Migel Flor

NA PËRDOR POR MOS NA PËRÇA
“Si janë shqiptarët?
Njashtu siç i do hasmi.”
(Gjergj Fishta)
Ka disa shkrime e provokime që nuk i zgjedh. Të zgjedhin ato ty… Ky është njëri prej tyre. Nuk doja ta shkruaja këtë esse. Madje, do të preferoja te hesht..Por disa mosflitje kur prekin gjuhën, identitetin dhe dinjitetin bëhen bashkëfajësi. Dje, në messenger-in tim, hyri një poete shqiptare me kombësi greke. Nuk më përshëndeti. Nuk pati një bisedë. Më dërgoi thjesht një material nga YouTube: një dokumentar të një historiani grek mbi vendosjen e çamëve në Greqi. Si material historik, si opinion, si interpretim, si dokument, si provokim apo si diçka tjetër kjo është çështje më vete. Ajo që më bëri përshtypje ishte diçka tjetër. Kjo zonjë ndërton karrierën e saj poetike mes shqiptarëve. Përkrahet nga shqiptarë. Ka rrethin e saj poetik. Ndiqet dhe përgëzohet nga qindra njerëz që e quajnë veten patriotë shqiptarë. Dhe pikërisht për këtë arsye, pyetja ime nuk është personale, nuk është historiko politike. Është kulturore. Është morale. Është letrare. Unë nuk besoj se në poezi mund të hysh me një gjuhë dhe të dalësh prej saj me një tjetër identitet. Unë nuk merrem me politikë. Nuk flas për kufij.
Nuk ndaj Shqipërinë në fe, krahina apo ngjyra politike. Nuk kam nevojë të zgjedh mes Veriut dhe Jugut, mes Kosovës dhe Tiranës, mes Shkodrës dhe Korçës, mes Çamërisë dhe Labërisë. Unë jam Shqiptare. Dhe për mua kjo do të thotë se jam edhe Kosovare, edhe tiranase, edhe shkodrane, edhe korçare, edhe gjirokastrite, edhe sarandjote, edhe tepelenase, edhe konispolate, edhe dropullite edhe delvinjote. Shqipëria ime nuk është një hartë që unë nuk e shpalos sipas interesit. Është një gjuhë e imja. Është një kulturë. Është një dhimbje e përbashkët. Është një nënë. Dhe mbi të gjitha është një NE.
Unë u edukova në shkollë nga profesorë shqiptarë të ardhur prej krahinash, besimesh e shtresash të ndryshme. U rrita mes njerëzish që quheshin Miço, Kiço, Eda, Hane, Albana, Fatime, Eleni, Valbona dhe askush nuk më mësoi t’i shihja si më pak shqiptarë apo më shumë shqiptarë për shkak të emrit, fesë, prejardhjes apo krahinës. U rrita në një rend ku, në shumë raste, minoritetet kishin të drejta që unë nuk i ndieja si të miat. Por unë nuk e ktheva këtë në urrejtje ndaj tyre. Përkundrazi. Mësova të bashkëjetoj. Mësova të respektoj. Mësova se tjetri nuk bëhet armik vetëm sepse është ndryshe. Prandaj nuk më intereson çfarë kombësie ka një poet. Më intereson çfarë bën me gjuhën. Më intereson çfarë thotë kur prek plagët e një populli.
Më intereson nëse arti i tij ndërton ura apo hap hendeqe. Dhe këtu nis shqetësimi im. Opinioni për Çamërinë është i lirë. Çdokush mund të ketë mendimin e vet. Por liria e mendimit nuk e shndërron çdo mendim në një të vërtetë. Dhe aq më pak nuk i jep të drejtë askujt të nënvlerësojë një komunitet njerëzor, historinë e tij, dhimbjen e tij apo inteligjencën e tij. Poezia nuk është gjykatë historike. Por poezia ka një atdhe. Dhe unë shkruaj shqip. Pa dekor. Pa kostum. Pa pasaportë letrare.
