
Shkrimtari Niko Gjoni rrëfen për takimet me Dritëro Agollin, Xhevahir Spahiun, shkrimtarët e njohur, Tiranën e rinisë dhe një kohë kur librat udhëtonin bashkë me njerëzit në trenin Tiranë–Elbasan
– Agolli fliste me respekt për Ismail Kadarenë, Fatos Arapin, Petro Markon, Rexhep Qosen, Xhevahir Spahiun, etj…

–Më dhemb vendi imkur shoh padrejtësi, varfëri, korrupsion, mungesë shprese apo largimin e të rinjve nga vendi
-Më shumë më dhemb kur shoh pensionistë që s’mund të rregullojnë xhamin e thyer të syzeve dhe blejnë mallrat që veçohen të kalbura
– Mbasi lexova Shpartallimi të shkrimtarit rus Fadajev, m’u dha rasti të diskutoja për të me Fatos Arapin dhe Xhevahir Spahiun.
Intervistoi: Albert Z. ZHOLI
Ka njerëz që i njohim shumë kohë përpara se t’i takojmë. I njohim përmes librave, fjalëve që kanë shkruar, personazheve që kanë krijuar. Ata hyjnë në jetën tonë pa trokitur, në një moshë kur ndoshta ende nuk e kuptojmë se disa libra do të na shoqërojnë për vite të tëra. Kështu ka ndodhur me Niko Gjonin dhe Dritëro Agollin. Agolli ka hyrë në jetën e tij që në fëmijëri, fillimisht si emër në faqet e Dritës, pastaj si autor i librave që priteshin me padurim dhe, shumë vite më vonë, si njeri i gjallë, i ulur përballë tij në biseda të zakonshme. Takimi i tyre do të ndodhte pas vitit 1999, në Durrës. Gjoni e kishte parë Agollin nga larg dhe e kishte përshëndetur me ndrojtje. Më pas do të mësonte orarin e tij të plazhit, do ta priste të dilte dhe do ta shoqëronte. Nuk ishte më vetëm lexuesi që shikonte shkrimtarin e adhuruar. Ishte një njeri që po përpiqej të njihte njeriun pas shkrimtarit. Një ditë, Gjoni i dha Agollit librin e tij me tregime. Agolli e mori, e lexoi dhe të nesërmen i foli për të. Kishte lexuar më shumë se 50 faqe. Pastaj i tha disa fjalë që Gjoni i kujton ende: “Ke mendim, ke ide. Por duhet të shkruash vazhdimisht. Mos e lësho penën, se do të bëhesh shkrimtar.” Ndoshta një intervistë me Niko Gjonin duhet nisur pikërisht këtu…
Zoti Gjoni, përpara se ta njihnit Dritëro Agollin nga afër, e kishit njohur përmes librave. Si ka nisur kjo lidhje?
Unë Agollin e kam pasur idhull që në fëmijëri. Lexoja çdo libër të tij. Sa herë lexoja në Drita se kishte dalë një libër i ri i Agollit, prindërit nuk më kursenin dhe unë isha ndër të parët që e lexoja. Në atë kohë, libri kishte një vend shumë të madh në jetën tonë. Një libër i ri ishte ngjarje. E prisje, e merrje, e lexoje dhe pastaj e diskutoje. Agolli më kishte tërhequr që në fëmijëri. Kur e shikoja te Lidhja e Shkrimtarëve, ndjeja një lloj admirimi të madh. Ai ishte i njohur si shkrimtar, por njëkohësisht ishte shumë popullor, i thjeshtë dhe i dashur. Për mua, ta shihja nga afër ishte diçka e veçantë, sepse deri atëherë e njihja përmes librave.
Kur e takuat për herë të parë drejtpërdrejt?
Pas vitit 1999, në plazh, në Durrës. Unë bleva një hyrje aty dhe më vonë mësova se aty kishte një hyrje edhe Agolli. Kur e pashë për herë të parë në shkallë, e përshëndeta me ndrojtje. E kisha përballë njeriun që kisha lexuar që fëmijë. Pas atij momenti fillova ta dija kur dilte për plazh dhe e prisja të dilte për ta përshëndetur. Më pas shumë herë e kam shoqëruar në plazh, sepse doja të mësoja sa më shumë për të. Rreth tij mblidheshin shumë njerëz, edhe kosovarë. Ishte një njeri që tërhiqte njerëzit.
A ju kujtohet ndonjë nga ato ditë në mënyrë të veçantë?
