Sauk-Qendër-Surprizë Tetori 2026
– Konferenca e 36-të e Shkrimtarëve të Perëndimit të Mesëm Amerikan (Midwest) –





Pas dy orësh në timon, arrij në Sauk-Qendër në veri-perëndim të metropolit. Freskia e mëngjesit në këtë zemër të autoktonëve të Minnesotës vjen si përshëndetje dhe kujtesë. Jam në Sauk. Them “Mirëmëngjes” shqip dhe vë buzën në gaz. Është nënqeshje, sepse më kujton Saukun e Tiranës. Ky emër nuk ka asnjë lidhje me shqiptarët, por me popullin autokton Sauk dhe lumin me të njëjtin emër aty pranë. Në këtë qytet ka lindur nobelisti i parë amerikan në letërsi, Sinclair Lewis, i laureuar më 1930. Për çudi, ai ka vdekur pranë Shqipërisë, në Romë, më 1951.
Kur ne rrëzonim muret e kalbura të “socializmit fitimtar” më 1990, në Sauk-Qendër, shoqëria me emrin e nobelistit minesotas, Sinclair Lewis, thirri konferencën e parë të shkrimtarëve amerikanë të Perëndimit të Mesëm (Midwest). Qysh atëherë, kjo shënohet si konferenca më jetëgjatë dhe mbahet rregullisht për të 36-in vit. Ndihem me fat dhe i privilegjuar të shënoj pjesëmarrjen e parë shqiptare me emrin tim: Shefqet Meko.
Nuk është konferencë e zhurmshme. Është një takim emocional i atyre që shkruajnë dhe nuk ndalen. Njeriu i parë që takova ishte një ish-prift në rrethinat e këtij qyteti, që më befasoi kur u prezantuam. “Unë shkruaj dhe, përderisa vijoj të shkruaj, besoj se jam shkrimtar”-më tha. Mbeta pa gojë. Ta pyesja sa libra kishte botuar? “Është shpirti i Zotit që shkruan, jo thjesht unë”, më thotë i saponjohuri. Jam përballë një njeriu me flokë të thinjur dhe përfytyroj meshat e pafundme të priftit në pension. Bisedat e rrëfimet e besimtarëve… Dhe më duket se ai “noton” në ngjarje pa fund, ndaj vijon të shkruajë. Unë rrëfej shkurt ardhjen në Amerikë 27 vjet të shkuara dhe ai më thotë: “Çfarë historie e bukur!”
Fillon konferenca. Në çelje nuk harrohet të thuhet se jemi mbledhur te “toka e grabitur” dhe lufta ndaj kësaj padrejtësie nuk do të ndalë kurrë! Sikur më dridhet nën këmbë toka e autoktonëve indianë dhe godina sikur shembet mbi mua e na zė të gjithëve. Është zëri i një zonje shtatë muaj shtatzënë, që flet, ndërsa unë dëgjoj i heshtur. “E padrejtë”, pohoj instinktivisht, por pa atë “mëkat të barbarisë së të bardhëve”, as unë, as këta shkrimtarë nuk do të ishim këtu… Mbase as vetë ajo zonja me protestën e saj. Përfytyroj ndryshe… Unë ende në Shqipëri, “autoktonët amerikanë” këtu dhe bota pa “aventurat” e perëndimorëve, më mirë apo më keq?…
Nuk kam kohë të mendoj. Fillon seanca plenare. Përplasen shkrimtarët. Douglas Wood, muzikant, këngautor, natyralist dhe shkrimtar me tre milionë kopje të shtypura, thotë se “tre sekretet” e të shkruarit do t’i rrëfejë në fund, por citon: “Unë shkruaj e do të vijoj të shkruaj dhe nuk më bëhet vonë nëse ti nuk e pëlqen. Unë shkruaj.” Ky citim ngjall debat. Wood insiston se nuk e tremb mospëlqimi i tjetrit; ai vijon punën, shkruan. Shkrimtari tjetër nga Minneapolis, Peter Geye, PhD, autor i gjashtë romaneve dhe fitues i disa çmimeve në Minnesota, thotë se zhgënjimet bashkudhëtojnë me çdo shkrimtar. A duhet të dorëzohet dhe të dekurajohet shkrimtari? Ky debat sikur kthehet në “dallgën” e parë të kësaj konference. Secili nga panelistët ka mendimin e vet. Shkrimtarja autoktone amerikane Marcie Rendon, dramaturge, poete dhe autore e disa librave, që ka filluar karrierën e vet qysh më 1991, mendon se vetëm qëndresa e durimi të çojnë te suksesi. (Ajo shkruan atë që e quan “letërsi rurale”, diçka e pakonceptuar ende në Shqipëri.) Shkrimtarja për fëmijë Payal Doshi, e lindur në Mumbai të Indisë, residente në Edina, qytet fqinj me Minneapolis, mendon se disiplina në të shkruar dhe ruajtja e autenticitetit të sjellin suksesin. Unë dëgjoj. Më vjen në mendje se pak a shumë këto ide për rrugën e suksesit i kemi debatuar më shumë se 40 vjet më parë, në biseda me shkrimtarët tanë Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Dalan Shapllo, Teodor Laço etj. Natyrisht, nuk duhet harruar: vetëm në kohën e lirisë unë mund të dëgjoj “këshilla nga shkrimtarë amerikanë” pa pasur frikë se ç’them.
