
Një dialog me Teuta Sadikun mbi Botën e Ideve
Ju falënderoj, Teuta, që iu rikthyet kësaj teme dhe e shndërruat në objekt dialogu. Nga vetë shkrimi tuaj realizon diçka e rëndësishme: ideja nuk mbetet pohim, por pyetet, kundërshtohet dhe shtyhet më tej.
Megjithatë, dua ta bëj më të qartë thelbin e problemit që kam ngritur. Nuk vë në dyshim se Akademia prodhon dije. Veçse idetë mungojnë. Janë të panumërta punimet historike, dokumentare, filologjike, gjuhësore, folklorike dhe arkivore të krijuara ndër vite. Problemi është se kjo dije ka mbetur kryesisht në nivelin e faktit, dokumentit, kronikës, gjuhës dhe përshkrimit, pa kaluar në një mënyrë sistematike në interpretimin filozofik dhe antropologjik të tyre. Prandaj pyetja ime mbetet: pse, përballë një trashëgimie kaq të pasur, Bota e Ideve që ajo mbart vazhdon të jetë pothuajse e pazbuluar? Pse figurat më të mëdha shqiptare, nga Skënderbeu te Nënë Tereza, të jenë studiuar kaq shumë për atë që kanë bërë dhe kaq pak për idetë universale që mbartin dhe për atë që këto ide mund t’i thonë njeriut shqiptar sot?
Ju pyesni: ku përplasen idetë? Unë shtroj një pyetje që vjen përpara saj: ku janë idetë që duhet të nxirren nga vetë materiali shqiptar? Sepse, përpara se një ide të kundërshtohet, të provohet apo të zhvillohet, ajo duhet së pari të zbulohet si ide.
Dhe këtu nuk kam parasysh thjesht një interpretim të ri të një dokumenti, miti, kënge, vepre letrare apo figure historike. Kam parasysh pyetjet themelore për Njeriun, Lirinë, Ndërgjegjen, Përgjegjësinë, të Mirën dhe të Keqen, Tjetrin, dinjitetin, sakrificën, besën, raportin e individit me bashkësinë, jetën dhe vdekjen. Pikërisht këtu historia, letërsia dhe folklori pushojnë së qeni vetëm objekte përshkrimi dhe bëhen burime të mendimit filozofik dhe antropologjik.
Dhe këtu problemi nuk është më vetëm akademik. Është antropologjik dhe prek drejtpërdrejt shoqërinë shqiptare. Sepse një shoqëri që për breza studion historinë e vet pa e kthyer atë në pyetje për Njeriun, rrezikon të ketë shumë kujtesë dhe pak ndërgjegje. Mund të njohë betejat e së kaluarës, por të mos ketë reflektuar mjaftueshëm mbi lirinë. Mund të nderojë heronjtë, por të mos pyesë çfarë është përgjegjësia individuale. Mund të flasë për besën, por të mos e vendosë atë në marrëdhënie me Tjetrin dhe me etikën e bashkëjetesës. Mund të kremtojë figura të mëdha, të organizojë konferenca e jubile, por pa lejuar që idetë e tyre të hyjnë në jetën e përditshme të njeriut.
Kjo është arsyeja pse Bota e Ideve nuk është një luks akademik. Ajo lidhet me vetë formimin antropologjik të shoqërisë. Mënyra se si njeriu mendon lirinë, ligjin, përgjegjësinë, autoritetin, individin, bashkësinë dhe Tjetrin përcakton, në fund, edhe mënyrën se si ai jeton me të tjerët. Pa këtë kalim, mund të modernizohen institucionet dhe teknologjia, por njeriu mund të vazhdojë të mbartë brenda vetes modele të vjetra mendimi.
Për këtë arsye përmend Platonin, Aristotelin, Augustinin, Danten, Kantin, Hegelin, Niçen, Hajdegerin dhe mendimtarë të tjerë. Sepse mendimi akademik dhe intelektual shqiptar duhet të hyjë domosdoshmërisht në dialektikën historike të ideve që formësuan qytetërimin perëndimor. Ekziston një rrugë tjetër? Dialogu me mendimin perëndimor nuk heq origjinalitetin shqiptar; përkundrazi, e nxjerr atë nga izolimi dhe i krijon mundësinë të provojë vlerën e vet në një horizont universal idesh. Vetëm në këtë përballje mund të zbulohet se çfarë ka për t’i thënë përvoja shqiptare jo vetëm shqiptarit, por edhe Njeriut. Nëse synojmë të jemi pjesë e qytetërimit perëndimor, nuk mund të marrim vetëm institucionet, teknologjinë dhe format e tij të jashtme, duke anashkaluar historinë e mendimit që i formësoi ato. Pikërisht ky dialog ka munguar historikisht në mendimin shqiptar.
Qytetërimi perëndimor nuk u krijua vetëm nga zhvillimi ekonomik, shkencor apo institucional. Ai kaloi nëpër shekuj pyetjesh mbi Njeriun, arsyen, lirinë, ndërgjegjen, moralin, përgjegjësinë dhe shoqërinë. Rilindja, Reforma, Iluminizmi dhe mendimi modern nuk ndryshuan vetëm idetë, port ndryshuan vetë njeriun evropian dhe, përmes tij, institucionet dhe shoqërinë. Pikërisht ky është perkursioni antropologjik që na intereson: çfarë i bën ideja njeriut dhe, përmes njeriut, shoqërisë. Pikërisht këtu qëndron shqetësimi im për studimet shqiptare. Nuk zhvlerësoj atë që është bërë. Sepse, pa dokumentet, arkivat, filologjinë, gjuhësinë dhe historiografinë e prodhuar nga breza studiuesish, hapi tjetër nuk do të ishte i mundur. Ato janë sigurisht themeli i studimit, por tavani mungon. Pas faktit duhet të vijë patjetër kuptimi; pas kujtesës, ndërgjegjja; pas historisë së ngjarjeve, historia e ideve.
Prandaj teza tënde për Akademinë si hapësirë ku idetë takohen, kundërshtohen dhe vihen në provë është e rëndësishme. Por unë do të shtoja se Akademia duhet së pari të ndihmojë në nxjerrjen në dritë të ideve që trashëgimia shqiptare mbart. Pastaj ato le të përplasen, të kundërshtohen, të rrëzohen apo të zhvillohen. Pa këtë hap, rrezikojmë që edhe figurat më të mëdha shqiptare, nga Skënderbeu te Nënë Tereza, të vazhdojnë të nderohen, studiohen dhe përkujtohen, por të mbeten të bllokuara në muzeun e kujtesës, në vend që të hyjnë në jetën e njeriut të sotëm. Këtu qëndron problemi: jo vetëm çfarë dihet për historinë shqiptare, por çfarë ka bërë kjo dije me njeriun shqiptar. Si ka ndikuar dhe si mund të ndikojë konkretisht në ndërgjegjen, sjelljen dhe marrëdhëniet brenda shoqërisë.
Ju falënderoj, Teuta, për debatin. Një ide e cila nuk pyetet mbetet pohim. Por edhe një debat, pa depërtuar më parë në thelbin filozofik dhe antropologjik të ideve, rrezikon të mbetet vetëm përplasje mendimesh, pa rezulëtat. Pikërisht për këtë dialogu duhet të vazhdojë. Dhe le të shpresojmë se edhe mendimi më i lartë akademik do ta ndërmarrë këtë hap thelbësor, duke hyrë në atë rrugë të gjatë të historisë së ideve që transformoi njeriun evropian dhe, bashkë me të, vetë shoqërinë dhe qytetërimin perëndimor.