
PO TË LË TË SHËTISËSH NJË COPË HERË NË MENDIMET E MIA
Mos u zmbraps nga rrëmuja
është pjesë e rregullit tim.
Do të gjesh disa qëndrestarë të vegjël vigjilentë
që bëjnë të vështirin
por thellë thellë presin vetëm një përkëdhelje.
Do të të lënë të hysh.
Mos shiko Frikën dhe Trembjen
janë dy Zonja të Para
që mezi presin
të shfaqen tërheqëse me të rejat e tyre.
Por ti ec përpara
kanë pak për të të rrëfyer.
Sapo të kesh kapërcyer kurbën e shpresës
le të themi mes pavetëdijes dhe (pa)arsyes
atje mund të magjepsesh
prej dëshirave të mia.
I dallon ato me shkronja të pjerrëta?
Pikërisht, për to zgjodha një veshje elegante.
Prej këtyre mëkatareve e humba toruan .
Por s’jam prangosur.
E me që je
më çliro pak çmenduri
nata çirret dhe çapërlon
nuk më lë të pushoj.
Melankonia duhet lexuar përherë për atë që mbart
pjesërisht për zgjedhje, pjesërisht për art.
E pohoj, ndaj, mos u përpiq të vësh rregull,
herën e fundit
mu deshën dy vjet përpjekje
për të riorganizuar.
Mund të qëndrosh sa të duash,
apo të rrish të flesh,
por kujtohu të më puthësh sytë
nëse vendos të dalësh.
**********
Andrew Faber
Sjell në shqip M. Zegali Rustemi Marjana
#rustemimarjana #art #letersi #kulture
Artist – Victor Bauer Gallery | American painter