Cikël me poezi-Nga Panajot Boli



Nga Panajot Boli

Mikpritje

Në prag të kopshtit e priti Prillin pjeshka
I hodhi mbi krye një grusht petalësh rozë
Dhe zëri i gjelit sot në mëngjes
Ishte më i ëmbël,më melodioz

Edhe hëna doli sonte më e bukur
Fosforente e tëra,si një sy magjik
Lugina veshi edhe ajo një fustan me lule
Kërcenin fluturat e lumi u bënte muzikë

Edhe mali hoqi gunën e tij të hirtë
Një jelek jeshil veshi me penj qendisur
Dritaret e fshatit u bënë më të gjera
E ftoi në oborr edhe trendafili i stolisur

I zgjati dorën edhe mikja ime sybukura
Në dorë t'i lidh një byzylyk prilli
Pak aromë i kërkoi për gushën e bardhë
Ta bëj principeshë të kaltër...si qielli


ZBRAZËTI

Eci në këtë natë
Mbi pllakat katrore të zeza shkel
Dridhet heshtja
Dhe hijet e pemëve
Fshihen të trëmbura

Diku në një qoshe të qiellit
Ca yje bisedojnë me zë të ulët
Hëna i sheh infiferente
Dhe nënqesh nën buzët e verdha

Mendimet ndjejnë normica
Në cingërimën e shurdhët
Vertiten,hallakaten
Me marrjen mendsh

Natë...
Heshtje e trembur...
Hije që levizin si hije
Mendime të zbathura që ndjejnë ftohtë
Indiferente..
Pa busullë
Me Yllin Polar që u fsheh
E zbrazëtia.....
Flet me vete


PËR TY
-Në vend të një urimi-

Për ty po i lutem Marsit
Të të mbaj si mbretërëshë
Me fllade të të kreh çdo mengjes
Të përkedhel sytë e bukur
Ti...vetëm buzëqesh

Për ty po i lutem qiellit
Të të zbresë një yllësi të terë
Të puth si i marrë gjer në dhimbje
Të peshpëris....të peshpëris
Ti...mbetsh pranverë



FLUTURË BËHEM...


Oksigjenin e frymëmarrjes sime
Ma vjedh vetmia
Veshur me një tirk të zi
Me ca sy të zgurdulluar
Si një hienë e frikshme
Që mbi krye më rri

Pse ma urren dritën
E perdet e shpirtit
M’i mbyll me lajka?

Dua ...sa dua
Dorën që fshehur mbjell natën errësirën
T’ia thaj në rrenjë
T’i puth dorën
Dritës magjike të agut në mengjës

Përpilitem i mbytur në terrin e kësaj nate
Bëlbëzoj...
Pak dritë...pak dritë...

Më zihet fryma...
Me neveri shtyj me berryla muzgun
Si një çarçaf të ndotur
Puthit buzët te xhami i dritarës
Dhe dritën e hënës dhe të yjeve kërkoj

Hëna bëhet Krisht
Me dritën e shenjtë mbi supe
Me suitën e yjeve nga pas

U ringjall Krishti?
Dorën zgjas të prek dritën e shenjtë..

Fluturë bëhem
E vertitem rreth dritës

SA AFËR....SA LARG


Kaq afër Ylli Polar
Zgjatesha ta kapja me dorë
Në një natë maji
Me vellon pranveror

Kaq afër hëna
Doja që ta puthja shumë
Të flinim bashkë
Të luanim në gjumë

Kaq afër yjet
Me gaz më merrnin në valle
Në Mbretërinë Blu
Si të dehur fare

Kaq afër qielli
Shtëpi kukull plot me magji
Kukafshëhti luaja
Me Pitër Planin,fëmi

Tani sa larg
Mister,në të pafundmin gjithësi
Një grimcë meteori
Leviz prapë tek ti
Me flatra të prera
Me Pitër Panin, kapistër i lirë
Tani kam NASA-n
Udhëtoj në hapësirë

Kaq afër ju kisha
Sot një enigmë, kaq larg
Ju kërkoj si fëmijë
Nuk gjej atë prag