Po. Në fakt, më kujtohen shumë detaje të vogla. Kishte orarin e vet. Dilte rreth orës tetë dhe kthehej në drekë. Gjithmonë ishte nën mbikëqyrjen e Sadijes, e cila ishte zonjë grua. Unë ndonjëherë i çoja ndonjë shishe raki. Ai e merrte me shumë rezervë. Sadija, kur i jepja rakinë, tundte kokën. Unë nuk e pija; ua jepja shokëve. Sot këto mund të duken gjëra të vogla, por kur kujton një njeri pas shumë vitesh, pikërisht këto detaje të vogla të rikthehen.Një ditë i dhurova një edhe librin timme tregime. Ai u befasua. “Do ta lexoj me vëmendje”, më tha. Të nesërmen kishte lexuar mbi 50 faqe. Më tregoi përshtypjet për ato që kishte lexuar. Për mua ishte një moment shumë i rëndësishëm. Nuk e prisja që do të merrej kaq shpejt me librin tim. Pastaj më tha: “Shkruaj. Ke mendim, ke ide. Por duhet të shkruash vazhdimisht. Mos e lësho penën, se do të bëhesh shkrimtar.” U emocionova. Sepse nuk po m’i thoshte dikush çfarëdo. Po m’i thoshte Dritëro Agolli. Unë e kisha lexuar që fëmijë. E kisha pasur idhull. Dhe tani ai kishte lexuar librin tim dhe po më fliste për të. Këshilla “mos e lësho penën” më ka mbetur gjatë. Të shkruarit kërkon vazhdimësi. Nuk mjafton të kesh një ide. Duhet ta mbash penën në dorë. Por në biseda vura re se ai kishte respekt për krijuesit shqiptarë. Fliste me respekt për Ismail Kadarenë, Fatos Arapin, Petro Markon, Rexhep Qosen, Xhevahir Spahiun dhe poetë të tjerë shqiptarë. Por ishte shumë i dashuruar me poetët dhe shkrimtarët rusë. Më pëlqente shumë ta dëgjoja kur fliste për letërsinë. Unë përpiqesha të merrja prej tij sa më shumë. Kur ke përballë një shkrimtar të tillë, edhe një bisedë e zakonshme mund të bëhet mësim.
Nga krijimtaria e Agollit, çfarë do të veçonit si lexues?
Ndonëse vetë shkrimtari është shprehur se me Arka e djallit do të ndryshonte përfytyrimin e letërsisë shqipe, për një shumicë lexuesish, për mua, një nga kontributet më të rëndësishme të tij në prozë është Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo. Është kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari “në vijë”. Por në të njëjtën kohë është edhe pasqyrë e pozitës së vartësit të tij, Demkës, një kalemxhi i stërvitur që pak nga pak është ndarë me talentin. Vitet e fundit, sidomos pas botimit në Francë, këtij romani iu rikthye vëmendja. Rreth tij është debatuar shumë. Janë bërë paralele dhe analogji me vepra të ngjashme që nuk gjetën tribunë botimi në vende të Lindjes ish-komuniste. Me këtë rast është diskutuar edhe shkalla e lirisë së krijimtarisë tek autorët më të talentuar në Shqipëri. Për ta parë më qartë këtë çështje, duhet të kujtojmë edhe faktin se romani u paraqit fillimisht si pronë letrare e Hostenit, revistës humoristike të vendit. Dhe e qeshura mundëson gjithçka.
Agolli nuk është i vetmi shkrimtar që ka hyrë në kujtesën tuaj. Ju keni njohur që fëmijë dhe Aleks Çaçin dhe shkrimtarë të tjerë…
Po. Në vitet e hershme të fëmijërisë, një kat poshtë nesh banonte shkrimtari Aleks Çaçi. Ishte një shkrimtar i dëgjuar. Ishte burrë serioz, por i sjellshëm me të gjithë ne, sidomos me babain tim. Ata ishin pothuajse moshatarë dhe të dy flisnin mirë greqishten, pasi kishin qenë të shkolluar në Greqi. Aleks Çaçi kishte qenë pjesëtar i grupit të shkrimtarëve shqiptarë të viteve ’30. Kishte nisur të shkruante vjershat e para në botime të ndryshme si Kushtrimi i lirisë, Trumpeta çlirimtare, Përpjekja shqiptare, Bota e re, së bashku me autorë të tjerë si Branko Merxhani, Tajar Zavalani, Sotir Paparisto, Midhat Araniti, Nonda Bulka, Vedat Kokona, Jorgji Jorgoni etj. Për mua ishte diçka e veçantë që një shkrimtar i tillë banonte një kat poshtë nesh.
Po me Fatos Arapin dhe Xhevahir Spahiun si u takuat?
