Cingël,cingëlthi-Ruzhdi Gole

Ruzhdi Gole

  


1.
Ditë vjeshte gjej pa prit këtë korrik,
mënjanë lë lundrimin dhe sektet
vrapoj në një hap me perënditë.


Oooo, ç’thënkam kështu?
Perënditë më zgjojnë 
nga gjumi laik


t’u besoj laikëve në tjetër gjuhë…


2.
Qënkam, i gjithi, plot thumba bletësh,
Mjalti i tyre më rrjedh nga gishti
gishti më rr’fen
të përpjetën.


Gjer në majë dot nuk ngjitem…


Po u thashë se u ngjita atje 
do të jem 
i gjithi rrenacak helm,
shpresë mbuluar 
me dhe, 
gungë në gen.


3.
Përposh hepoj droje mërzie….
i panjohur nga mizat 
çdo ag mburoje
përtej rrezesh
afër qirinjve.


Dikush më desh 
për të më gënjyer,
dikush për të më dehur,
shkrij kokulur mes qirinjve
jetoj milingonë në kryqin Atdheu.


4.
I hirtë ky mot, trallisjeve fishkur,
Mendja çka sjell…ngrica plot
e kam mendjen tek ndritja 
e rrokullisur.


Asnjë hopthi-gropthi nuk më afrohet…


Ndoshta ky mot gjithçka ma mënd
më qëllon me brirë të kapronjve
po gjakun s’ma shterr
kockat s’m’i 
shëmb.


Mot fishkur …  Parrokullisur…


5.
S’të arrij dot…Të ëndërroj…


Më tutje, 
ndoshta hijen hare e kam rojë
haren e hijshme … qelq të buzëve.


Si ndizen plot xixa qelqet dhe drojet…
Për të të ëndërruar këtu,….Më tutje
s’më lënë trazimet, pra, rojet…


6.
Po e lë mënjanë çastin e mbramë…
I mbramë njeriu, më pak 
i lëvdueshëm,
këpucët e mia i lyejnë retë
me bojë që më ngroh 
e më mardh
jo vetëm gishtrinjtë 
por 
edhe shpatin, rrokopujën.


Një Hanë ma mbërthen bluzën njitash, 
zbres e ngjitem, më grabisin, grabis,
më pak i lexueshëm njeriu
veç bllamë,
me kamë
në shpirt…


7.
Dita lëron ara dhe … ujëra …
Ujëra lëroka dita ?
Lajthitja luan 
me milingona jetëshkurtra
jo krahë grabitura.


Gjithçka më rrëmben
tërthorazi, lumnueshëm
ngathtive vrullshëm pa të keq,


O Zot, mos m’u afroftë vdekja 
me kurora të gjora 
me sorra që ma 
nxijnë rrugën


… se çmendem … Nuk vdes….


8.
Po ngjethem, 
ngjethëse kjo degë gjuhë prerë,
nata ledhatohet prej yjeve 
yjet janë bejte 
të poetëve


terri pi ujë por etjen s’e shterr.


Veç Pikëllimi më gazmon me të qeshur,
me luspat e peshkut mbuloj një kamë,
e cila përgjaku buzët e bregut
jo prej frymorit homo sapiens 
por prej tigrit … luan.


9.
Mjegulla, e çarë gjithandej, duket           
si një rrjetë e stërmadhe peshku
mbi kryet e frymorëve 
dhe jetëngrehinës,


Jeta përhedhur, hedhur këputje
ndër besime, betime plehu
rrënoja të reja pikëllimesh.


Të tjera brinjë përtërin Jeta,
ne duke ikur shtrirë 
kokë statuje,
Mjegulla shkund rrjetën
jo me peshq as me filiza plehu
por me bisqe 
dhe frymëmarrje të ujërave…


10.


Cingël, cingëlthi…
Shkopi më sheh, fluturon tinëz,
tinëzarëve, përhera, u shtroj gosti.


U shtroj gosti me heshtjen time…


Në heshtjen time mbjellë bimë,
Brinjët e mia do rrihen ende
nga lojëra të rrezikshme 


sa të bëhen thërrime


cingelthi
jo cingël…