Magma
Një zë i ri poetik lind në tri gjuhë: italisht, shqip dhe anglisht
Bruksel – Prishtinë, 2026 – Një krijesë e re poetike merr formë përmes tri gjuhëve dhe një gjuhe të vetme universale: asaj të shpirtit. “MAGMA” titullohet përmbledhja e re poetike e Giusy Nisticò, botuar nga Shtëpia Botuese Bogdani, me seli në Bruksel dhe Prishtinë, e drejtuar nga shkrimtari, poeti dhe përkthyesi me famë ndërkombëtare Jeton Kelmendi.
Vëllimi shënon një etapë të re në rrugëtimin poetik të Giusy Nisticò, e karakterizuar nga një poezi e fuqishme dhe introspektive, ku emocionet, kujtimet, dhimbja, shpresa dhe dëshira për liri takohen përmes imazheve simbolike dhe një fjale që di të depërtojë thellë në botën e brendshme.
Një rëndësi të veçantë ka zgjedhja për ta realizuar veprën në tri gjuhë: italisht, shqip dhe anglisht, duke krijuar kështu një dialog poetik që kapërcen kufijtë gjuhësorë dhe kulturorë.
Përkujdesja editoriale e vëllimit dhe përkthimi në gjuhën shqipe janë realizuar nga poetja, shkrimtarja dhe përkthyesja Anila Dahriu, e cila ka shoqëruar projektin në dimensionin e tij editorial dhe ndërkulturor.
«Poezitë e Giusy Nisticò janë udhëtime të vogla në shpirtin njerëzor, ku kujtimet, emocionet dhe mendimet ndërthuren me imazhe të gjalla dhe simbolike. Çdo poezi e fton lexuesin të ndalet, të shikojë brenda vetes dhe të njohë forcën dhe brishtësinë që bashkëjetojnë në zemër», shkruan Anila Dahriu në shënimin e saj hyrës.
Në versionin shqip, poezia e Nisticò ruan dimensionin e saj intim dhe, njëkohësisht, universal. Përmes metaforave si uraganet e heshtura, dhomat e zemrës, ylberët, gjethet dhe trenat, autorja përshkon disa nga temat e mëdha të ekzistencës: kohën, kujtesën, ndarjen, ndryshimin, kërkimin e vetvetes dhe shpresën.
Vetë titujt e poezive — “Fjalët”, “Dhomat”, “Çaste”, “Treni”, “Gjethet”, “Dora” — përvijojnë një udhëtim të ndërtuar mbi imazhe të përditshme, të cilat shndërrohen në simbole të përvojave thellësisht njerëzore.
Te “Fjalët”, fjala poetike merr forma të ndryshme: mund të thahet sapo lind, të ushqejë në heshtje tokën ose të shpërthejë si një rrufe që ndriçon qiellin. Te “Dhomat”, zemra shndërrohet në një hapësirë të brendshme të ndërtuar me mure, rezistenca, kujtime dhe emocione.
Treni përfaqëson nisjen, pasigurinë përballë së panjohurës dhe ndarjen. Valixhet bëhen mbajtëse të melankolisë, ndërsa përqafimet dhe puthjet ruajnë për një çast atë që po lihet pas. Gjethet, në fund, tregojnë ndryshimin dhe nevojën për t’u lëshuar pas rrjedhës, ndërsa “Dora” bëhet një gjest afërsie, përkëdheljeje dhe rilindjeje të shpresës.
“MAGMA” paraqitet kështu si një vepër e ndërtuar mbi lëvizjen e emocioneve: nga plaga te kujtesa, nga brishtësia te qëndresa, nga heshtja te fjala.
Zgjedhja e botimit në tri gjuhë përfaqëson gjithashtu një element të rëndësishëm të hapjes ndërkombëtare. Italishtja, shqipja dhe anglishtja bëhen tri mjete përmes të cilave poezia e Giusy Nisticò mund të takohet me lexues të kulturave të ndryshme, duke ruajtur të paprekur dimensionin e saj më autentik.
