– ALEKSANDËR SHANDRI STIPÇEVIQ – ME RASTIN E 96 VJETORIT TȄ LINDJES –
– Si e mbrojti me sukses akad. Stipçeviç tezën e vazhdimësisë iliro – shqiptare duke hedhur poshtë tezat e pabazuara të pseudo – shkencëtarëve sllave për origjinën dhe prejardhjen etnike të popullit shqiptar –
Nga Vlash Prendi

Aty nga mesi i shek.XVIII, afërsisht në vitin 1721 nga fshatrat fushorë rreth liqenit të Shkodrës, sidomos nga dy fshatrat e njohur Ljarje dhe Shestan u shpërngulën mjaft familje shqiptare për t’u vendosur në fshatin Zarë të Dalmacisë. Lëvizja e tyre e padëshiruar, ishte e lidhur me shkaqe historike ku më të mundshmet mund të kenë qënë luftrat e shpeshta,por dhe sëmundjet dhe epidemitë e ndryshme,kërkesat e vazhdueshme të qeverisë osmane për nizamë,kushtet e papërballueshme e konomike,kërkesa e qeverisë osmane për t’i asimiluar në fenë myslimane,por nuk perjashtohen edhe pazarllëqet që bënin qeveritarët turq me ata venedikas ose sllave për interesa të ngushta dhe meskine.
Këto familje shqiptare u vendosën në rrethina të Zarës, qytet kroat që ndodhet në Kroaci. Një nga qytetet e Dalmacisë me një histori të lashtë rreth 3 mijë vjeçare që në literaturën historike njihet si qendër e fisit ilir të Liburnëve.Rreth shek.III pas Krishtit ky qytet u pushtua nga ushtritë romake dhe u njoh me emrin e lashtë Jadera,ndërsa në shek.VI gjithë kjo krahinë pati rënë nën sundimin bizantin.Aty nga fundi i shek.IX nga Azia Qëndrore në këto rajone qenë dyndur fiset kroate,të cilat u përshtatën shpejt me kushtet natyrore të rajonit dhe patën ngritur aso kohe edhe qytetin e bukur të Zarës,të cilin në vitin 1202 e patën djegur dhe shkatërruar pushtuesit venedikas.Në shek.XV,qyteti qe administruar për pak kohë nga venedikasit dhe më vonë u mor nën protektort nga austro-hungarezët,ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore qyteti i njohur arbëresh vihet nën administrim të qeverisë kroate.Këto koloni shqiptare të vendosura në brigjet Dalmate përbëjnë një rast të veçantë të ruajtjes së identitetit arbëror.Siç vihet re,tek këto koloni pasqyrohen edhe sot në ditët tona elemente të veçanta dhe tepër të rralla të identitetit kombëtar shqiptar.Duhet theksuar se kolonia e parë që daton aty rreth vitit 1721,ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën e familjeve shqiptare që vërshuan në krahinën e Zarës në vitet e mëpasme, duke i strehuar dhe duke i ndihmuar bashkëkombasit e tyre për të mbijetuar nga përndjekjet e pushtuesve turq ose nga shantazhet e fqinjëve shovinistë sllavë,duke mos harruar asnjëherë origjinën e tyre shqiptare dhe duke mos shkëputur lidhjet me tokën e tyre mëmë.Kjo për faktin se pas shpërnguljes së parë,kemi edhe tri shpërngulje të tjera masive,në vitet 1726, 1727, 1733, ku të gjitha familjet e shpërngulura ishin shqiptare, ndërsa në vitin 1726, u larguan nga trojet tona rreth 147 shqiptarë.
Është me vend të theksojmë se kolonitë shqiptare të Zarës në Dalmaci i kanë rezistuar rebeshëve diskriminuese të kohës,nuk janë asimiluar nga fiset sllave, por kanë ruajtur gjuhën, doket, zakonet, emrat dhe mënyrën e jetesës. Ata e pohojnë kurdoherë prejardhjen e tyre arbërore dhe në përgjithësi flasin shqip,sidomos brenda familjes duke synuar të ruajnë dhe transmetojnë brez pas brezi gjuhën e tokës amë. Veç gjuhës,arbneshi i Zarës ka ruajtur edhe emrat e mbiemrat shqiptarë.Kështu,në zarë takojmë emra të tillë si Gjon, Gjergj, Mark, Pjetër, Teutë, ndërsa për mbiemrat ata kanë ruajtur tradicionalisht mbiemrat e vendilindjes së tyre si Kamsi, Gjergji, Deshpali, Petani, Çoba, Nikpali, Luka, Gjini, Gjoni, Vuka, Nika etj, por kanë ruajtur edhe shumë toponime me origjinë shqipe. Kështu, në Zarë takon emra vendesh si: Fusha e vorreve, Fusha e Arbneshit, Gropa Shkamit, Kisha, Kullat etj, duke ruajtur kështu emërtime të pastra shqipe.

