Arif Dalan Abazaj – Një jetë në shërbim të atdheut, një emër i nderuar i Kallaratit

(6 janar 1928 – 28 dhjetor 1993)

– Sipas kujtimeve të mikut dhe kolegut të tij, Mikado Shakohoxha dhe të dhënave biografike të lëna nga vetë Arif Abazaj, të cilat u mblodhën dhe u sistemuan nga e bija, Luljeta Arif Lajthia (Abazaj) –

PREJARDHJA DHE RRUGËTIMI I ARSIMIMIT USHTARAK

ARIF DALAN ABAZAJ lindi në Kallarat më 6 janar 1928, në një familje bujqish. I ati, Dalani, punoi për një periudhë si punëtor në Kuçovë. Më pas, familja u vendos në Mavropull, në zonën e Vurgut, ku Dalani shërbeu si anëtar dhe sekretar i këshillit popullor nga tetori i vitit 1944 deri në vitin 1951, kur u nda nga jeta.

Lufta Nacionalçlirimtare e gjeti Arifin në moshë të vogël dhe, sipas shënimeve të tij, ai nuk mori pjesë aktive në të. Rrugëtimin ushtarak e nisi më 27 dhjetor 1947, si ushtar në Korçë. Prej asaj kohe e deri në daljen në pension, ia kushtoi jetën shërbimit ushtarak dhe ngritjes së vazhdueshme profesionale.

Arifi u arsimua dhe u kualifikua në shkollat ushtarake të Tiranës, Shkollën e Bashkuar të Oficerëve “Enver Hoxha”, kurset e specializimit dhe përgatitjen në artilerinë kundërajrore. Titullin e oficerit aktiv e mori në janar të vitit 1952.

Në periudhën dhjetor 1952–korrik 1954, kreu specializimin e tij në artilerinë kundërajrore në Shkollën e Bashkuar, si dhe detyrën e zëvendëskomandantit të grupit në Repartin 3700, në Tiranë. Këtë specialitet e kishte ushtruar edhe daja i tij, Shahin Jonuzi.

Nga tetori 1958 deri në vitin 1961 kreu Kursin e Parë Akademik në Tiranë. Në vitin 1974 ndoqi kursin e lartë të akademisë për kuadrot e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. U kualifikua gjithashtu në radiolokacion dhe përfundoi një kurs të lartë njëvjeçar në Shkollën e Partisë së Punës për kuadrot e larta të ushtrisë.

Për rezultatet e shkëlqyera në akademi, emri i tij u shënua në Librin e Artë të saj. Nuk zotëronte një gjuhë të huaj me shkrim e lexim, por kishte fituar në mënyrë autodidakte disa njohuri të rusishtes.

NJË MIK DHE KOLEG QË KUJTOHET ME RESPEKT

Këto kujtime – shkruan Z. MIKADO SHAKOHOXHA, ish ushtarak i lartë nga Vranishti – ia kushtoj Arif Abazajt, shokut tim të mirë të punës për shumë vite në Grupimin e Tiranës. Me dijet, përkushtimin dhe ndjenjën e përgjegjësisë, ai u bë pjesë e pandarë e arritjeve të kësaj njësie ushtarake. Arifi lindi më 6 janar 1928 në Kallarat dhe u nda nga jeta më 28 dhjetor 1993. Emri i tij mbetet i nderuar e i respektuar në vendlindje, në Kurveleshin e Poshtëm, në Vlorë dhe mes bashkëpunëtorëve të tij.

Për Arifin dëgjova për herë të parë në vitin 1967, në Akademinë Ushtarake “Mehmet Shehu”. Flitej me respekt për një djalë nga Kallarati, i cili kishte përfunduar me rezultate të larta studimet në profilin e artilerisë dhe më pas ishte dalluar në drejtimin e Regjimentit Kundërajror të Durrësit, për nivelin profesional dhe përkushtimin në detyrë.

Një fakt që më ka mbetur në kujtesë është se, ndonëse ishte komandant regjimenti, ai kalonte një pjesë të madhe të kohës në Komandën e Mbrojtjes Kundërajrore në Tiranë. Aftësitë profesionale dhe njohja e thellë e artilerisë kundërajrore e bënin të nevojshëm kontributin e tij edhe përtej njësisë që drejtonte. Së bashku me oficerët e shtabit, zbërthente direktiva, hartonte urdhra e udhëzime dhe përgjithësonte përvojën për këtë armë në shkallë ushtrie.

