





Gëzim Llojdia
1.
Ata erdhën në dritë, por menduan të jetonin në hije. Gjithë jetën kështu e kishin shkrirë: të jetonin në hije, në mes dritës dhe errësirës. Ata ishin errësira vetë. Në mes të mirës dhe të keqes, ata ishin e keqja vetë.
Thonë se në kohën e Perandorisë Osmane, kur po bëheshin gati shumat e mëdha me para që do t’u paguheshin spiunëve, shteti ynë nuk vuri asgjë në llogari. Si ka mundësi që shtetet e tjera do të përfitonin miliona e ne asgjë? Dhe kur pyetën, iu tha se shqiptarët e kishin bërë këtë punë edhe më parë. Madje, e kishin bërë mjaft mirë, më mirë se të tjerët, por… pa para.
2
Por si tingëllon fjala “spiun” në veshët e një shqiptari? Një emër i neveritshëm dhe një plagë e hapur. Një fjalë që sjell erën e frikës, të burgjeve, të heshtjeve të detyruara dhe një kujtim që i përket një kohe kur njeriu ruante edhe murin, se kishte frikë mos kishte veshë.
Një organ e kishte mishëruar këtë frikë: Sigurimi i Shtetit. Një strukturë e paligjshme që mbillte terror, që kontrollonte frymën e çdo qytetari. Një organizëm i sëmurë që ishte mbi shtetin dhe mbi partinë, që vendoste kush do të jetonte dhe kush do të zhdukej në errësirë. Ai Sigurim u bë simbol i dhunës së heshtur, i krimeve të mbuluara me dosje dhe pluhurin e harresës.Dhe megjithatë, askush nuk u ndëshkua. Krimi mbeti pa autorë, viktimat pa drejtësi dhe e vërteta ende në hije.
Por më e dhimbshmja është se ata që i kryen këto veprime nuk ishin armiq të jashtëm. Nuk ishin agjentë të huaj, as ushtarë të perandorisë osmane. Ishin vetë shqiptarë, bij të së njëjtës tokë, që për një copë pushtet apo nga frika, tradhtuan vëllanë, mikun, ndoshta edhe gjakun e tyre.
E ku shkuan të gjithë këta pas viteve ’90?
Pas rënies së sistemit, kur dritat e lirisë u ndezën dhe hijet u shpërndanë, vetë shteti u kujdes t’i kalonte nëpër kufij e t’i strehonte në vendet demokratike. Shumë morën azil, të tjerë u vendosën në Amerikën e largët, në Australi, në Zelandë të Re, në Europë, ku jetojnë ende me një “emër të ri, por me të kaluarën e vjetër.” Shteti i pajisi me pasaporta, u dha para dhe në ikje u tha: -“Shpëtoni kokën… se koha juaj ka mbaruar.”
Por koha nuk harron. Hijet që dikur përgjonin të tjerët, sot përgjojnë kujtimet e tyre. Dhe zërat e atyre që humbën vazhdojnë të kërkojnë drejtësi në heshtje.
3.
I kam parë vetë… të gjithë ata. Një ushtri në hije. Po, po, një ushtri e tërë që nuk mbahej me armë, por me frikë.
Isha në komisariatin e Vlorës (ende e quanin “Dega e Brendshme”). – “Çfarë bëhej atje, o vëlla?” – pyeta dikë, kur pashë që kishin mbërritur makinat e ushtrisë, njëra pas tjetrës.
– Mos ka ndonjë mobilizim? Ç’janë gjithë këto makina ushtarake?”
Ai qeshi lehtë dhe më tha: -Po, po… do të mobilizojmë spiunët!
Ngrita supet i hutuar.
– Do t’i dërgojmë në kryeqytet, – shtoi me një ironi.
Dhe pastaj i pashë: qindra kuti kartoni, të mëdha, të mbyllura dhe të dyllosura. Brenda tyre, dosje. Dhe në çdo dosje, një jetë, një frikë, një rrëfim i shuar.
Çdo fshat kishte spiunët e vet.
Çdo lagje kishte listat e veta.
Çdo emër në ato faqe kishte një histori të rrënuar.Ish-pronarë, të deklasuar, të internuar, të arratisur, të dënuar me triskë e pa triskë. Eh, sa jetë të copëtuara mbanin ato kuti të heshtura!
Pas çdo njeriu të persekutuar qëndronte një ushtri spiunësh. Një ushtri që paguhej në errësirë, që ushqehej me frikë dhe nënshtrim.
