
Teuta Sadiku
Kritikja Emi Krosi në këndvështrimin e saj:
“Diskursi lirik në poezinë e Fatbardha Xhani Myslimaj” në gazetën Destinacion
përpiqet të ndërtojë një profil poetik të autores, duke lëvizur mes stilistikës, tematikës, simbolikës dhe biografisë. Kritikja Krosi shkruan:
“gruaja që ndërthur realen me surrealen”
Por këtu lind një pyetje kritike.A kemi vërtet surrealizëm?
Surrealizmi nuk është thjesht përzierje e reales me ëndrrën. Te André Breton surrealja lind nga shpërthimi i pavetëdijes, asociacionet e lira, logjika e ëndrrës.
Nga e gjithë poetika , mendoj se Fatbardha Xhani Myslimaj është më afër simbolizmit lirik, introspeksionit emocional dhe metaforës së natyrës,sesa surrealizmit.
Kur shkruan:
“unë në breg
shkel këmbëzbathur mbi një emër”
kemi simbolizim të kujtesës dhe identitetit, jo domosdoshmërisht surrealizëm.
Pika më e fortë e vëzhgimit të Krosit është se vëren se fjala gjethe/gjethja/gjethet përsëritet 24 herë.
Por këtu mund të shkojmë më larg. Gjethet nuk simbolizojnë vetëm rigjenerimin, natyrën, ciklin biologjik.Gjethet në poetikën e Fatbardha Xhani Myslimaj funksionojnë si metaforë e prekshmërisë njerëzore.
“Isha thjesht gjethe“
Kjo nuk është vetëm natyrë, është gjendje ontologjike sepse gjethe do të thotë e brishtë,e lëvizshme, e varur nga era, e përkohshme.Pra gjethet nuk flasin vetëm për jetën flasin për cënueshmërinë e njeriut.
Te poezia e Fatbardha Xhani Myslimaj natyra antropomorfizohet dhe trupi natyralizohet.Kur poezia flet për natyrën, në të vërtetë flet për emocionin dhe kur flet për trupin, flet për shpirtin.Ky është një mekanizëm poetik që mund të studiohet më vete.
Kritikja Emi Krosi shkruan:”gjuha e trupit është dhe gjuha e shpirtit”
Por mund të shkojmë më larg duke analizuar vargjet:
“në pafundësinë e burimit të kthjellët
të fjalëve që fsheh zemra e burrit”
Në shumë poezi erotike shqiptare trupi është qendra, ndërsa këtu duket se fjala bëhet më erotike se trupi. Këtu dëshira nuk drejtohet ndaj trupit,drejtohet ndaj
gjuhës, fjalës, brendisë shpirtërore.Kjo është erotikë e komunikimit dhe jo erotikë e mishit .
Krosi shkruan se në poezinë e Fatbardha Xhani Myslimaj koha nuk është absolute,Por në poezinë e saj duket se e kaluara, e tashmja, kujtesa, pritja, rrjedhin vazhdimisht në njëra-tjetrën.E vërteta është se koha në poezinë e Fatbardha Xhani Myslimaj nuk matet me kalendar, matet me emocion.
Në vend që ta lexosh Fatbardha Xhani Myslimaj vetëm si “poete femërore”, mund ta lexosh poete të prekshmërisë, subjekt që eksploron brishtësinë e qenies.Gjethet, era, shiu, drita, trupi, kujtesa janë forma të së njëjtës pyetje. Si mbijeton njeriu emocionalisht në një botë që ndryshon vazhdimisht?
Kjo pyetje çon përtej etiketimeve si “poezi femërore” apo “lirizëm intim” dhe e vendos autoren në një debat më të gjerë estetik dhe ekzistencial. Kjo do ta afronte leximin me format e kritikës bashkëkohore që nuk ndalet vetëm te temat, por kërkon mekanizmat e thellë që prodhojnë kuptim në tekst.
Këndvështrimit të kritikes Emi Krosi po i shtoj analizën e mekanizmave që prodhojnë kuptime dhe interpretime të reja të poezisë së Fatbardha Xhani Myslimaj si frymëmarrjen e vargut, ndërprerjet dhe ritmin sintaksor.
