Melisa Baboci
“Baba, ne…”
Baba, ne ikëm… shtëpinë e lamë pas,
dhe portën e vjetër e mbyllëm ngadalë,
ti mbete aty si hije në mur,
unë ika larg, me zemrën si plagë.
Të kujtoj kur niseshe herët në mëngjes,
në errësirë të ftohtë, me hap të rëndë,
zemra të dhembte, por s’e tregoje kurrë,
se për ne fëmijët kishe një qëllim të shenjtë.
Ti nuk kërkoje asgjë për vete,
as fjalë, as pushim, as pak dritë,
vetëm të rriteshim ne pa mungesë,
edhe kur ti vetë mungoje çdo ditë.
Tani të shoh në kujtime si në ekran,
një video e vjetër që s’flet më dot,
dhe unë të flas me vete në heshtje,
si njeri që dashurinë e kuptoi vonë.
Baba, ne u bëmë të huaj me kohën,
u ndamë në rrugë që s’preken më,
dhe unë kam frikë kur mendoj një ditë,
mos të vijë fjala “vonë” për ne.
Melisa_Poetry