Betim dashurie-Vullnet Mato

Vullnet Mato
BETIM DASHURIE
(Gazmore)
Me gojë shpesh
më ke thënë: “Të dua!”,
por asnjëherë
S’je betuar thellësisht,
se me tjetër burrë,

ti, mua,

nuk do më ndërrosh

tradhtisht!
Betohu,
për zemrën e artë të nënës,
për gjakun e bardhë
qe të dha ajo prej gjirit,
për miliona
rrahje të zemrës së saj,
për mijëra pika loti,
të syrit!

 

Betohu,
për dritën, që të ka falur dielli,
për pranverat e përjetuara
në të tuat vite jete,
për frymën
që të ka dhuruar qielli,
për ujin
që të ka shuar etjen!

 

Betohu,
për bukurinë
tënde vajzërore,
për gëzimet,
që përjeton çdo ditë,
për ëndrrat e tua rinore,
për dy sytë,
që të shohin dritë!

 

Betohu,
se do të më duash,
pa vënë dorën
mbi bibël dhe kuran,
por siç dashuron
më besnikja grua,
që e do burrin,
si nënën e babanë!…
Atëherë do të besoj.

e do krijoj shpresën,

pa të imponuar,

dashurinë time, natyrisht…

Eja, t’i japim njëri-tjetrit besën,

duke u lidhur bashkë,

gisht më gisht!…