Në vitin 1901 në Arbneshët Zarës u hap shkolla shqipe e cila qëndroi e hapur për 17 vjet rresht deri në vitin 1918 kur u mbyll nga autoritetet kroate.Interesant është fakti se mësuesit e parë të kësaj shkolle kanë qenë prelatet e nderuar të fesë katolike si Atë Shtjefën Gjeçovi, Atë Pashko Bardhi, prof. Anton Paluca, prof. Pal Gjergji. Në shek.XIX dhe fillimin e shek.XX edhe arbëreshët e Zarës patën dhënë një kontribut të shquar në lëvizjen për çlirim kombëtar.Idetë e tyre patriotike intelektualët e njohur arbneshë i publikuan aso kohe përmes gazetës së tyre të përkohëshme “Zani i Shqyptarit”,e cila qe botuar në disa numra në Zarë.Katundi Arbnesh i Zarës në Dalmaci ishte një vend i bukur,plot jetë dhe dritë,ndërtuar nga duar mjeshtrash të njohur me origjinë shqiptare.Të tillë ishin edhe arbneshët e Zarës,të cilët shkrimtari i njohur S.Buzoliq i përshkruan “…janë njerëz me faqe të kuqe që pëlcasin nga shëndeti.Shikimin e kan të rreptë dhe plot zjarr,shtatin e mesëm port ë bukur.Për nga karakteri janë hijerëndë sad he të njerëzishëm.Fjalën e kanë në majë të gjuhës shpërthejnë si orteku,por edhe qetësohen shpejt,zërin e kanë melodik dhe këndojnë shumë bukur…”. Ndërsa intelektuali i njohur dhe poeti i shquar me origjinë shqiptare Josip Rela ka shkruar për bashkëkombasit e tij: “…Në fillim shtëpitë i kishin përdhese,më vonë ndërtuan kulla të rrethuara me mure të lartë dhe me kopshte me lule përreth.Këta janë pa mëdyshje,rrjedhim i zakoneve nga viset e tona të vjetra.Duke qenë një fis me tradita kulturore dhe atdhetare,nga arbneshët e Zarës dolën edhe figura të shquara që përfaqësuan denjësit kulturën,artin dhe letërsinë arbneshe.Të tillë mund të përmendim Aleksandër Stipçeviç,Shime Deshpalin,Josip Rela,Zef Duka,Pal Gjergji etj.Pergjithësisht kanë qenë të paktë ata studiues apo biografë që janë marrë me këto figurat e shquara të kulturës arbreshe të Zarës,prandaj mbetën gati të panjohura nga sfera të ndryshme të kulturës në vendin tonë.Padyshim ata meritojnë një vend nderi në letërsinë tonë,krahas figurave të shquara të letërsisë arbëreshe të krahinës së Kalabrisë si Zef Serembe,Jeronim De Rada,Gavril Dara,Jul Veriboba,Vareo Ujko,Salvadore Kuazimodo etj.Një nga më të shquarit shkrimtar dhe studiues qe u rrit dhe u formua si intelektual dhe shkencëtar në krahinën e Zarës ishte edhe Aleksandër Stipçeviq.Sot në Kroaci jetojnë rreth 19 mijë shqiptarë që qeveria sllave e Kroacisë ka synuar ti asimilojë,por ata kanë mbrojtur dhe mbajtur gjithmonë traditën dhe karakterin e tyre shqiptar.
