
Namik Selmani
Pas supeve të mi është porta
Pas supeve pak të rënë është ajo, porta
Një shi udhësh më thotë që ta hap me këmbë.
Ani se mollëza fort po më drithëroka.
E guri i pragut të vetmuar është dhe më i rëndë.
Mos e kam sjellë këtë portë tej, nga qiej e nga dete?
Ballëdjersitur, flokëlëshuar nga dremitja e lodhja.
Ohh, hapmani portën e më jepni thërrime jete!
E pas krahëve të mi le të mbesë mes dritash bota.
Më mungon sot një buqetë me lule të freskëta
A janë vaditur vallë në vitet kur kam munguar?
Ohhh, hapmani portën, e më jepni vrulle te jeta
Mbase dhe të më këndoni ninullën e ëndërruar!
Hapmani portën
Hapmani!!!!
Dikur…
Dikur mungonte ujësjellësi e mbushnim ujë në krua.
Mungonte dushi e laheshim të gjithë me kova.
Mungonte makina e pas kuajve hapat ishin të nxituar.
Sikur kishim hipur në raketat më të reja që ka bota.
Dikur belbëzonin fjalë, po dot nuk I kemi shkruar
Mungonte mikrofoni e kërkonim jehonën te mali.
Fëmijët flinin në djepe druri duke i ninulluar
Tani u vëmë këngë të huaja me celularë te shtrati.
Dikur mblidhnim thërrimet me duar e i hanim.
Mbase nga varfëria apo nga porosia e gjyshes?
Tani pjatën më të mirë e ruajmë për macet te gardhi.
E lotojmë si fëmijë kur një ditë na sëmuren.
Dikur mbulonim arnat me duar te pantallonat e grisura
E ndanim bukën me shokët rrëzë portokalleve
Në lojërat që bënim me fëmijë te rrugica
Dielli terratisej i trembur më vonë tej maleve.
Dikur linim hapur dyert e shtëpive, kotecët, zahiretë.
E pjatat e gjellës ndërronim me fqinjin çdo pasdarke.
Tani vëmë dyer të blinduar me çelsa sekretë
E I vëzhgojmë nga kontinentet me kamera dixhitale.
Dikur skuqeshim nga dashuria si zjarr kuqëlor.
Kur preknim duart, ah, të na shihnit buzëqeshjet e arta
Tani avokatët më të shtrenjtë për divorcet kërkojmë
Sherrohemi me plumba dhe për një gardh me shkarpa
E dikurshmja na bëka pak nostalgjikë
Teksa e sotmja na fut në sinorët magjikë.