Imer Hysa
Tregim mbi një ngjarje të jetuar

Pa kaluar as dy dekada nga ndërtimi i shtëpisë me ustallarë jo profesionistë, me materiale jo cilësore dhe në mënyrë të shpejtë, sa “për të futur kokën brënda” para se të vinte këshilli popullor me të plotfuqishmin e zonës për ta shembur, trarët kishte filluar ti hante krimbi dhe rreziku i thyerjes së ndonjërit prej tyre ishte i mundshëm në çdo kohë, por kjo do zoti të mos ndodhte natën kur familjarët ishin në gjumë, apo edhe ditën kur kishte familjarë brënda.
Si për çudi, ajo që dyshohej ndodhi.
Një zhurmë e madhe u dëgjua deri larg, Kërcitja e traut dhe thyerja e tjegullave ngritën një re shtëllungore pluhuri. Ata që ishin afër, veçanërisht të afërmit e të zotit të shtëpisë rendën me vrap. Zoti kishte qenë me familjarët, ata nuk ishin brënda, dëmet që u shkaktuan ishin vetëm materiale.
Mundësia e njoftimit e të zotit të shtëpisë për atë që i kishte ndodhur ishte vetëm me takim fizik, ndaj njëri nga vëllezërit e tij shpejtoi ta njoftonte.
I zoti i shtëpisë punonte në një ndërmarje jo shumë larg dhe me një shok pune po pinte kafe te bari pranë ndërmarrjes.
Vëllai, që mezi mbushej me frymë nga ecja me vrap ju drejtua:
-Lëre kafen dhe eja në shtëpi se të është shembur çatia.
I zoti i shtëpisë me atë qetësinë e tij që e karakterizonte e pyeti:
-E ke pa në ëndërr?
-Jo, çfar ëndrre, por lërë kafen dhe ikim sa më parë.
-Mos u mërzit, s’ka asnjë problem, “me pa ëndërr çatinë e shtëpisë duke u shembur është keq”.
Vëllai shtangu, s’po kuptonte asgjë, Mbase qetësia e zotit të shtëpisë e qetësoi edhe atë.