Me ta u afrova përmes librave dhe bisedave për letërsinë. Mbasi lexova Shpartallimi të shkrimtarit rus Fadajev, m’u dha rasti të diskutoja për të me Fatos Arapin dhe Xhevahir Spahiun. Edhe ata e pëlqenin shumë këtë shkrimtar. Ata vinin dhe takonin Aleks Çaçin dhe poetin Ferik Lizaj. Ishin momente të bukura. Për mua ishte ëndërr të diskutoja me Fatos Arapin dhe Xhevahir Spahiun. Edhe sot mbeten idhuj për mua. Pata disa takime me ta, por më pas, në vitet e demokracisë, shumë gjëra ndryshuan dhe gjithçka humbi disi mes shoqërisë.
Ju flisni me shumë nostalgji për Tiranën e viteve 1960–1985. Si ishte ajo Tiranë?
E zhurmshme dhe e bukur. Tirana gjallonte nga të rinjtë. Bulevardi gumëzhinte nga të rinjtë. Pjesa më e pasur e të rinjve kishin biçikleta. Kur kalonin pranë të dashurave, u binin zileve. Aty tek Bulevardi nisnin dashuritë e të rinjve të Tiranës. Krahu i djathtë ecte poshtë drejt Universitetit, ndërsa krahu i majtë zbriste drejt Skënderbeut. Ishte një Tiranë që kishte ritmin e vet. Kishim shoqëri të bukur. Flinim tek njëri-tjetri. Shtëpitë i mbanim hapur. Nuk kishim shumë gjëra, por rrinim bashkë. Kjo është ajo që më mungon kur kujtoj atë kohë. Sot shoëria duket se është bërë më materialiste. Ne ishim të varfër, por zemrën e kishim të pasur. Kjo është ajo që më ka mbetur nga ajo kohë. Nuk kishim shumë gjëra materiale, por kishim shokë, kishim kohë, kishim libra.
Ju keni punuar edhe në metalurgji. Çfarë kujtoni nga ajo periudhë pwr Elbasanin?
Nuk i harroj vitet e metalurgjisë. Punonim ditë dhe natë. Ishte punë e vështirë. Por edhe atje krijoheshin miqësi. Në darkë zbarkonim te Hotel Turizmi dhe pinim ndonjë gotë birre ose shkëmbenim biseda me kamerierët. Treni Tiranë–Elbasan ishte gjithmonë plot. Elbasani atëherë ishte plot zhurmë dhe dinamizëm. Aty janë martuar shumë shokë. Kur e kujtoj atë kohë, më kujtohen njerëzit. Të gjithë shokët e mi lexonin libra. Madje në tren merrnim libra me vete.
– Zoti Gjoni, ju jeni shkrimtar. A mendoni se arti dhe letërsia duhet të qëndrojnë larg politikës, apo shkrimtari duhet të reagojë kur shoqëria përballet me padrejtësi?
– Shkrimtari nuk mund të jetojë i shkëputur nga realiteti ku jeton. Letërsia lind nga jeta, nga shqetësimet, nga dhimbjet dhe nga shpresat e njerëzve. Kjo nuk do të thotë që shkrimtari duhet të bëhet pjesë e politikës apo të mbështesë një forcë politike. Përkundrazi, ai duhet të ruajë pavarësinë e tij. Por kur sheh padrejtësi, varfëri, korrupsion, mungesë shprese apo largimin e të rinjve nga vendi, nuk mund të bësh sikur nuk po ndodh asgjë. Shkrimtari ka një përgjegjësi morale të thotë atë që mendon dhe të mbrojë të vërtetën, edhe kur ajo nuk është e këndshme për pushtetin apo për shoqërinë. Të rinjtë po largohen vetëm për një pagë më të mirë. Ata kërkojnë dinjitet, siguri, mundësi dhe besimin se puna e tyre do të shpërblehet. Kur një i ri sheh se suksesi shpesh lidhet me njohjet, ndërsa jo gjithmonë me dijen dhe meritën, ai humbet shpresën. Ne duhet t’u krijojmë të rinjve arsye për të qëndruar. Shqipëria ka nevojë për ta. Ka nevojë për dijen, energjinë dhe idealizmin e tyre. Nuk mund të ndërtojmë një vend të zhvilluar nëse brezi i ri largohet dhe e ardhmja e tij ndërtohet diku tjetër. Aktualisht kam njw klinikw dhe aty mwsoj shumw gjwra. Sot shikoj pak lumturi tek njerëzit. Më shumë shikoj njerëz të vuajtur. Edhe vetë jam në pension, por e shoh se shumica e pensionistëve nuk kanë se si ta kalojnë muajin. Kur vijnë për syze, shumë prej tyre shikojnë si të hutuar. Duan të dinë menjëherë çmimin. Sepse nuk kanë mundësi të blejnë syze të mira. Shpesh blejnë ato në rrugë, që mund t’u bëjnë edhe më keq. Unë dëgjoj lloj-lloj hallesh. Dhe ndonjëherë pyes veten: si jetojnë pensionistët? Për ta ato pak para të pensionit janë si flori. Kur një njeri vjen të blejë syze, nuk vjen vetëm për syzet. Vjen me hallin e vet. Dikush të thotë se nuk ka mundësi të blejë një palë të mira. Tjetri pyet për çmimin para se të provojë syzet. Ti e kupton menjëherë se ka ardhur duke bërë llogari. Këto gjëra i shoh çdo ditë. Ndonjëherë njeriu të tregon historinë e vet pa e kuptuar.
