëndrueshmërisë njerëzore, e cila shndërron mbijetesën në një formë arti dhe në një dëshmi të pashuar se shpresa, ashtu si fara nën dheun e tharë, di të presë shekuj për t’u zgjuar.
3.
Megjithatë, vitet e fundit, ky “zemërim” duket se ka kaluar kufijtë e shkretëtirave dhe ka prekur troje që dikur gëzonin një klimë më të butë.Edhe Evropa dhe Shqipëria po përballen me valë të paprecedenta të të nxehtit, ku termometri ngjitet lart, duke sfiduar çdo normë historike të stinëve.
A thua është zemëruar Perëndia edhe me ne?
A është vërtet i zakonshëm një mot i tillë, ku marsi ngjan me korrikun dhe temperaturat që kapërcejnë 35 gradë Celsius zgjaten për javë të tëra, duke kthyer qytetet në furra dhe fushat në toka të djegura?
Shkenca ngrihet për t’i shpjeguar këto dukuri përmes termometrit të ndryshimeve klimatike, gazeve serrë dhe shkatërrimit të ekuilibrit ekologjik nga dora e njeriut.
Por, përtej grafikëve dhe statistikave, mbetet një ndjesi e pashpjegueshme se njeriu nuk është vetëm fajtori, por edhe spektatori i vogël i një mekanizmi kozmik.
Njeriu ka padyshim përgjegjësinë e tij në këtë katastrofë të paralajmëruar, por universi ruan një kompleksitet që shpesh sillet si një forcë e pavarur, e ftohtë dhe e panjohur.
Atëherë, pyetja mbetet pezull mbi këtë tokë të djersitur.
A është ky një zemërim i Perëndisë, një reagim i vetë planetit që po kërkon të pastrohet, apo thjesht fjala e fundit e një krize ku ne jemi njëkohësisht xhelatë dhe viktima?
3.
Përtej kalendarit të shkencës dhe statistikave të meteorologjisë, historia njerëzore ka ruajtur gjithmonë një memorie të dhimbshme.Kjo memorie e këtyre cikleve, duke i parë ato jo thjesht si anomali të atmosferës, por si sprova të mëdha të ekzistencës.
…Një nga rrëfimet më të njohura i përket koheve biblike e kuranore është ai i Faraonit dhe i profetit Jusuf, ku shtatë vite begatie të jashtëzakonshme u pasuan nga shtatë vite thatësire shkatërruese dhe urie. Ëndrra profetike e shtatë lopëve të majme dhe shtatë lopëve të dobëta u interpretua me mençuri si një paralajmërim për këtë ritëm të pashmangshëm të natyrës.Por dhe duke i dhënë njerëzimit mësimin e parë të madh të menaxhimit të krizave.
4.
Kjo pasqyrë e fatkeqësive nuk jeton vetëm në faqet e librave të shenjtë, por përsëritet me të njëjtën egërsi në analet e historisë botërore.Evropa e vitit 1540 u pllakos nga një thatësirë e jashtëzakonshme ku pyjet u dogjën vetë dhe lumenjtë u thanë.
Në Shtetet e Bashkuara, vitet 1930 sollën fenomenin e njohur si “Dust Boël”, ku stuhitë e pluhurit shkatërruan jetesën e miliona njerëzve dhe detyruan shpërngulje masive. Edhe kujtesa e afërt ruan plagët e valëve vdekjeprurëse të të nxehtit në Evropë, veçanërisht në vitet 2003 dhe 2019, të cilat zbuluan brishtësinë e shoqërive tona moderne.
Tekstet e shenjta i kanë konsideruar gjithmonë thatësirat, vapën përvëluese dhe mungesën e ushqimit si sprova të mëdha të ndërgjegjes njerëzore.
…Në traditën biblike përmendet thatësira e rëndë e kohës së profetit Elia, e cila solli gjunjëzimin e një populli përpara mungesës totale të shiut. Këto rrëfime të lashta, të ndërthurura ngushtë me faktet e hekurta të historisë, ngrenë një pyetje që nuk gjen dot qetësi tek formulat shkencore.
A janë këto cikle të motit thjesht mekanika e ftohtë e planetit tonë? Apo ato mbartin një kuptim më të thellë shpirtëror, një ftesë për reflektim dhe kthim te vlerat themelore të jetës?
Nëse duam të kuptojmë shkaqet e kësaj gjendjeje, duhet të nisim nga një vëzhgim themelor.
Bota ka hyrë në një fazë të re të zhvillimit të saj historik. Ka filluar rendi ri boteror.Shprehja “rend i ri botëror” nuk nënkupton thjesht një ndryshim mekanik politik apo ekonomik, por një transformim të thellë të mënyrës se si njerëzimi kupton pushtetin, besimin, moralin dhe vetë marrëdhënien me të ardhmen.
5.