Ilirologu i mirënjohur,akademik Aleksandër Shandri Stipçeviq lindi më 10 tetor të vitit 1930 në fshatin Arbnesh – Arbanasi në Zarë të Kroacisë në një familje patriotësh arbëreshë me origjinë shqiptare.Shkollën fillore e pati përfunduar në vendlindje,ndërsa të mesmen në qytetin e Zarës.Gjatë viteve 1950-1954 studioi dhe u diplomua në Universitetin Shtetëror të Zagrebit në Fakultetin e Arkeologjisë.Pas përfundimit të studimeve punoi për një kohë të shkurtër në Muzeun Arkeologjik të qytetit të Zarës,ndërsa në vitet në vijim qe asistent pedagog për lëndën e arkeologjisë parahistorike në Institutin e Shkencave Historike në Universitetin e Zagrebit.Aty nga viti 1957 prof.Aleksandër Stipçeviq nisi punën në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Zagrebit,ku pati kryer detyrën e vështirë të udhëheqësit të Sektorit për botimin e librave letrarë dhe shkencorë.Aty nga viti 1974 u emrua drejtor ekzekutiv në Bibliotekën e Akademisë Jugosllave të Shkencave dhe të Arteve.Këtë detyrë e ushtroi deri në vitin 1983,kur Stipçeviç qe zgjedhur në detyrën e kryeredaktorit të Leksionit Biografik Kroat në Entin Leksikografik të ish Jugosllavisë.Në këtë istitucion prof.Stipçeviq punoi deri në botimin e vëllimit II të edicionit të vitit 1987,pasi po këtë vit u emrua profesor në Fakultetin Filozofik,Dega e Shkencave Informatike – katedra për Bibliotekari,ku punoi deri në vitin 1997,kur dhe doli në pension.

Ka qenë shumë aktiv në fushën e studimeve pasi në vitin 1977 doktoroi në Fakultetin Filizofik të Zarës me disertacionin:”Simbolizimi religjioz tek ilirët”.Një vit më vonë,pikërisht në shkurt të vitit 1978 u emrua si këshilltar shkencor me propozim të këshillit shkencor në fushën e shkencave historike të Akademisë Jugosllave,ndërsa në vitin 1990 u zgjodh këshilltar në fushën e shkencave informatike në këtë Akademi.Gjatë viteve 1970-1973 dha leksione në lëndën mësimore “Hyrje në arkeologji”,në cilësinë e pedagogut në Fakultetin Filozofik të Prishtinës,por si bashkëpunëtor i jashtëm.Në fund të vitit 1971 u emrua profesor ordinar për të dhënë lëndën “Hyrje në historinë e librit dhe të bibliotekave”,në ciklin e studimeve pasuniversitare të shkencave të bibliotekarisë,dokumentimit dhe informatikës në Universitetin Shtetëror të Zagrebit.Sapo pati nisur detyrën e re në Katedrën e bibliotekari në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Zagrebit,në vitin 1987,qe zgjodhur profesor ordinar për lëndët “Historia e Librit dhe e bibliotekave” dhe “Bibliografia dhe Sociologjia e librit dhe e bibliotekave”.Gjatë viteve 1987-1996 prof.Aleksander Stipçeviç ka qënë shef i Katedrës për Bibliotekari pranë Degës për studime informatike,ndërsa gjatë viteve 1992-1995 ishte Kryetar i Degës për Shkencat Informatike në Fakultetin Filozofik në Zagreb.
Pati kryer detyra të shumta dhe të rëndësishme në forumet e ndryshme të bibliotekarisë rajonale dhe kombëtare.Në vitet 1967-1973 ka kryer detyrën e kryetarit të Shoqatës së Bibliotekarisë së shtetit kroat,si dhe atë të kryetarit të Lidhjes së Bibliotekarisë së shtetit Jugosllav në vitet 1967-1969.Ka marrë pjesë në shumë mbledhje,seminare,takime dhe kongrese në vend dhe ndërkombëtare,ku ka referuar leksione dhe tema arkeologjike dhe historike.Qëndroi në shumë vende të Europës dhe të Botës për qëllime studimore dhe shkencore,si në Shqipëri,Francë Itali,Hungari Angli,Gjermani,Danimarkë,Kore,etj.