Po jeta juaj si ushtar? Si e kujtoni atë periudhë?
Ah, jeta ime si ushtar ka qenë ndër më të bukurat. Unë isha instrumentist me bandën dhe ushtrinë e kam bërë në Shkodër. Nga ai qytet ruaj kujtime shumë të bukura. Shkodra kishte njerëz të dashur, njerëz të lidhur me artin dhe me muzikën. Për mua ajo periudhë ishte shumë e rëndësishme. Në atë kohë ushtria ishte një shkollë më vete. Thoshin: “Nëse nuk bën ushtrinë, nuk piqesh. Nuk mund të martohesh, sepse nuk je bërë burrë.” Komandantët ishin njerëz seriozë, të përgatitur. Ishin njerëz që sakrifikonin. Ndoshta sot shumë gjëra shihen ndryshe, por unë kur kujtoj atë periudhë, kujtoj edhe njerëzit që kishin përgjegjësi dhe që e merrnin seriozisht detyrën. Kur mbarova ushtrinë, sa herë i takoja ata njerëz, më lotoi. Sepse sa shumë kisha mësuar në ushtri! Nuk mësova vetëm gjëra ushtarake. Mësova për disiplinën, për përgjegjësinë, për shoqërinë dhe për jetën. Sot nuk shoh asnjë ushtar në rrugë. Nuk e di, ka ushtri apo jo. Unë e kujtoj ushtrinë si një pjesë të rëndësishme të jetës sime. Ishte një periudhë ku mësoje shumë gjëra dhe ku krijoje shoqëri. Ndoshta koha ka ndryshuar dhe bashkë me të ka ndryshuar edhe mënyra se si funksionon ushtria. Por kujtimet e mia janë ato të asaj kohe.
Zoti Gjoni, pas gjithë këtyre shqetësimeve që ngritët, çfarë ju mban ende optimist për Shqipërinë? Dhe cili do të ishte mesazhi juaj për shqiptarët?
– Më mban optimist fakti që, pavarësisht vështirësive, shqiptarët kanë një forcë të jashtëzakonshme për të përballuar të keqen dhe për të nisur përsëri. Ne kemi kaluar shumë peripeci, kemi përjetuar varfëri, emigracion, ndarje dhe zhgënjime, por kemi ditur të mbijetojmë dhe të ecim përpara. Unë besoj te njerëzit e thjeshtë. Besoj te prindi që sakrifikon për fëmijën, te mësuesi që punon me përkushtim, te punëtori që fiton bukën me djersë, te të rinjtë që studiojnë dhe ëndërrojnë një të ardhme më të mirë. Këta janë njerëzit që e mbajnë gjallë Shqipërinë. Si shkrimtar, kam mësuar se një popull nuk jeton vetëm me atë që ndërton me duart e tij, por edhe me atë që ruan në kujtesë. Ne duhet të ruajmë gjuhën, kulturën, historinë dhe dashurinë për vendin. Nëse humbasim këto, humbasim një pjesë të identitetit tonë. U them shqiptarëve: të mos humbasin shpresën dhe të mos bëhen indiferentë. Të kërkojnë të drejtën e tyre, të kërkojnë llogari nga ata që i drejtojnë, por mbi të gjitha të mos harrojnë se ndryshimi fillon edhe nga vetë ne. Dua që Shqipërinë ta shoh më të drejtë, më të arsimuar, më të bashkuar dhe më njerëzore. Një vend ku fëmijët tanë të mos ëndërrojnë vetëm të ikin, por të kenë dëshirë të qëndrojnë dhe të ndërtojnë këtu. Ndoshta kjo është edhe dëshira ime më e madhe si shkrimtar: t’u lëmë brezave jo vetëm libra dhe kujtime, por një vend ku ata të mund të jetojnë me dinjitet. Sepse Shqipëria nuk është vetëm toka ku kemi lindur. Shqipëria është kujtesa jonë, gjuha jonë, njerëzit tanë dhe shpresa jonë për të ardhmen. Dhe për sa kohë që kjo shpresë jeton, unë besoj se Shqipëria mund të bëhet më e mirë.