Llesh Gjomarkaj

Atje mes resh,
ku flen shpresa e trishtimi,
kur dielli i mëngjesit
zbret mbi maja malesh.
Atje ku takohen
në udhëkryqe triumfi e zhgënjimi,
atje ku je kohë mes kohësh
e kurrë s’mund të ndalesh.
Andrrat rrëmbejnë netët
shtigjeve pa emër,
peng i pengjeve mbeten
fjalët e pathana.
Ato që aq gjatë
i rujtëm në zemër,
mes resh kurorë drite
i shëndrit hana.
Pajtore e netëve
që ikën e s’u kthyen,
dëshira, premtime e dashuri
në mes të lana.
Nuk e di: fati na zhgënjeu,
apo ne e zhgënjyem;
në të fundmen ditë
pajtore do të jetë hana.