Konferenca e 36-të e Shkrimtarëve të Perëndimit të Mesëm Amerikan ishte një bisedë e lirë. Në panele të veçanta, secili kishte një temë, ndërsa auditori disa pyetje. Ajo që dua të veçoj ishte rrëfimi i qetë i Douglas Wood. Ai filloi duke rrëfyer, sipas tij, “tre sekretet” e premtuara: “Fillo-mbaro-rifillo”. Duke qeshur, tha se edhe Mark Twain thoshte se ishte “rishkrues, jo shkrimtar” (“I am a rewriter, not a writer”). E pyeta se si mund të “gjuash një agjent” si shkrimtar. U përgjigj thjesht: “Nuk kam agjent”. Wood, që është edhe një shkrimtar hulumtues i natyrës së egër dhe faunës, rrëfeu një debat me botuesin, që kërkonte t’i hiqte një shprehje ku Zoti referohej edhe si “Ajo”, por ai nuk pranoi dhe botimi u mirëprit. Një pjesëmarrëse i kujtoi autorit se një detaj të librit e kishte përdorur prifti i kishës së saj në një meshë dhe salla kishte qeshur. Duke marrë pjesë në bisedë, thashë se edhe gjuha shqipe, si më e vjetra në botë, përdor fjalën Zot, por edhe Perëndi (duke i theksuar në shqip).
Koha e drekës ishte koha e bisedave. Të gjithë kemi “një menu”. Thjesht, si amerikanët: sanduiç dhe supë me oriz të egër, si banorët e parë. Nuk ka salltanete Tirane! Më shumë ka biseda dhe njohje. Në tavolinën e drekës pata shkrimtarin Peter Geye dhe një mësues që kishte dalë në pension. Ndodhi që shkrimtari Peter Geye ishte nga Minneapolis dhe jetonte pranë meje. Më shënoi dedikimin te romani i tij “A Lesser Light”. I premtuam njëri-tjetrit se do të shiheshim. Interesant ishte mësuesi në pension. Edhe ai shkruante, por jo si kushdo. Ai shkruante humor për fëmijë. “I ke botuar?” e pyes, ndërsa më rrëfen se ka jetuar në Teksas, Mizuri, Maryland dhe tani “nipi e kishte sjellë” në Sauk. “Jo, nuk kam botuar. Shkruaj për vete. Gjërat më të mira i printoj dhe ua fal fëmijëve, sidomos ditën e Halloween-it, bashkë me karamelet tradicionale. Ndihem mirë. I shoh të largohen duke futur në trasta rrëfimet e mia, që përzihen me karamele dhe çokollata. Nuk ka kënaqësi më të bukur.” Mbetem pa mend. Pyes veten: A kemi ne shkrimtarë të tillë? Nxjerr nga çanta “Viza Amerikane” dhe ia fal me një dedikim si nxënës, se më kujtoi gjithë mësuesit e mi. “Puna paguhet. Sa?…” më pyet, ndërsa i buzëqesh. “Nuk ka pazar me mësues.” I ndrisin sytë, mua më gufon zemra…
Në buzëmbrëmje, konferenca vijon me një koktej përmbyllës. Në fakt, ajo vijon, por pa mikrofona, plot mbresa, rrëfime e çaste të çlirta. Më duket sikur kam zbuluar Amerikën e panjohur dhe unë vijoj rrëfimet për Shqipërinë, për të cilën pakkush është i informuar. Takime të tilla të bindin dhimbshëm se jemi të vegjël, shumë të vegjël. “Kujtova se po thoshe ‘jam nga Alabama’, ti qenke nga Albania”, më thotë i buzëqeshur Douglas Wood, duke më hedhur dorën në qafë, dhe shkrepet