Nëse një rend i vjetër po perëndon, atëherë është e pashmangshme të pyesim se çfarë po ndodh me institucionet dhe strukturat shpirtërore. Pikërisht këtu lind pyetja mbi zemërimin e Perëndisë, e cila kërkon të shihet jo vetëm përmes thjerrëzës së historisë njerëzore, por edhe në dimensionin e saj metafizik.
Në këtë këndvështrim, energjia nuk është thjesht një nocion fizik, por një forcë e gjallë shpirtërore që lidhet me jetën, lutjen dhe lidhjen e njeriut me Krijuesin.
Fetë historike kanë qenë për shekuj me radhë burim strehimi, orientimi moral dhe shprese. Megjithatë, çdo epokë përballet me sfidën e përshtatjes.
Ka një orë lindje dhe një orë vdekje.
…Çdo yllësi ka një jetë të caktuar.
…Çdo rend botëror në një galaksi mban një cikël të matur ekzistence, shpesh të lidhur me përiudha të gjata prej 3600 vjetësh.
…Cdo galaktikë në këtë mekanikë kozmike, pas kalimit të 11 dimensioneve shkon në fund dhe përplaset me fqinjën e saj për një fillim të ri.
…Çdo grimcë në univers mbetet në lëvizje të pandërprerë.
Shtrohet një pyetje e pashmangshme: a nuk kanë vallë një fund edhe fetë e vjetra pas më shumë se 2000 vjet?A ka fe të përjetshme?
Nëse çdo formë materiale dhe strukturore shuan kandilin e vet për t’i lënë vendin një faze të re, atëherë edhe institucionet e vjetra shpirtërore, kur konsumohen dhe shkëputen nga fryma e gjallë, arrijnë në fundin e ciklit. Ato nuk mund të mbeten të ngrira në kohë, por janë të destinuara të transformohen ose të zëvendësohen nga format e reja të vetëdijes që i përgjigjen ritmit të një universi në lëvizje.
Kur forma e institucioneve mbetet e pandryshuar ndërsa bota rreth tyre evoluon me shpejtësi, lind rreziku fatal që forma të shkëputet nga përmbajtja. Aty besimi shndërrohet në ritual mekanik, ndërsa rituali humbet shpirtin e tij të brendshëm.
Kur energjia e dikurshme e lutjes nuk prodhon më të njëjtin ndikim në moralin e shoqërisë, pyetja bëhet e dhimbshme: ku ka humbur ura lidhëse mes besimit dhe veprimit të vërtetë?
Ndoshta përgjigjja duhet kërkuar vetëm në horizontin e qiellit, por edhe në pasqyrën e shoqërisë sonë.
Bota vazhdon të udhëhiqet në shumë raste nga elita të korruptuara dhe struktura që i përkasin një kohe të perënduar.Por edhe n institucionet fetare vuajnë nga mungesa e një përgjegjësie të gjallë morale.
Ndërkohë, vetë natyra përgjigjet me thatësira të gjata, valë përvëluese të nxehtit dhe stuhi apokaliptike që formojnë një tablo globale të cilën shkenca e shpjegon me ngrohjen globale, por që shpirti njerëzor e ndien si një kambanë alarmi.
Në këtë dinamikë kozmike, çdo rend botëror mban ritmin e vet, duke përfshirë cikle të gjata kohore ku gjithçka është në lëvizje të pandërprerë.
Nëse besojmë se çdo gjë në univers qeveriset nga lëvizja atwhere duhet te besojmw se dhe strukturat e vjetra e kanw mbyllur ciklin e tyre.
Atëherë pyetja shtrohet pa doreza: kur do të shporen elitat e korruptuara dhe kur do të ikin fetë e vjetra që e kanë kryer misionin e tyre?
Ajo që quhet e vjetër dhe e konsumuar ka tashmë një fund të pashmangshëm, për t’i lënë vendin një forme dhe energjie të re.
Prandaj, pyetja e fundit nuk është thjesht: “Kur do të qetësohet moti?”
Është një pyetje shumë më rrënjësore: “Kur do të qetësohet zemërimi i Perëndisë?”
Përgjigjja nuk vjen thjesht nga ndryshimi i ftohtë i klimës apo nga koha që kalon vetvetiu. Ajo kërkon shembjen e kalbëzimit, rënien e strukturave që e mbajnë njerëzimin peng të së shkuarës dhe lindjen e një ndërgjegjeje të pastër.
Dhe nëse zhduken këto pengesa të rënda, a do të vijë qetësia? Përgjigjja është patjetër.
Çdo rend i ri kërkon një vetëdije të re. Nëse ky “zemërim” është metafora e një ekuilibri të prishur mes njeriut, natyrës dhe hyjnores, atëherë qetësia nuk do të zbresë thjesht nga lart, ajo duhet të fillojë të ndërtohet këtu.Pra fillon nga toka, përmes pastrimit të guximshëm të çdo gjëje që e ka mbajtur shpirtin njerëzor në errësirë.