Shirat e vjeshtës-Melisa Baboçi

Melisa BABOÇI

Tetori ka vënë qiellin në gjyq,
retë i akuzon për prishje të motit;
një re dëshmon me lotët e saj,
një lis hesht… si dëshmitar i kotë.

Vjeshta ka veshur një fustan prej bakri,
me kopsa gështenjash, me jakë mjegulle;
kalon mbi fusha me hapin e mbretëreshës,
dhe lulet i lë në gjumin e humbur.

Shiu u troket oxhaqeve të vjetër,
si postier që s’gjen adresën e duhur;
mbi çatitë e kuqe lë letra prej uji,
me vulën e qiellit dhe shkrimin e turbullt.

Një gjethe, e lodhur nga dega e saj,
i dorëzon erës kurorën e artë;
poshtë, toka e pret me pëllëmbët e hapura,
si nënë që pret birin pas një udhe të gjatë.

Por dimri po vjen me pallton e ngrirë,
me hapa të rëndë mbi supet e maleve;
vjeshta ia lë fronin pa bërë zhurmë,
dhe shiu vazhdon të qajë për të dyja stinët.