Ervina Toptani

Shtatorët që vinin dikur e që sot nuk i njohim më…
E nis gjithnjë me veten, çdo perceptim, çdo ndjesi, çdo emocion. Jam mësuar qysh prej së vogli të “lexoj” gjithçka ka lidhje me shpirtin e ta përpunoj në arsyetim.
Çdo shtator të jetës time, hyj në të gjitha libraritë e kancelaritë e qytetit, dikur të Tiranës, më pas të qyteteve ku jeta më solli t’i jetoj. Shkoj dhe mbushem me frymë pse ka disa aroma që kanë lidhje me shpirtin, me kujtimet e jetës tonë, me çaste që nguliten thellë në ne e bëhen pjesë e qenies. Aroma e shtatorit ishte njëra prej tyre: letra e librave të rinj që botohen, fletoret, lapsat me ngjyra, goma me atë aromën karakteristike të fabrikës, mbështjellëset plastike, penelat, kompasët e dhjetra mjete të tjera.
Sot, sigurisht e pêrjetoj si ndjesi që më kthen pas pse kam nevojë për takime të herëpashershme me veten time të dikurshme. Sot kreva ritualin e çdo fundvere, të atyre kohëve kur shtatori nuk ishte një muaj kalendarik, por një premtim. E prisnim fillimin e shkollës me aq dëshirë, ne brezi i lodhur i tranzicionit, prisnim të takonim njëri-tjetrin, të shfetonim librat e rinj, të takonim mësuesit. Prisnim atë ndjesinë e çuditshme se përpara nesh hapej përsëri bota që nuk e njihnim e mezi prisnim ta zbulonim.
Prindërit kursenin për ne, një palë këpucë të reja, një çantë, disa fletore, ndonjë bluzë; gjëra të vogla që sot mund të duken të parëndësishme, por që atëherë për ne mbartnin peshën e dashurisë. Ne e dinim, edhe pa e ditur, se pas asaj çante të re që mbanim në sup fshihej sakrificën e prindërve, shpesh atyre prindërve që jepnin gjak për t’u blerë fëmijëve diçka të re, siç bënte mami im. Ajo që ne kishim dikur nuk ishin sende siç janë sot më së shumti, por ishte historia e jetës dhe sakrifica e familjes. Edhe një libër i ri nuk ishte vetëm libër, por dera që hapej drejt të ardhmes. Shkolla ishte vendi ku përgatiteshim për t’i sjellë Atdheut ardhmërinë e merituar, njëri tjetrit dinjitetin e munguar, vetes respektin dhe meritokracinë. Por diku gjatë rrugës, gjithçka ndryshoi, gjithçka u tjetërsua…
Shtatori po vjen përsëri, por duket sikur se nuk e sjell më atë dritën që mbartin shtatorët dikur. Fëmijët, adoleshentët e përjetojnë ardhjen e tij me bezdi, me përtesë, prindërit shpesh e përjetojnë me frikë. Çfarë kemi bërë ne prindërit e mësuesit e sotëm, edukatorët e brezit të ri për ta prishur atë ëndërr aq të bukur? Përse në një çast të caktuar që asnjëri nuk e mbajti shënim, i shtymë fëmijët të duken e jo të jenë? U kemi mësuar se vlera mund të vishet, të fotografohet, të shfaqet me telefonin më të shtrenjtë, markat më e famshme, pse fotografitë duhet të marrin “like” e neve të na rritet vetëbesimi nëpërmjet të qenit bosh. U mësuam tashmë ta fshehim boshllëkun nën petka të shkëlqyeshme e kêtë ua bëmë dhuratë fëmijëve që rriten me shembull personal. Kjo është më e rrezikshme se çdo teknologji. Nuk është faji i inteligjencës artificiale, as i rrjeteve sociale të cilat furnizohen nga boshllëku ynë dhe ushqehen nga paaftësia jonë për të qenë. Ushqehen vetëm nga dëshira jonë për t’u dukur. Ne u kemi hequr fëmijëve tanë dëshirën për të zbuluar botën, jetën, ua zëvendësuam pyetjet me celularët e gatshëm, ua mbushëm çdo heshtje me ushqim të gatshëm mendor, u hoqëm mërzinë, pritjen, pengesën, mungesën e kështu me apo pa dashje, u hoqëm edhe një pjesë të asaj hapësire ku dikur lindte imagjinata.
Dikur një fëmijë mund të rrinte vetëm me orë duke lexuar, siç bënim një pjesë e mirë e jona dikur. Mund të humbiste në një roman gjatë pushimeve, që nuk e harronte më për gjithë jetën. Ne kishim qindra pyetje, ishim kuriozë, kërkonim informacion me të gjitha mënyrat, kalisnim durimin e kuptonim çdo situatë. Sot informacioni është kudo, por etja për për dije nuk duket më gjëkundi e këtu shkolla duhet të ishte kundërpesha. Sot është kthyer në fabrikë diplomash ku mësuesi nuk është më transmetues informacioni por një njeri që mundohet në një vend kaotik të dalë “gjallë” prej trysnive të eprorëve, kërkesave të prindërve që nuk e njohin rolin e tyre dhe adoleshentëve e fëmijëve që nuk e kuptojnë peshën e rolit të mësuesve. Kur mësuesi harron peshën e profesionit që mban, humbet jo vetëm respektin e nxënësit, por edhe vetë kuptimin e tij si profesionist i fushës. Shkolla mund të instruktojë, por nëse nuk edukon më, ka dështuar në misionin e saj më të madh sepse mund të “prodhohen” njerëz që dinë formulat, të dhëna dhe rregulla, por kjo nuk do të thotë se ke formuar një njeri që di të mendojë, të dëgjojë, të dallojë të vërtetën nga gënjeshtra, të respektojë tjetrin, të përballojë humbjen, të mbajë përgjegjësi e të mbetet njeri i mirë pavarësisht të gjithave.
Këtu duhet të ndalemi përballë vetes: ne, të rriturit, besoj kemi dështuar në një pjesë të madhe. U kemi dhënë fëmijëve tepër nga ajo që blihet dhe shumë pak nga ajo që ndërton shpirti, mendja. Prindërit tanë nuk kishin mundësi të na jepnin gjithçka por na dhanë diçka që sot është e rrallë, na mësuan të dëshironim, na lanë të prisnim, të mërziteshim. Na dhanë libra, jo ekrane, biseda, jo vetëm përgjigje. Na bënë të qartë kufinjtë, duke njohur mundësitë. Dhe pikërisht nga mungesa lindte dëshira. Ndërsa ne përpiqemi t’u japim fëmijëve tanë gjithçka që neve na mungoi dhe, pa e kuptuar u kemi hequr pikërisht atë që na bëri ne të etur e të aftë për jetën.
Prandaj shtatori më bën të mendoj: çfarë do të mbetet kur telefonat të vjetrohen, rrobat të dalin nga moda, fotografitë të harrohen dhe numrat e “like-ve” të mos kenë më asnjë kuptim? Në fund nuk do të mbetet ajo që u kemi blerë por ajo që u kemi mësuar të duan, një libër, një ide, një njeri, një pyetje, një të vërtetë e zbuluar, një ëndërr.
Fëmijët nuk kanë nevojë vetëm për një të ardhme më të mirë se e jona. Kanë nevojë për një arsye për ta dashur vërtet atë të ardhme.