Ka qënë kryeradaktur,redaktor dhe anëtar i kolegjumit të redaksisë për shumë botime shoqërore dhe sociale të Shoqatës Kroate të Bibliotekarisë nga viti 1967,ku me ndihmën dhe kontributin e tij qenë publikuar veprat Hrvatski tjednik,Gjurmime Albanologjike – Seria e Shkencave Historike,Annual Bibliography of the History and Libraries – The Hague,Vjesnik Bibliotekara Hrvatske,Gradja za hrvatsku retrospektivnu bibiotegrafiju,Hrvatska bibliografia,Informatologia Yugaslavca,nga viti 1991 në disa volume,Informatologija,botimet e Jugoslavenska Akademia Znanosti i Umetnosti,Recherches Albanologiques – Prishtinë,Izdanja Mjesne zajednice Arbanasi më pas Drustvo zadarskih Arbanasa,Radovi Zavoda za informacijske studije-knjižničarstvo,Hrvatsko slovo.Ishte redaktor në botimet e Entit leksikografik të autorit Miroslav Krleža për veprat: Enciklopedia Jugoslavije,botimi i dytë më 1980-1990,Hrvatski leksikon në vitet 1996-1997, Hrvatski biografski leksikon 1983 dhe Hrvatska enciklopedia 1999.Ndërsa në vitin 1962 qe zgjedhur me unanimitet të plotë anëtar i Matica Hrvatska,i Shoqatës së Arkeologjisë kroate deri n vitin 1966, kurse anëtar i PEN klubit kroat është qe nga viti 1985,ndërsa nga viti 1992 deri në vitin 1997 qe zgjedhur kryetar i Këshillit të Bibliotekave Shtetit Kroat.Ai është anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtat të Njeriut dhe të Drejtave të Bashkësive Etnike dhe Minoritare të Dhomës së Përfaqësuesve të Kroacisë.Ka qënë anëtar nderi i bordit të medias “Iliria ku ka dhënë një kontribut të çmuar në ndriçimin e historisë së aktivitetit dhe jetës së fiseve ilire.Për kontributin e tij të rëndësishëm në fushën e studimeve dhe hulumtimeve shkencore nga viti 1983 është pranuar anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Prof.Engjell Sedaj e vlerëson vepren e tij madhore “Ilirët-historia,jeta,kultura”:”…Këtë pikënisje të qëndrueshme e të mbështetur në një logjikë të shëndoshë,s’do mend,duhet vazhduar e shoshitur me të gjitha metodat e tjera shkencore,që do të thotë,me metodën arkeologjike,linguistike,etnologjike etj., për të arritur deri te një përputhshmëri me metodën më të re të biologjisë moderne,përkatësisht të gjenetikës molekulare nga e cila,sipas sistemeve ekzakte zhduken,apo,së paku,zvogëlohen dilemat.Pikërisht për këto rezultate më të reja në ilirologji ligjëroi në Universitetin e Prishtinës prof.Aleksandër Stipçeviqi,duke dëshmuar kontinuitetin e shqetësimeve studimore ilire të tij. Konstatimi i tij se “ilirologjia sot definitivisht e ka sqaruar çështjen e kontinuitetit iliro-shqiptar dhe se kjo çështje edhe më tutje mund të përforcohet,por jo edhe të kontestohet”,si rezultat i hulumtimeve të thelluara të tij,e ka bërë emrin e këtij dijetari autoritet në shkencat historike…”.
Veprimtaria shkencore dhe profesionale e A.Stipçeviq është përqendruar kryesisht në studimin e kulturave të lashta në pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik,në veçanti të ilirëve,por edhe në hulumtimin e historisë së përgjithshme të librit dhe të bibliotekave,në veçanti të historisë së librit dhe bibliotekave te kroatët.Në këtë kuadër profesori shkroi tezën për artin e ilirëve dhe historinë e artit te ilirët si dhe tezën për historinë dhe kulturën ilire,që në të vertetë ka rreth 8 botime.Hartoi bibliografinë ilire në 4 libra dhe shkroi librin “Simbolet e kultit tek Ilirët”,njëherit botoi edhe veprat me shumë vlera “Bibliografi ilire”-1967,”Ilirët – historia,jeta,kultura”,”0Interpretime albanologjike”-Shkup 1994,”Historia dhe bibliografia e Arbreshëve të Zarës”-1997.Botoi artikuj të shumtë,qe numerohen deri në rreth 190 të tillë shkencorë në gjuhë të ndryshme,mbi ilirët në revista të vendit dhe ato ndërkombëtare dhe hartoi një bibliografi të gjërë mbi arkeologjinë dhe historinë antike në ish Jugosllavi.Nga fusha e historisë së librit shkroi historinë e përgjithshme të bibliotekave,si dhe disa artikuj nga historia e librit kroat.Fushë e veçantë e hulumtimeve të tij ishte fenomeni i censurës në shoqëri,për të cilën prof. Aleksandër Stipçeviq pati shkruar tre libra.Madje në Kuvendin e Rarë të Studimeve Ilire mbajtur në Tiranë në mes të shtatorit të vitit 1972,prof. A.Stipçeviq pati mbajtur kumtesën “Simbolizëm ilir dhe simbolizëm shqiptar”,ku ndër të tjera pati theksuar:”…Simboli i gjarprit tëk ilirët kishte një përhapje shumë të madhe.Gjarperi ishte mbrojtësi i vatrës familjare,kafsha katonike më e rëndësishme e lidhur me kultin e stërgjyshërve dhe me kompleksin magjik-fetar të pjellorisë së tokës dhe të gruas.Kulti i kësaj kafshe mistike dokumentohet në radhë të parë nga burimet historike.Mjafton të kujtohet legjenda e famshme mitologjike fenikasit Kadem dhe e gruas së tij Harmonia,të cilët pasi erdhën tek ilirët ku dhe vdiqën,vazhduan të jetojnë edhe pas vdekjes në trajtë gjarperinjsh.Biri i tyre Iliri,heroi eponim i racës ilire,kishte gjithashtu trajtën e gjarpërit…”.