Poezitë nuk mbështetet kryesisht mbi figurën poetike, por mbi ritmin emocional të rrëfimit, pothuaj si monologë të brendshëm.
“Ti ke qenë vjeshta e një gruaje
Paskam faj
Që u bëre pranvera ime…”
Këtu kemi tre njësi frymëmarrjeje.
Ti ke qenë vjeshta e një gruaje (pauzë)
Paskam faj (pauzë më e thellë)
Që u bëre pranvera ime
Vargu i dytë është shumë i shkurtër.
Pikërisht kjo krijon efektin emocional, kur subjekti poetik ndalet për një çast përpara rrëfimit.Pra frymëmarrja këtu është emocionale.Poezia ndërtohet mbi një frymëmarrje të ndërprerë nga ndjenja e fajit. Vargjet e shkurtra funksionojnë si ndalesa reflektive, ku subjekti poetik e rimerr vazhdimisht veten përpara se të vazhdojë rrëfimin.
Paskam faj
dhe
Ndjehem në faj
Pastaj:
Penduar
Kjo është kolona ritmike e poezisë, ku poezia rikthehet vazhdimisht te faji, pendesa dhe dhembshuria.Këto janë nyjet ritmike të tekstit.
Përsëritja e të njëjtës fjalë ndërton ritmin ,ndoshta nuk sjell informacion të ri ,por mes përsëritjes krijon vazhdimësi, këmbëngulje, një gjendje emocionale.
Sërish…
Sërish…
Sërish…
Ky është një nga momentet më të bukura ritmikisht.Është sikur zemra troket.
Kjo quhet ritëm anaforik emocional.Përsëritja trefishe e fjalës “sërish” nuk ka funksion informues, por muzikor dhe emocional. Ajo imiton procesin e rindërtimit të dashurisë dhe këmbënguljen e subjektit për ta rikthyer dritën e humbur.
Një mekanizëm që përdor Fatbardha Xhani Myslimaj është ritmi i kontrastit stinor vjeshta – pranvera.Kjo nuk është vetëm metaforë,është një organizim i ritmit,një lëvizje e brendshme e poezisë vdekja dhe rilindja.Vjeshta lëviz me humbje, me mbarim, me rrëzim,kurse pranvera lëviz me rilindje,fillim dhe rigjallërim.
Në poezi nuk gjejmë thirrma të forta, revoltë, agresivitet.
Edhe kur shfaqet rivalja:
“E mua,
Më dhimbset ajo grua”
Subjekti nuk sulmon,nuk hakmerret ,nuk akuzon. Kjo krijon ritmin e dhembshurisë, krijuar nga mirëkuptimi. Poezia nuk mbështetet te rima klasike, ka shumë tinguj të butë l,m,n,sh në fjalët lule/ qumështin/ mëkojmë/ fëmi/lëngu/flokët/ lot/,janë tinguj që rrjedhin.
Prandaj poezia krijon një atmosferë të butë,nuk ka ashpërsi fonetike.
Mendoj se simboli më i fortë nuk është vjeshta, pranvera, dielli. Është” copëzat “sepse kjo fjalë përsëritet në disa forma.
Në fakt e gjithë poezia flet për rilindjen e diçkaje të thyer.Dashuria paraqitet si e shpërbërë,e copëtuar,e dëmtuar.Ndërsa subjekti poetik kërkon
“Një nga një t’i mbledh”
Kjo është metafora qendrore.Ritmi i kësaj poezie nuk ndërtohet mbi tensionin dramatik, por mbi procesin e ngadaltë të rikompozimit emocional. Frymëmarrja e ndërprerë, vargjet e shkurtra dhe përsëritjet ritmike krijojnë ndjesinë se subjekti poetik po mbledh jo vetëm copëzat e një dashurie të thyer, por edhe copëzat e vetes. Në këtë kuptim, forma e poezisë bëhet pasqyrë e procesit të brendshëm psikik që ajo përshkruan.Kritikja Emi Krosi ndalet te metaforat, simbolika, erotika, gjethet, natyra, por nuk e shtron pyetjen themelore të teorisë moderne të poezisë : Kush flet në poetikën e Fatbardha Xhani Myslimaj ?
pyetje, e cila që nga Mikhail Bakhtin, Roland Barthes dhe Paul Ricoeur, është bërë qendrore. Sepse poeti dhe subjekti lirik nuk janë domosdoshmërisht i njëjti person.
