Ali  Gjini,  Profili i njeriut të pyjeve, natyrës dhe traditës-Nga Çaush Kullafi

Ali  Gjini,  Profili i njeriut të pyjeve, natyrës dhe traditës

Nga Çaush Kullafi

Njerëzit zakonisht  janë të dashuruar me natyrën, veçanërisht me pyellin, dhe jetojnë shpirtërisht me të. Ali Gjini është nga ata njerëz që, për më shumë se tri dekada, eci nëpër shtigjet e pyjeve jo thjesht si teknik, kontrollor apo përgjegjës sektori, por si një njeri që e njihte natyrën siç njeh njeriu një mik të vjetër.

I lindur në Zabzun, në vitin 1944, Aliu u rrit mes maleve, gjelbërimit dhe ajrit të pastër të kësaj treve. Ndoshta ishte pikërisht ajo natyrë që i mbolli herët në shpirt dashurinë për pyjet. Më pas, ai e ktheu këtë dashuri në profesion, duke përfunduar Teknikumin Pyjor në Shkodër dhe  Gjimnazin e Librazhdit.

Për mbi 35 vjet, pyjet u bënë vendi i tij i punës dhe njëkohësisht një pjesë e rëndësishme e jetës së tij. Si teknik, kontrollor e përgjegjës sektori, ai i shërbeu pasurisë së gjelbër të kësaj treve me përkushtim. Për më shumë se 15 vjet ishte përgjegjës sektori në Lunik, duke ecur nëpër terrene ku çdo pemë, çdo shteg e çdo përrua dukej sikur kishte historinë e vet.

Aliu ishte si një lis i vjetër mes pyllit: i rrënjosur fort në vendin e vet, i heshtur në fjalë, por i pasur në përvojë.

Por Ali Gjini nuk është vetëm njeriu i pyjeve. Në shpirtin e tij ka vend edhe për këngën, vallen dhe traditën popullore. Ai i do këngët dhe vallet e vendit, sepse ato janë, siç do të thoshim, rrënjët që lidhin brezat me tokën ku kanë lindur.

Në jetën familjare, Aliu ka ndarë rrugëtimin e tij me bashkëshorten Hatixhen, ndërsa familja e tyre është pasuruar me fëmijët 

Floresha infermiere, ka  mbaruar shkollën è lartë të infermierisë në  Tiranë,karrierë 35 vjeçare në Shqipëri dhe Itali me liçensë infermieristike italiane, Rrushja infermiere në Austri,

Tasha infermiere në Gjermani, Lavdia ka  mbaruar për Merceologji teknologji ushqimore.

Linda punon ne Austri.Ndriçimi  punon në Itali.

Familja ka qenë për të një tjetër pyll, ku çdo degë ka vendin dhe hijen e vet, ndërsa rrënjët mbahen fort në dashuri e respekt.

Për mua, Ali Gjini është edhe mik i mirë. Miqësinë me Aliun e provova në një moment të vështirë në jetën time, dhe ai me diplomacinë e tijë arriti të ketë sukses.  Aliu  në atë  moment bashkëpunimi,  dëshmoi se miku i vërtetë nuk është ai që qëndron vetëm në ditët e lehta, por ai që bëhet krah kur rruga vështirësohet.

Prandaj, kur flasim për Ali Gjinin, nuk flasim vetëm për një teknik pyjesh, për një përgjegjës sektori apo për një banor të Zabzunit. Flasim për një njeri që ka lënë gjurmët e tij në pyje, në punë, në traditë dhe në miqësi.

Pyjet mund të harrojnë hapat e njeriut, por njerëzit nuk harrojnë gjurmët e një njeriu të mirë. Dhe Ali Gjini është një nga ata njerëz që, ashtu si një pemë e mbjellë në tokë të mirë, ka lënë pas vetes jo vetëm kujtime, por edhe respekt.