Shkruaj shqip sepse jam krijuese Shqiptare. Dhe kur jam në Greqi, them kalimera sepse respektoj tokën ku jetoj, gjuhën e njerëzve mes të cilëve jetoj dhe kulturën që më rrethon. Por kur shkruaj poezinë time, unë kthehem te shqipja. Te gjuha ime. Te ajo që më ka formuar. Te fjala që nuk ka nevojë për përkthyes brenda shpirtit tim. Ndaj më duket e çuditshme kur dikush ndërton një identitet poetik shqiptar, ushqehet nga vëmendja e lexuesit shqiptar, rrethohet nga kolegë shqiptarë, përdor gjuhën shqipe si hapësirë krijuese dhe, ndërkohë, sjell në atë hapësirë materiale që prekin pikërisht plagët e një pjese të këtij kombi, pa asnjë fjalë shpjeguese, pa asnjë dialog, pa asnjë përgjegjësi njerëzore. Nëse kjo është thjesht një çështje historike, le ta diskutojmë si histori. Nëse është opinion, le ta quajmë opinion.
Nëse është provokim, atëherë pyetja bëhet edhe më e thjeshtë: Pse duhet poezia të bëhet vegël e provokimit? Një poet nuk bëhet më i madh duke e ndarë lexuesin e vet. As duke e ushqyer me dyshime ndaj një pjese të tij. As duke përdorur plagët e njerëzve si material për të krijuar vëmendje. Kjo nuk është çështje e majtë apo e djathtë. As çështje feje. As çështje krahine. As çështje kufiri. Është çështje karakteri. Dhe karakteri i krijuesit duket pikërisht aty ku ai mundet edhe të heshtë por zgjedh të mos e bëjë. Ndre Mjeda e ka thënë shumë më bukur se ne të gjithë: “Gegë e toskë, malësi e jallia, janë nji komb, m’u da s’duron; fund e majë nji asht Shqipnia, e nji gjuhë t’gjith na bashkon.”. Kjo nuk është vetëm poezi. Është një mendim, eshte monument kulturor. Është një përgjigje ndaj çdo përpjekjeje për ta kthyer gjuhën në armë apo kufi.
Unë nuk dua të më bindë askush se duhet të urrej. Nuk dua të më mësojë askush kë duhet të përjashtoj. Nuk dua të më ndajë askush nga shqiptari tjetër. Unë jam rritur duke i parë shqiptarët si një familje të madhe, me dialekte, besime, histori dhe plagë të ndryshme. Mund të jesh poet me kombësi tjetër.
. Mund ta duash shqipen. Mund të kesh miq shqiptarë. Mund të bësh karrierë në një hapësirë shqiptare. Por atëherë duhet të kuptosh edhe peshën e fjalës që përdor. Sepse Shqipja nuk është vetëm një gjuhë. Është gjak. Është nënë. Është mërgim. Është Kosovë.
Është Çamëri. Është Shkodër. Është Korçë. Është Tiranë. Është Gjirokastër. Është çdo vend ku një shqiptar ka thënë dikur: “Kjo është gjuha ime”. Prandaj, zonjë e nderuar, nëse ke problem me çamët, me historinë e tyre, me kujtesën e tyre, me mënyrën si e përjetojnë identitetin e tyre, mbaje atë opinion. Është e drejta jote të rritësh bar të keq në kopështin tënd. Por mos e kthe gjuhën time në minë për të shembur urën e kulturës e të dashurisë njerëzore. Mos na përdor si audiencë. Mos na përdor si treg letrar.
Mos na përdor si dekor patriotik. Dhe mbi të gjitha…. Mos na përça. Unë nuk shkruaj shqip për t’i ndarë shqiptarët. Shkruaj shqip sepse nuk dua të harroj se sa shumë shqiptarë kemi brenda kësaj fjale. Dhe nëse poezia nuk arrin të na bëjë më njerëzorë, atëherë çfarë mbetet prej saj? Na përdor nëse kështu ta kërkon karriera. Por mos na përça.
Gjuha shqipe është shumë më e madhe se çdo interes.