Në leximin e parë, mund të thuhet se po flet mjekja, por jo në kuptimin profesional.Në poezitë e Fatbardha Xhani Myslimaj nuk shfaqet spitali, diagnoza,mjekimi, teknika mjekësore. Megjithatë shfaqet vazhdimisht një tipar që mund të vijë nga përvoja e mjekes, vështrimi i kujdesshëm ndaj plagës.
“M’u desh copëzat
një nga një t’i mbledh“
Në poezinë e Fatbardhë Myslimajt nuk flet mjekja si profesioniste, por mjekja si vetëdije që përpiqet të kuptojë dhe të shërojë thyerjet emocionale të qenies.
Në kritikën shqiptare shpesh thuhet se “flet gruaja”, kjo është shumë e përgjithshme.Pyetja është se cila grua , çfarë gruaje? Në poezinë e Fatbardha Xhani Myslimaj nuk kemi gruan rebele, gruan militante, gruan që përmbys botën, as gruan viktimë. Aty është gruaja që kupton, ajo që përpiqet të kuptojë veten, tjetrin, humbjen, mungesën, dashurinë. Madje edhe rivalen.
“Më dhimbset ajo grua”
Në vend të konfliktit kemi empati, prandaj subjekti lirik nuk ndërtohet mbi kundërshtimin.Ndërtohet mbi mirëkuptimin.
Në shumë poezi dashuria kërkon zotërim.Te Fatbardha Xhani Myslimaj duket se ndodh e kundërta. Subjekti lirik shpesh kërkon ruajtjen, mbrojtjen, kujdesin. Madje edhe kur përballet me një dashuri të copëtuar.Dashuruesja në poezinë e Fatbardhë Myslimajt nuk është figurë e pushtimit erotik, është figurë e kujdesit ekzistencial.
Në shumë poezi bashkëjetojnë e tashmja, e kaluara, pritja dhe mungesa. Prandaj ndonjëherë duket sikur nuk flet as gruaja, as dashuruesja.Në poezinë e saj flet kujtesa
“të rikthejë
në kujtimet e vakëta”
ose
“Ti ke qenë vjeshta e një gruaje”
Folja është në të kaluarën kurse emocioni është ende në të tashmen.Kjo është tipike për zërin e kujtesës. Kujtesa nuk rrëfen, kujtesa ripërjeton.
Në shumë momente poezia largohet nga historia konkrete. Nuk ka rëndësi kush është burri, kush është gruaja, çfarë ndodhi realisht. Rëndësi ka përvoja e qenies.
“Isha thjesht gjethe“
Ky nuk është më rrëfim dashurie është reflektim mbi gjendjen njerëzore.
Këtu subjekti lirik bëhet zë i brishtësisë njerëzore, çka e çon poezinë përtej autobiografisë.Në poetikën e saj nuk flet një identitet i vetëm lirik. Zëri poetik ndërtohet si një ndërthurje e gruas, dashurueses, kujtesës dhe vetëdijes ekzistenciale. Pikërisht kjo lëvizje ndërmjet këtyre regjistrave krijon ndjesinë e një subjekti fluid, i cili nuk kufizohet në biografinë e autores, por shndërrohet në figurë universale të përvojës njerëzore.
Sa zëra flasin njëkohësisht në poezinë e Fatbardha Xhani Myslimaj
Sepse te Fatbardha shpesh dëgjojmë gruan që dashuron, gruan që kujton, gruan që vuan, gruan që fal, gruan që kupton. Pra subjekti lirik është një zë polifonik.
Poezia e Fatbardha Xhani Myslimaj nuk ndërton një “Unë” të fortë dhe autoritar, por një “Unë” që vazhdimisht dialogon me veten, me tjetrin dhe me kujtesën. Dhe pikërisht kjo është një ndër veçantitë më interesante të poetikës së Fatbardhë Myslimajt.