Një projekt editorial që lind nga bashkëpunimi mes Giusy Nisticò, Anila Dahriu dhe Shtëpisë Botuese Bogdani, nën drejtimin e Jeton Kelmendit, dhe që i beson poezisë detyrën për të ndërtuar një urë mes gjuhëve, kulturave dhe ndjeshmërive.
Sepse, siç sugjeron edhe vetë natyra e MAGMA-s, nën sipërfaqen e fjalëve vazhdon të jetojë një materie e zjarrtë: ajo e emocioneve.
POEZITË NGA “MAGMA”
1. FJALËT
Ka fjalë që thahen sapo lindin dhe bëhen grimca (dromca); të tjera ushqejnë tokën si një pleh i heshtur dhe shpërthejnë papritur si rrufetë që ndriçojnë qiellin.
Ka fjalë që shkëlqejnë si ylberi, rrezatojnë udhët kristal. Madje, ka edhe fjalë të pëshpëritura në heshtje, si zhurmë pa zë, e paqme në erë, që zotërojnë për të rikthyer paqen nëpër udhëtimet drejt udhëve të reja.
2. DHOMAT
Dhomat e zemrës rrëzuar me mure të holla të besimeve dhe të kufizimeve, jehonat që ndërthuren me rezistencë të lashtë, madje me aftësinë
të shkëlqejnë ekselencat si yje në natën e qetë, bërtasin, ngrihen, rebelohen, nuk dorëzohen.
Dhe pastaj, në kor pjesëmarrjesh, si një lidhje nyjesh të pranishme,
“teksa koha e distilon ngadalë”
në fragmente emocionesh,
të cilat, të kthjellta, ndërsa koha sheshon pa hezituar gjithçka.
3. ÇASTE
Çastet e lumtura janë si pënde të buta dhe të përkohshme, si era, teksa i shpie larg.
Megjithatë, edhe pse arratisen gjatë udhës, lënë gjurmë ndjenjash, madje kujtime të pavdekshme që as koha nuk mund t’i fshijë.
4. TRENI
Pret treni me padurim në stacionin madhështor. Një tis mjegulle mbulon shpirtin e udhëtarëve në nisje: pasiguri dhe dhimbje, frika e të panjohurës, tmerri përballë gabimeve, ndërsa valixhet mbushen përplot me melankoli, duke shtrënguar fitimet, ndërkaq arsyeja bëhet forcë.
Janë mjaft fytyra gati të hidhen, për të rrëshqitur nxitimthi pa u ndalur kurrë. Përqafimet dhurojnë ngrohtësi, pllakosin dashurinë një çast. Puthje të zjarrta lënë mbi buzë një ëndërr të varrosur.
Madje, nëpër vagone, mendimet ngjitur tek dritaret vëzhgojnë përreth kufijtë, për t’i dhënë frymë fatit të tyre.
5. GJETHET
Kaher jemi si gjethet: në pjekurinë e tyre ndryshojmë ngjyrën, dhe shkëputemi nga dega në çastin e duhur, për t’u lënë të tërhiqemi nga era, të lira dhe të lehta.
Përtej frikës dhe çdo pengese, nuk hezitojmë të kërkojmë përgjigje;
shijojmë shijen e jetës mes zhgënjimeve dhe fitoreve, mes rrëmujës gëzimeve, dhe emocioneve.
6. DORA
Është si një ledhtim i etur i një ndjenje të vjedhur.
Komponon harmoni, ekzekuton simfoninë. Është një tingull i ekuilibruar, i përsosur, shëron çdo të metë.
Me buzëqeshje shkrin shpirtin e thyer, madje ngadalë i ripërtërit shpresën, duke rilindur.
Një përkëdhelje e ëmbël mbulon mungesën, largon hijen e dekadencës. Ftohtësia, diferenca, nuk kanë më zë.