fotografia. Me shkrimtarin e ri Benjamin Sonnek, këmbyem librat si kredenciale. Ai sapo ka botuar novelën fantastiko-shkencore Cyberwood, dhe përpiqet të gjejë tregun sikurse edhe unë. Puna e tij në gazetën lokale “Sauk Centre Herald” më kujtoi vitet e gazetës. Me shkrimtaren nga India, Payal Doshi, na bashkojnë në bisedë emrat e Nënë Terezës nga Shqipëria dhe të Raxh Kapurit. Qeshim. E pyes për filmin “Zonja e panjohur”; ajo ngre supet. Është brez tjetër. Mosha mbetet “piramidë” që duhet respektuar! Shkrimtarja Marcie Rendom është “pus i thellë”. Ajo rrëfen dramat dhe krimin në “Minnesotën rurale”.Librat e saj sjellin në art, jetën larg metropoleve ku siç thotë “kur fryn era, e ndiej, është era ime…dhe shiu mbetet imi”.
Koha rrokulliset, por askush nuk do të largohet. Disa më afrohen dhe porosisin librin tim në Amazon. Ka një interes se si ishte komunizmi. Rrëfej e sjell si referencë Albanian Downfal. Ndihem mirë. Fitova disa miqësi dhe pesë lexues më shumë.Jo keq. Një lexues është një botë njeriu. Para se të marr rrugën e kthimit, ndaloj pak te shtëpia e shkrimtarit nobelist. Nuk munda të futem brenda. Hija e tij sikur bëhet “çadër”, ndërsa ca pika shiu rrjedhin nga qielli. Dua ta pyes “hijen” sa letra anonime iu dërguan kundër çmimit Nobël në Norvegji. Por “hija” hesht dhe sikur i hedh një sy librit tim “Saga përtej Atlantikut”, që e vendos mbi parvaz si dëshmi modeste shqiptare, sa për një fotografi. “Sa letra t’u shkruan? A nuk më thua?”- pyes përsëri. Heshtje. Nën “hijen” e tij, edhe përfytyrimi im merr krahë. Befas, një “flamingo” zbret nga qielli dhe e rrëmben librin tim, duke e shqyer me sqepin e gjatë… Hija zhduket dhe unë largohem jo pa frikë. “Flamingoja” mund të më kishte nxjerrë sytë përballë shtëpisë së nobelistit amerikan. “U bëre ti! U bëre ti…” gumëzhin një zë korbash të zinj. Mbase janë personazhet e shkrimtarit, mendoj, edhe pse e di të vërtetën. Është “shpirti i zi” shqiptar që është bërë “lakuriq i natës”… “Djajtë janë kudo, jo vetëm tek ju”, sikur më qetëson një pëshpërimë nga shtëpia e shkrimtarit të parë amerikan nobelist.
Marr rrugën e kthimit për në Minneapolis, i mbushur plot mendime. “Sa mirë bëra që erdha… Sa mirë. Sa ndryshe”, i pëshpëris vetes. Shkrimtarët flasin me vete. E shijoj këtë “ves”. Në timon, i vetëm, sikur fluturoj. Në shtëpi më pret ime shoqe… Djemtë janë në shtëpitë e tyre… Një ylber varet nga qielli dhe më kujtohen vitet e fëmijërisë. Makina ime “më lexon” mendimet dhe “vrapon” pa zhurmë drejt ylberit që më përshëndet mua dhe diellin që po perëndon .
Ishte një ditë tetori në Sauk të Minnesotës. Një ditë që perëndoi me ylber magjik, si kujtesë e bukur e Tetorit të Letërsisë në Shqipërinë e shekullit të ngrysur.
SHEFQET MEKO
Minneapolis, 4 Tetor 2026