RICHARD DAWKINS DREJT LETËRSISË

-Nga “Gjeni Egoist” tek romani shkencor-
Pesëdhjetë vjet pas botimit të “Gjenit egoist” (The Selfish Gene, 1976), biologu evolucionist britanik Richard Dawkins ka njoftuar se po shkruan romanin e tij të parë fantastiko-shkencor. Shkencëtari 85-vjeçar, autor i 19 librave, e bëri të ditur këtë gjatë një bisede me studentë në Seul. Ai tha se sfida kryesore mbetet profili dhe njësimi i personazheve të romanit në proces.
Ky rrëfim më kujtoi përpëlitjet e pagjumësinë e shkrimtarëve përballë krijesave të tyre letrare. Në “mokrën” krijuese, personazhet e fantazuara në një moment sikur “marrin pushtetin” dhe jo rrallë ndodh e papritura.
Megjithëse Dawkins i ka kushtuar jetën botës së gjallë, ai e sheh ndërtimin e personazheve si një sfidë të veçantë. Me stilin e tij të qartë, pranoi se protagonisti i romanit ngjan me vetë autorin. Ky pohim, i mbështetur edhe nga miqtë dhe inteligjenca artificiale, hap një debat interesant mbi identitetin e autorit dhe natyrën e krijimtarisë.
Kalimi i një prej komunikuesve më të njohur të shkencës dhe ateizmit drejt letërsisë, dëshmon mundësinë e saj të pashtershme. Romani i pritshëm fantastiko-shkencor i Dawkinsit, që të kujton shkrimtarin tonë Alqi Kristo, pritet të tërheqë vëmendjen si për temën, ashtu edhe për autorin. Lexuesit do të duan të shohin se si një mendje e ndritur në fushën e evolucionit biologjik do të mund ndërtojë një botë letrare interesante.
Ky projekt vjen pas botimit të fundit të Dawkinsit, “Libri gjenetik i të vdekurve” (The Genetic Book of the Dead), një trajtim bashkëkohor i darvinizmit. Libri shqyrton evolucionin dhe misteret e jetës, duke e lexuar të shkuarën përmes së tashmes dhe duke ndjekur gjurmët e “gjeneve nga varret”. Historia e jetës paraqitet si një tekst i shkruar në vetë organizmat.
Ardhja e një shkencëtari të njohur në letërsi mund të nxisë debat dhe të sjellë një këndvështrim të ri mbi marrëdhënien mes shkencës dhe imagjinatës. Pavarësisht prejardhjes apo viteve të autorit, letërsia mbetet një hapësirë e pafund për prurje dhe zbulime të befasishme.
SHEFQET MEKO
Minneapolis, Minnesota