“Cet amour” – “Kjo dashuri” Jacques Prévert -Sjell në shqip- M.Zegali Rustemi


KJO DASHURI

Kjo dashuri
Kaq e vrazhdë
Kaq delikate
Kaq e qetë
Kaq e pikëlluar
Kjo dashuri
E bukur si dita
E pabesë si moti
Kur moti është i keq
Kjo dashuri kaq e vërtetë
Kjo dashuri kaq e hijshme
Kaq e lumtur
Kaq e hareshme
Kaq e papërfillshme
Rrëqethëse prej frikës si një fëmijë në errësirë
Kaq e sigurt tek vetja
Si një njeri i qetë në zemër të natës
Kjo dashuri që bënte të frikeshin
Të tjerët
E i bënte të flisnin e të zbeheshin
Kjo dashuri që e mbanin në sy
Sepse ne e mbanim në sy
e lidhur, e plagosur, e nënshtruar,
e përzënë, e mohuar, e shuar
Sepse ne e mbanim të lidhur,
të plagosur, të nënshtruar,
të përzënë, të mohuar, të shuar
Kjo dashuri që na rrethon
Kështu e gjallë akoma
E puthur nga dielli
Është dashuria jote
Është dashuria ime
Është e pandryshuar
Kjo ndjenjë përherë e re
Asnjëherë e tjetërsuar
E gjallë si një bimë
Drithëruese si një zog
E nxehtë me gjallëri si stina e verës
Që ti edhe unë e bëjmë të mundur
Të vemë e të vijmë sërish
Të harrojmë
Dhe pastaj akoma të përgjumur
Të zgjohemi, të vuajmë, të plakemi
Të riflemë
Të mendojmë vdekjen
Të rinohemi
E prap zgjuar, të qeshur, të gëzuar
Dashuria jonë që nuk mbaron
Kokëfortë si mushka
E gjallë si dëshira
Mizore si kujtesa
E pamend si pendesa
E butë si kujtimi
E ftohtë si mermeri

E bukur si dita
E brishtë si një foshnjë
Që na sheh buzëqeshur
Që na flet pa folur
E unë që dëgjoj rrëqethur
Dhe thërras
Thërras për ty
Thërras për veten
Përgjerohem
Për ty, për mua, për të gjithë ata që dashurohen
E që janë dashuruar
Oh, po thërras
Për ty, për mua, për të gjithë të tjerët
Që nuk i njoh
Qëndro aty ku je
Mos u largo
Qëndro aty ku ishe një herë e një kohë
Qëndro aty ku je
Mos lëviz
Mos shko
Ne që jemi të dashuruar, ne të kishim
Harruar
Ti mos na harro
Asgjë veç teje s’patëm në këtë botë
Mos na lër të ngrijmë në të ftohtë
Larg, përherë e më larg
Atje ku ti do
Na kujto
Tej, më tej, natën
Në pyllin e kujtimit
Çohu papritmas
Dorën na zgjato
Na shpëto.
**********
Jacques PRÉVERT
Titulli origjinal : “Cet amour” / “Kjo dashuri”


Sjell në shqip, M.Zegali Rustemi Marjana
Ilustrimi: Artist – anonimo