KONTRIBUTI NË GRUPIMIN OPERATIV TË TIRANËS

Krijimi i Grupimit të 6-të Operativ në Tiranë, në vitin 1972, ishte një ngjarje e rëndësishme për ushtrinë. Me shumëllojshmërinë e strukturave të tij, grupimi pasqyronte në përmasa të përmbledhura organizimin e ushtrisë shqiptare. Struktura komplekse, shtrirja në disa rrethe, pothuajse në gjysmën e vendit, si dhe cilësia e efektivave, veçanërisht e kuadrove drejtues, e kthyen atë për vite me radhë në një shkollë të madhe të përgatitjes ushtarake. Aty provoheshin ide, zhvilloheshin eksperimente dhe organizoheshin stërvitje e mësime treguese, përvoja e të cilave përhapej më pas në ushtri.

Arif Abazaj ishte ndër themeluesit e Grupimit Operativ të Tiranës. Në këtë njësi u përqendrua një pjesë e rëndësishme e artilerisë së ushtrisë, me nivel të lartë përgatitjeje dhe me detyra stërvitore e luftarake me rëndësi të veçantë për vendin. Nga krijimi i grupimit deri në daljen në pension, Arifi kreu detyrën e zëvendëskomandantit, duke dhënë një kontribut të çmuar në arritjet e kësaj njësie.

VITET E BASHKËPUNIMIT DHE MIQËSIA MES FAMILJEVE

Edhe unë pata fatin të bëhesha pjesë e këtij shtabi në vitin 1974. Puna e përbashkët gjatë viteve 1974–1983 më lidhi ngushtë me Arifin. Përgjegjësitë e tij përfshinin një pjesë të madhe të ushtarëve aktivë, njësi e reparte të veçanta dhe disa nga detyrat më të rëndësishme të grupimit. Ai ishte i pranishëm në përgatitjen dhe zbatimin e çdo detyre të rëndësishme stërvitore e luftarake të njësisë së bashkuar.

Krahas detyrave ushtarake, Arifi kishte fituar besimin e shokëve për t’u zgjedhur sekretar i organizatës së partisë në shtab, përgjegjësi shoqërore që e përmbushi me seriozitet dhe dinjitet.

Marrëdhëniet tona u forcuan edhe nga njohjet familjare. Prindërit e mi njihnin dajën dhe vjehrrin e tij: kallaratasin Çune dhe bolenasin Selman. Miqësia mes familjeve tona u bë aq e afërt, sa dy djemtë e mi të vegjël i quanin kushërinj të dashur dy djemtë dhe dy vajzat e Arifit dhe Lumës.

Grupimi i Tiranës më ka mbetur në mendje e në zemër si një vend ku do të dëshiroja të kthehesha përsëri. Duke shkruar këto rreshta, përpiqem të shpreh sadopak mirënjohjen ndaj atyre shokëve që u bënë për mua një shkollë e madhe. Më kujtohen diskutimet e gjata, plot përgjegjësi, nëpër zyra: për mbrojtjen e Tiranës, hartimin e planeve operative, punimet e fortifikimit, sigurimin dhe mbështetjen sipas armëve e shërbimeve, organizimin e stërvitjeve dhe mbështetjen ekonomike dhe financiare.

Arifi dhe kuadrot kryesorë të shtabit, nën drejtimin e Bejto Isufit dhe me praninë e shokut tonë të pandarë, Selimit, trajtonin çdo çështje me durim dhe profesionalizëm. Ata i mbështetnin zgjidhjet në argumente teorike dhe në të dhënat më të fundit. Kur shihje atë përkushtim, të bëhej zemra mal.

USHTARAKU I PËRGATITUR DHE NJERIU ME ZEMËR TË NGROHTË

Arifi dallohej për formimin e gjithanshëm ushtarak. Për vite me radhë ishte ndër më aktivët në çështjet e stërvitjes dhe të gatishmërisë. Në ngjarjet dhe periudhat e vështira të ushtrisë, përfshirë ato të viteve 1960, 1974 dhe 1980, qëndrimet e tij mbetën dinjitoze. Në vështirësitë e jetës, nuk ia kurseu askujt ndihmën dhe mbështetjen e tij.

Në klasa e kabinete, në poligone dhe në qitje, sidomos në Tale e Divjakë, apo në stërvitjet komplekse në terren malor e në kushtet e dimrit, në Bizë, Fushë-Lugje dhe Mirditë, Arifi përcillte dije dhe ngrohtësi njerëzore. Mendimi dhe kontributi i tij kishin peshë në materialet që përgatiteshin në shtab: analiza, informacione, raporte, urdhra, udhëzime, plane masash, diskutime dhe kumtesa për sesione shkencore.

Ai i përkiste atyre njerëzve që jo vetëm kërkojnë të vërtetën, por edhe jetojnë me të. Ndershmëria, durimi, solidariteti dhe dashuria për punën ishin tipare të qëndrueshme të karakterit të tij gjatë gjithë rrugëtimit ushtarak: nga bankat e shkollës, te detyrat e para si oficer e deri në shtabet dhe komandat e larta.