Përmes kësaj vepre të veçantë studimore dhe historike prof.Stipçeviq pati bërë me dije se shqiptarët janë autoktonë në trojet e tyre dhe vazhdimësia iliro-shqiptare vertetohet përmes dokumentave historike prandaj nuk le hapësirë për dyshime.Në një moment të veçantë,veç studiuesëve të tjerë nga vende të ndryshme të botës qe vertetojnë një tezë të tillë,ai i referohet studiuesit të shquar Eqerem Çabej,ku thotë:”…I ndjeri Eqerem Çabej, i cili karrjerën e vet prej shkencëtari e ka nisur në mes të dy luftrave botërore,ka zhvilluar një aktivitet të jashtëzakonshëm shkencor…do të heqi vemendjen se E. Çabej ka hartuar disa punime të rëndësishme pikërisht nga lëmi i cili hyn thellë në fushën e historisë më të vjeter ilire.Këtu duhen permendur studimet e tij me të cilët ka dëshmuar atoktoninë e popullit shqiptar në viset ku sot jetojnë,në kontinuitetin e kulteve iliro-shqiptare,qe në m`enyrën e vet mbështet tezën për atoktoninë e shqiptarëve…Kështu në një lëndë shumë të madhe arkeologjike,etnografike,antropologjike,linguistike,të cilën e kanë nxjerrë në dritë shkencëtarët shqiptarë,poredhe albanologë të tjerë si Vittore Pisani,Radosllav Katiq,Gustav Zippel,Arthur Evans,Henri Cons,Karlo Patch etj,nuk i le vend asnjë dyshimi se shqiptarët janë pasardhës të drejtpërdrejtë të ilirëve,të cilët në kohët parahistorike dhe historike kanë jetuar në në viset e tanishme etnike shqiptare… ”.
Akademiku i shquar Aleksandër Stipçeviq dha një kontribut të vlefshëm në historiografinë shqiptare,ishte një ndër më aktivët arbreshë të Zarës me origjinë shqiptare qe dha gjithçka për historinë e kombit të vet,por mjerisht vepra e tij pak njihet në vendin tonë. Zemra e tij e madhe pushoi së rrahuri me 01 shtator të vitit 2015, në moshën 85 vjeçare. Iku ky kolos i shkencës iliro-shqiptare duke na lënë veprën e tij,ashtu pa bujë,madje as medjat nuk e dhanë lajmin e vdekjes së tij.Nuk mungoi të shkruante për të studiuesi i njohur Ndue Dedaj,i cili në të perditëshmen “Shqip”,në gusht të këtij viti pati paralajmeruar në një farë menyre humbjen e tij ku qe shprehur:”…Në shkurt të këtij viti ishte sëmurë rëndë prof. Stpçieviqi, i mirënjohuri i Zarës, pasardhësi i Teutës, që në shtratin spitalor ishte fotografuar me plisin e bardhëmbi krye, në shenjë nderimi të origjinës së tij shqiptare. Teksa nuk ka munguar të rrugëtojë drejt tij urdhëri i lartë “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”, akorduar nga Presidenti Nishani…”. Por qe vonë, tepër vonë…!
LITERATURË:
- Aleksander Stipçeviq:”Interpretime albanologjike”, Shkup 1984,
- Nasho Jorgaqi: “Larg dhe afër” – Udhëtime, Tiranë 1987.
- Isak Shema: “Vlerësime të letërsisë shqiptare”, “Rilindja”, Prishtinë 1996.
- Don Ndue Ballabani: “Arbreshët e Zarës”, Zagreb 2006.
5- A.Stipçeviq, Z.Neziri: Historia dhe bibliografia e arbreshëve të Zarës”, Shkup 1997
6- Revista “Nëntori”, N.Jorgaqi:”Zëra nga larg”, Nr. 4 / 1979, fq.184.
7- Gazeta “Rilindja”, Nr. 685, datë 2 shtator 1995.
8- “Milosao”, Suplement javor i GSH, dt. 28. 02. 2010, fq. 6 – 7.
9- Gazeta “Drita”,Tiranë, dt. 22. 08.1981, fq.12.