Për t’i sjellë të gjitha këto dosje nga fshatrat në Degën e Brendshme, u deshën ditë të tëra. Kamionë të ushtrisë që udhëtonin natën, të mbushur me tonelata kujtese. Nga çdo këshill popullor, nga çdo zyrë ku kishte operativë a policë, vinin dosjet. Dhe të gjitha u mblodhën në atë ndërtesë.
Por sot, kur dëgjoj ndonjë të thotë: “Nuk ka dosje për këtë apo për atë…”, më pushton një trishtim i thellë. Si mund të mos ketë? Kam parë me sytë e mi kamionë që mbartnin tonelata dosjesh drejt kryeqytetit.
-Ku shkuan ato? Kush i zhduku? Kush i “firoi” dosjet e spiunëve?
Por kujtesa nuk firon. Nuk mund të zhduken kujtimet e atyre që janë ndjekur, as nuk mund të fshihen kujtimet e atyre që kanë spiunuar. Sepse, në fund, hijet e asaj ushtrie ende ecin mes nesh. Dhe janë pa uniformë, pa emër, por me të njëjtën heshtje që i mbronte dikur.
4.
Aty nga viti ’91, në komisariatin e Vlorës, më treguan një histori që ende sot më vjen si hije në kujtesë.
Një banor i një fshati të zonës së Myzeqesë së Vlorës vinte çdo ditë në komisariat. Me një bllok të vogël në dorë, i drejtohej oficerit të shërbimit:
– E shënove, oficer? – thoshte me zë të ulët, por me rëndësinë e njeriut që ndiente se po i shërbente shtetit.
Në fakt, oficerët qeshnin nën zë; e kishin marrë si shaka. Sa herë që në atë fshat ndodhte ndonjë ngjarje qoftë një dasmë, qoftë një grindje të nesërmen spiuni merrte udhën dhe paraqitej në komisariat, njëlloj si çdo ditë, duke sjellë “raportin e tij” si dikur në kohën e errët.
Pas dy muajsh, ai u shfaq përsëri dhe kërkoi të takonte shefin. Kur hyri, tha pa u stepur:
-Dua paratë. Shefi ngriti vetullat. Çfarë paraje? – e pyeti.
– Kam dy muaj që sjell informacion. Kam bërë punën time.
Një heshtje e gjatë ra në zyrë. Pastaj shefi, me një buzëqeshje të hidhur, i tha: -Po a e di që janë hequr me ligj pagesat për spiunët? Dhe spiunë nuk ka më.
Spiuni u step. E pa shefin me sytë e humbur të një njeriu që nuk kupton dot kohën ku jeton. Pastaj uli kokën, u kthye dhe doli. Që nga ajo ditë, nuk u duk më në komisariat. Ndoshta u tërhoq në hije, aty ku ishte mësuar të jetonte; ndoshta kuptoi se epoka e tij kishte marrë fund.
5.
Mirëpo, cili ishte fati i spiunëve që nuk u ndëshkuan?Ky nuk ishte thjesht një spiun. ishte mentor i spiunëve. Një ditë, në universitetin ku punoja, erdhi T. Gjonzeneli dhe më tha: “Do të të tregoj diçka për spiunët.”
Ja rrëfimi i tij: Një ish-hetues nga ky qytet, pas viteve ’90, ia mbathi. U nis për në kryeqytet, aty bëri marifete sepse këta ishin mjeshtër të marifeteve gjeti vizë dhe ia doli të shkonte në disa vende të Europës për t’u fshehur nga krimet që kishte kryer. Por as aty nuk gjeti qetësi: pagoi dhe vazhdoi rrugën deri në Amerikë.
E tregova këtë histori jo për të lavdëruar hakmarrjen, por si mësim të hidhur: ndëshkimi i krimit duhet të bëhet nga ligji. Kur ligji nuk ndëshkon, hapet dera për vetëgjyqësinë, dhe vetëgjyqësia sjell dhunë.
Koha kaloi. Pas viteve ’90 regjimet u rrëzuan, por hijet nuk u zhdukën. Ato u shndërruan në kujtime e dyshime që jetojnë ende në rrugët dhe zyrat e Shqipërisë. Spiunët u larguan, por frika dhe heshtja mbeten.
Ne duhet të kujtojmë jo për hakmarrje, por për t’u çliruar nga frika. Sepse harresa është streha më e sigurt për krimin, dhe kujtesa është drita që e zhduk hijen.