Në pamje të parë, fytyra e tij të kujtonte një copë shkëmbi të shkëputur nga Bogonica, mali mbi Kallarat që ai e adhuronte. Por ajo ashpërsi e jashtme zhdukej sapo nisje të bisedoje me të. Arifi nuk të imponohej, nuk të bërtiste, nuk të fyente dhe nuk i bënte reklamë punës së vet. Ishte një ushtarak korrekt, me interesa të gjera kulturore dhe me aftësi për të ndërtuar marrëdhënie të mira me njerëzit.

Si njohës i metodës së punës dhe i përgatitjes ushtarake, ai dinte të kërkonte, të shpjegonte dhe të ndihmonte. Kolegët dhe vartësit i shihte, mbi të gjitha, si njerëz me ndjenja, interesa dhe personalitet që duhej respektuar.

FAMILJA, DASHURIA DHE TRASHËGIMIA NJERËZORE

Për Arifin, familja ishte e shenjtë: pjesa më e rëndësishme e jetës, vendi ku gjente qetësi e kënaqësi shpirtërore dhe burimi i frymëzimit për të përmbushur detyrat në kohë e me cilësi. Në shtëpinë e tij mbizotëronin dashuria, respekti, mirëkuptimi dhe biseda e përbashkët. Arroganca dhe arbitrariteti nuk kishin vend aty.

Së bashku me bashkëshorten e tij, Lumturinë, bolenasen dinjitoze që të afërmit e thërrisnin Lume, Arifi rriti dhe edukoi katër fëmijë: dy djem dhe dy vajza. Me formimin qytetar, intelektual, shoqëror e profesional dhe me punën e tyre, ata nderojnë veten dhe kujtimin e prindërve.

Krahas cilësive të shumta personale e profesionale, Arif Abazaj ishte edhe një aktivist shoqëror i palodhur. Jeta e tij dëshmon se respekti dhe vlerësimi i qëndrueshëm fitohen me punë, me aftësi dhe me vlera njerëzore. Ai nuk la pas prona e pasuri, por la një emër të mirë, kujtime të ngrohta dhe shembullin e një jete të ndershme e dinjitoze.

PËRGJEGJËSITË SHOQËRORE, SHKRIMET DHE LIDHJA ME KALLARATIN

Gjatë shërbimit ushtarak, Arif Abazaj mbajti gradën e kolonelit. Krahas përgjegjësive komanduese dhe drejtuese, si anëtar i Partisë së Punës, kreu edhe funksione në organizatën e partisë në Grupimin e Tiranës dhe detyrën e kryetarit të komisionit të revizionimit të këtij grupimi.

Bashkëshortja e Arifit, Lumturi Leskaj, ishte nga Bolena. Të katër fëmijët e tyre përfunduan arsimin e mesëm, ndërsa njëra nga vajzat përfundoi arsimin e lartë në ekonomi.

Krahas detyrave ushtarake, Arifi shkroi artikuj në revistën ushtarake të kohës dhe kujtime për shkollën e parë të hapur në Kallarat. Vendlindjen e mbajti gjithmonë në mendje e në zemër, edhe pas largimit të familjes prej saj. Lidhja me Kallaratin mbeti pjesë e pandarë e jetës dhe e kujtimeve të tij.

DEKORATAT DHE VLERËSIMET

Për shërbimin ushtarak dhe rezultatet në punë, Arif Abazaj u nderua me urdhra, medalje dhe fletë nderi. Në shënimet biografike përmenden:

• “Ylli i Kuq”, me dekret nr. 2714, datë 9 korrik 1958.

• “Ylli i Shërbimit Ushtarak”, klasa III, me dekret nr. 4401, datë 7 qershor 1968.

• Medalja e Shërbimit Ushtarak.

• Medalja e 10-vjetorit të Ushtrisë Popullore.

• Medalja e 45-vjetorit të krijimit të Partisë së Punës.

• Fletë nderi për punë të mirë në front, në qitje, në stërvitje në shkallë republike dhe në përgatitjen e dy paradave të fundit para vitit 1990.

VITET E FUNDIT DHE KUJTIMI QË MBETET

Arifi doli në pension në vitin 1984. Në këtë vendim ndikoi edhe një sëmundje që e mundoi deri në fund të jetës. U nda nga jeta më 28 dhjetor 1993, duke lënë pas kujtimin e një babai shembullor, të një ushtaraku të përkushtuar dhe të një njeriu të ndershëm e me dinjitet.

– Sipas kujtimeve të mikut dhe kolegut të tij, Mikado Shakohoxha dhe të dhënave biografike të lëna nga vetë Arif Abazaj, të cilat u mblodhën dhe u sistemuan nga e bija, Luljeta Arif Lajthia (Abazaj) –

 ·